Albspirit

Media/News/Publishing

Embro Zholi: Gangot që godasin policinë

 

 

Vetëm këtë këtë vit, duke iu referuar kronikave të Policisë së Shtetit për “kundeshtim dhe mosbindje të urdhërit të policisë”, rastet jane ne rritje. Kjo nuk mjafton me kaq, sepse të dish në detaje përmbajtjen reale të kësaj vepre penale, të vjen keq që reagimi shoqëror kalon thjesht dhe vetëm nëpërmjet ndonjë debati në rrethe të ngushta shoqërore, ndërsa reagimi qytetar rreth kësaj vepre penale është pothuajse zero.

Nëse ky qëndrim vjen thjesht nga mosdija e opinionit shoqëror, bëj me dije shkurtimisht se në vetvete ky nen përmbledh shumë elemente që do thotë se qytetari nuk i bindet urdhërit të policisë, e ofendon, e kërcënon, e shtyn, e përshtyn, e godet, e plagos e mandej edhe e vret, siç  ndodhi me rastin e ish drejtorit të policisë së Vlorës Artan Cuku, i cili u godit për vdekje muaj më parë te rruga e “Kosovarëve” në Tirane.

Por të arrish deri këtu, e paskësaj të presësh reagim qytetar, është e kotë, pasi është e pamundur ringjallja e njeriut.

Ndërmend më shkon në këte moment te reagimi shoqëror apo publik, që duke e krahasuar me rastet e ambientalistit Sazan Guri, ndaj një peme që sipas tij shkulet pa të drejtë, krahasimi do të qe i pakrahasueshëm, pa vend, i padenjë, i dhimbshëm.

Kjo sepse të vesh dorë ndaj figurës së policit do të thotë se ose je i papërgjegjshëm ose një njeri i përgjegjshëm, por që mund të kesh krahë, frymëzim e imunitet pakufi. Dhe në fakt njerëzit e papërgjegjshëm që kanë mundur të ngrejnë dorë ndaj policisë në të gjitha vitet janë shumë të pakta. E kundërta ka ndodhur.

Ndaj policisë ata që ngrejnë grushtin e rrokin armët janë pikërisht kategoria tjetër, të ashtuquajturit VIP-a si këngëtarë, aktorë, gazetarë, politikanë, fëmijët e tyre apo të zyrtarëve e ish zyrtarëve, të cilët sipas meje meritojnë të quhen thjesht “gango”.

Përmenda vlerat që ka z. S. Guri, kur proteston për shoqatën e vet, (dhe  është për t’u përgëzuar), rastet kur cenohet e fyhet një gazetar, gjithë shoqata e gazetarëve ngrihet në këmbë (dhe mirë bën), apo kur ofendohet një infermier në detyrë ngrihet gjithë shoqata e mjekëve dhe ndërpret për 3-4 orë operacionet edhe urgjente ndaj pacientëve (dhe këta mirë bëjnë natyrisht) dhe në rastin  kur ngrihet dorë ndaj një punonjësi të policisë heshtet.

Heshtet ndaj të cilëve sa kohë janë në detyrë për nga rëndësia dhe vështirësitë që kanë përbëjnë vërtet një aspekt kombëtar, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm te puna dhe përgjegjësia që ata kanë në kryerjen e detyrës.

Heshtet kur goditen policët, ndërsa secili prej nesh ju kemi besuar ruajtjen e jetës dhe të pronës, përderisa kërkojmë te ata të na zgjidhin edhe konfliktet që kemi me njeri –tjetrin, madje edhe brenda familjes, siç është rasti i dhunës në familje, përderisa shkojmë te zyrat e tyre për të na gjetur telefonin apo çantën e humbur, qoftë për papërgjegjshmërinë tonë qoftë për meritën e hajdutit. Heshtet ndaj dhunës që ushtrohet ndaj tyre edhe kur shohim se si ata goditen me gurë nga tifozët e akoolizuar nga presidentët e ekipeve të futbollit për të siguruar interesat e tyre. Shoqatat e sipërpërmendura që bëjnë gjithçka kur iu fyhet apo dhunohet një anëtar i tyre, heshtin për dhunën që ushtrohet ndaj policisë, ndërkohë që si intelektualë duhet të bënin solidaritet për t’i thënë “stop”  kësaj lloj dhune.

Reagimin ndaj kësaj lloj dhune personalisht e shoh edhe duke sensibilizuar politikën, te e cila kam besim se nëse bën qoftë edhe një pakt të vetëm “armëpushimi”, rezultati do ishte shumë i mirëpritur, jo vetëm nga vetë uniformat blu, por edhe nga gjithë opinioni. Është e nevojshme për t’i dhënë një status të plotë kësaj kategorie, jo thjesht për mëshirë, jo thjesht se ata janë vëllezërit, motrat, prindërit e fëmijët tanë, por sepse iu takon. Të gjithë jemi dëshmitarë për kushtet ku ata punojnë: në diell, në shi, në të ftohtë, natën e ditën, me rrezikun në kokë për kapjen dhe asgjësimin e bandave kriminale. Duke i mirëkuptuar për këto vështirësi të tyre lypset t’i ndihmojmë edhe në kryerjen e detyrës, pasi qënie njerëzore janë dhe ata, edhe ata lodhen dhe shumë bile, duke iu “prerë” dorën këtyre “trimave”, duke iu dhënë pamundësi në të drejtën e faljes, në zbutje dënimi, e ca më keq mundësi për të blerë drejtësinë.

Duke iu referuar këtyre ngjarjeve të dhimshme që kanë ndodhur e ndodhin me punonjësit e Policisë së Shtetit, edhe ligjëvënësit shqiptarë duhet të ngrenë fjalën e zërin e tyre, për të ndërmarrë veprime konkrete duke ashpërsuar dënimet për autorët që guxojnë të kryejnë vepra të tilla penale.

Hapat e ndërmarra kohët e fundit për një reformë në Policinë e Shtetit duhet t’i përshendësim, por mendoj se ka ardhur koha që këto hapa të përkthehen në hapa cilësore për të vendosur nderin  dhe dinjitetin në vend  të punonjësve të policisë.

Jam shpresëplotë për një “veting” në radhët e policisë, ku të pastrohet nga të inkriminuarit e të paaftët, për të rritur perfomancën, integritetin e profesionalizmin, duke “ngelur” në klasë të gjithë ata që si plotësojnë këto kërkesa, si dhe t’iu kthejë të drejtat e mohura që iu është bërë ndër vite punonjësve të policisë.

Pasi siç dihet, ndër vite, te policia është futur politika e politizimi, klientelizmi dhe paaftësia, pasojat e së cilave kanë lënë rezultate jo të dëshiruara.

Please follow and like us: