Albspirit

Media/News/Publishing

Aurel PLASARI: Sikur mediet të ishin medie

Ja një lajm/njoftim i ndërtuar simbas qejfit, nga një gazetar i radhës që ka harxhuar shkel-e-shko vetëm 5 min., në një portal ndër më seriozët në Shqipëri:

1) Fjala vjen: Titullin “akademik” nuk do ta kenë gjetur asnjëherë të përdorur prej meje para emrin tim, as edhe një herë. Përpos që mjaftohem me gradat dhe tituj që mbaj, gjatë intervistës nga është shkëputur pasazhi kam shpjeguar gjerë e gjatë që nuk jam anëtar i Akademisë së Shkencave, me të cilën gëzoj marrëdhënie korrekte bashkëpunimi, madje as kam kërkuar ndonjëherë një anëtarësi të tillë. Duke i shtuar përpara tituj jorealë nuk përforcohen opinionet e dikujt. Mundet të jetë mirëdashje, shenjë vlerësimi, por duke përdorur tituj të tillë tërhiqen lexuesit në diskutime jo është, jo nuk është “akademik” dhe dëmi kështu i bëhet mendimit, idesë së cituar.

2) Fjala vjen: Jo vetëm në pasazhin e përdorur për lajm, por edhe gjatë intervistës kam shmangur me sa kam mundur përgjigje me “Edi Rama”, “Edi Rama”, “Edi Rama”, simbas parimit që më shumë se personi intereson fenomeni që ai përfaqëson. Nuk është “Edi Rama” kërthiza e botës shqiptare, e së kaluarës, e së tanishmes dhe e së ardhmes, edhe pse mund t’u duket i tillë gazetarëve. Fenomeni po: fenomeni mund të jetë i përsëritur tanimë në realitetin shqiptar, si dhe i përsëritshëm nesër. Prandaj edhe në rastin e rrezikshmërisë që paraqet tipologjia e kabotenit (fr. cabotin) kam folur saktësisht për “një njeri që drejton punët e shtetit”. Për t’i vë emër dhe mbiemër ia vë vetë, pa hiçasfare ngurrim, qoftë edhe në titull, ndërsa titullin nga xhepi i pasmë gazetari t’ua vërë hartimeve të veta. Do ta minimizoja përmasën e shqetësimit duke e përqendruar te një individ nëse do të kisha konstatuar vetëm një “kaboten” në shoqërinë tonë. Nuk e kam thënë kot që shenja kabotenizmi mund të gjesh plot edhe – sidomos – te njerëzit publikë, pa e përjashtuar veten.

3) Fjala vjen: Kur vetë flas për kabotenizmin si një “koncept”, gazetari e ditka më mirë që ma korrigjon duke ma bërë “sindromë”?!

4) Fjala vjen më së fundi: Poza me “Ju tregoj…”, “Ju zbuloj…”, “Ju kallëzoj…” nuk ka lidhje me mënyrën e të shprehurit tim. Të mos ma mëveshin një shprehje sa të rëndomtë, aq edhe të rëndomësur nga konsumimi dhe pra të bërë bajate. Ma kanë mëveshur më se një herë medie të dorës së tretë. Le ta përdorin për titull të hartimeve të veta.

Shprehja “Sikur mediet të ishin medie” është dëshirë që mediet të ishin sikundër ua thotë vetë emri: mjet i saktë ndërmjetimi, ndërmjetuese korrekte, në të mirë të të dyja palëve që marrin përsipër të ndërmjetojnë. Sikur. Përndryshe të mos brengosen në i thërret me emrin e një pajisjeje gatimi një Kryeshërbëtor që edhe pushtetin e vet po me një pajisje gatimi e emërton.

Please follow and like us: