Sa herë mendon gruaja për seks, brenda ditës dhe një opinion për gratë lakuriq te Gjebrea
Lis Bukuroca
Profesori gjerman i filozofisë, Wilhelm Schmid, në librin e tij me titull “Die Liebe neu erfinden” (Shpikja e re e dashurisë, ose “Me shpik dashurinë përsëri”), flet për studimet, ku është provuar se burri mendon, 100 deri në 200 herë në ditë në seks, kurse gruaja, një deri në dy herë, ose fare. Kur kemi këtë fakt parasysh, atëherë kuptojmë pse gruaja kontrollohet,shtypet, keqtrajtohet dhe nuk i besohet sjelljes së saj. Tani shtrohet pyetja: A e bën kurvë njeriun, të menduarit në seks? Po do të ishte përgjigja e shpejtë dhe e pamenduar thellë, por jo nëse burri ka aftësi për të kontrolluar emocionet dhe veprimet e veta. Të menduarit vazhdimisht në seks, vështruar nga perspektiva evolucionare, mund të arsyetohet. Vdekshmëria e fëmijëve ishte e madhe dhe për të mbijetuar specia njerëzore, burri duhej të ishte i gatshëm në çdo çast. Gruan që ofron shërbime seksuale, e quajnë prostitutë, ose kurvë. Personi që paguan atë shërbim quhet klient, sepse është burrë. Ndoshta do të kishte më pak prostitucion, nëse burri pagues quhet “prostitutë” apo “kurvë.” Në treg nuk gjendet kurrë diçka, që nuk shitet. Sikur burri kurvë të mos paguante, nuk do të kishte as gra, që do të shiteshin! Ku nuk ka klientë, nuk ka as biznes. Me këto nocione, e para përbuzet, i dyti fisnikërohet. E para paragjykohet, i dyti shfajësohet, madje edhe i ofrohet mundësi të mburret me kurvërinë e vet. Meqenëse burri mendon deri në 200 herë në ditë në seks, atëherë kufizimi i lirisë së gruas vjen nga trishtimi i tij. Nga komplekset e mëdha. Ai imagjinon gruan si veten. Kjo ka ndikuar historikisht në degradimin e saj edhe atë me fajin e burrit. Profesori e shpjegon atë fakt me fakte shkencore dhe ajo ndarja në të menduar nis, qysh me krijimin e trurit në embrion dhe fajet ka hormoni i quajtur testosteron.
U alarmuan aq shumë edhe pse vajzat ishin të moshës madhore dhe me aftësi juridike. Një mori e madhe e njerëzve shprehu indinjatë dhe kërkonte ndalimin. Edhe prej atyre që jetojnë në Perëndim dhe njohin liritë dhe të drejtat e njeriut me shtetin ligjor. Gati askush nuk kishte parasysh se me kundërshtimin, po kërkonin shkeljen e Kushtetutës dhe siç i pëlqente masës, artikuloheshin në mënyra sa më kritike, sa më poshtëruese dhe sa më agresivë në fjalor. Ata dhe ato kërkonin ligje si të Kalifatit, si të Iranit apo Arabisë Saudite. Çdo status dhe çdo shkrim pikësëpari flet për autorin që e shkruan, botëkuptimin e tij. Ata dhe ato janë të bindur se lumturia e tyre vetjake, varet nga funksionimi i botës sipas shijes së tyre dhe kryesisht, sipas aftësisë mendore të tyre. Këta njerëz mbrojnë një qëndrim kolektiv, fisnor dhe sapo të shkëputet dikush prej asaj tufe, e përjetojnë si dezertim nacional, fisnor dhe të papajtueshëm me normat morale të tyre. Të menduarit kolektiv ka dy origjina: E para është ajo fisnore, e dyta komuniste. Pikërisht kjo mënyrë ka fundosur shumë shoqëri në mjerim dhe pikërisht e kundërta e saj ka ndikuar në përparimin e shumë popujve perëndimorë. Prano shumëllojshmërinë dhe jeto i lumtur, përndryshe jeto i dëshpëruar, sepse nuk mund ta shembësh rendin demokratik dhe nuk mund të anulosh liritë dhe të drejtat e njeriut! Habia nuk ishte pse disa burra reagonin ashtu, habia ishte se disa gra shpallnin trupin e gruas të shenjtë, mu edhe si radikalët fetarë. Si është e mundur që ato gra, që shkojnë në plazh, arrijnë të jenë aq kolerike ndaj një show në televizion? Ku po shkon kjo shoqëri dhe pse nuk kupton se mirëqenia e madhe dhe lumturia e madhe në jetë arrihet vetëm kur pranojmë diversitetet dhe lirinë e tjetrit, gjersa nuk cenohet liria e askujt për ta ndryshuar kanalin apo fikur televizorin? Jemi popull shumë interesant, ku edhe shumë gra mendojnë siç mendojnë gjinfobët dhe mizogjinët dhe se çdo gjë dhe gjëkafshë kemi brenda vetes dhe mbi veten, por në Perëndim njerëz të atillë janë periferi e shoqërisë. Në fund: Gruaja nuk është ajo që ne e imagjinojmë, por ajo që është realisht. Nuk është ajo që dekodifikojmë ne, por është ajo që ndjen veten ajo: jo gjithmonë e gatshme për seks, jo e përdalë dhe meqenëse mendon aq pak në seks, në krahasim me burrin, atëherë ajo është shtylla kryesore e familjes. Sikur edhe ajo të mendonte si burri, atëherë familja nuk do të ekzistonte!