Skulptura dhe letërsia në krijimtarinë e një autori
Kujtim Stana
Fitim Sula i përket një brezi më të ri nga rradha e shkrimtarëve që kanë spikatur dhjetëvjeçarin e fundit, në fushën e letërisisë dhe atë të sklupturës, në të cilën numëron mbi njëqind punime artistike, të gdhendura në dru.
Veçanësia e tij në fushën e lëtërsisë qëndron se autori është shfaqur para lexuesit me gjininë e romanit.
Kështu në vitin 2006, boton romanin me titull, “Të gjallë e për sehir…”, në vitin 2007, romanin “Lakuriqësia ” dhe në vitin 2014, “Kroi i dyfytyrësisë ”.
Romani “Kroi i dyfytyrësisë, është interesant dhe një nxitës i lëvduar i kureshtjes njerëzore e aq më shumë për ne shqiptarët, për të mësuar edhe më tepër mbi prejardhjen tonë si një nga popujt më të lashtë të kontinentit.
Nga ana tjetër, pak shkrimtarë kanë guxuar të trajtojnë një temë me një natyrë si ajo që ngjizet në romanin e F.Sulës, zhytur në lashtësinë e bashkëkohësve të mollosëve e pellazgëve.
Në roman spikat tema e njohur mitike e murosjes së femrës, por këtu legjenda merr dimensione më të mëdha e të thella, historiko-shoqërore duke u trajtuar gjërësisht.
Në këtë roman-legjendë, përshfaqen, vende, popuj e fise, si Troja Dardane, Mollosët, Pellazgët, Sorrjanët, Bletajt, Botajt, Liburnasit, Pirustët. Gjithashtu Zotat e shumtë, si Zeusi, Prometeu, Trema, që janë pjesë e historisë së zhvillimit njerëzor.
Personazhet njerëzorë, kanë emra të thjeshtë, kuptimplotë në gjuhën shqipe, që pasqyrojnë identitetin fizik, shpirtëror e shoqërorë të tyre.
Ndër ta veçojmë, vëllai i vogël, Mermeri, i biri i tij Ematjoni, e shoqja e Mermerit, Penebardha, ç`paralelizëm, si tek “Odiseu”, Penelopa! Personazhe të tjerë, si Granit Bubullima, Arteo Bisha, Han Pisha, Lukë Gjuri, Marin Bleta, Gjur Bota etj, me trimërinë, zgjuarësinë, urtësinë e mirësitë që përfaqësojnë në ngjarjet e romanit, të bëjnë për vete dhe nguliten në kujtesën e çdo lexuesi.
Shkrimtari të bën ta admirosh, për guximin e treguar, pasi dhe pse operon mbi një subjekt tepër të lashtë, me mungesë të plotë informacioni e dokumentacioni, çfaqet i ditur, e i besueshëm, a thua se ka jetuar në kohën e mollosëve dhe pellazgëve, si një stër-stërnip i tyre.
Kalaja e qytetarisë, është aktuale dhe në ditët e sotme, për popullin tonë, mbasi romani rrezaton mesazhe të forta.
Gjuha e përdorur, është tërheqëse, e thjeshtë, me shprehje të mençura popullore, tipike në zgjuarësi e mendim filozofik, bazuar në përvojat e akumuluara e të sintetizuara nga njerëzit.
Romani “ Kroi i dyfytyrësisë “, evokon prejardhjen krenare të popullit tonë, jep mesazhe të qarta për pozitën e pa merituar, ku është katandisur në ditët e sotme ai, ende jashtë Europës, nga krerët që e kanë udhëhequr. Gjatë leximit, rrjedh si një burim i freskët, si ujrat nga dy fytyrat, e Lisit e Blinit, “të skalitura” me aq mjeshtri nga skulptori e shkrimtari, Fitim Sula.
Fitim Sula, jo vetëm është një përkrahës i tezës së prejardhjes Pellazgo-Ilire të popullit shqiptar, por dhe hulumtues e mbrojtës i flaktë i kësaj teorie, saqë në një shkrim të botuar në vitin 2010 ai është shprehur:
…Gjithmonë kam pasur dëshirë të thoja “Gadishulli Ilirik”, për gadishullin e quajtur nga s’dihet se kush “Ballkanik”, por kjo u mohua me rënien e Perandorisë së Romës, dhe fuqizimin e faktorit mysliman në Evropën Lindore. … gjithsesi, duhet theksuar që, Ilirët janë paraardhësit e Shqiptarëve, dhe kjo tashmë është e vërtetuar pa mëdyshje nga studiues vendas dhe të huaj.
Por, gjithashtu duhet të them, që Ilirët janë një pjësë e vogël e popullit të madh Pellazgjik …”.
Tregime dhe poezi nga “Pelegrinët e një bote të errët”.
Gati para një muaji, Fitim Sula më befasoi sërish, pasi në aktivitetin “Fesivali i dytë i poezisë Budiane” më bëri një surprizë të këndshme, duke më dhuruar, librin e tij më të ri, ”Pelegrinët e një bote të errët”.
Ky libër u bë shkak, që unë të hedh në letër mbresat e mendimet e mija të para për krijimtarinë e Fitmit si shkrimtar.
Libri “Pelegrinët e një bote të errët”, përfshin rreth 20 tregime disa skica dhe 33 poezi.
Fitim Sula si tregimtar
Që në tregimet e para të autorit, “Karrigia”, “Huni”, “Gropa”, “Gomarët”, “Sytë e nënës”, “Endacaku”, të ngjallet një dëshirë e kureshtje që shtohen nga faqja në faqe për këtë libër, për të zbuluar e njohur, si ndërthuren filozofia e trashëguar në shekuj e popullit tonë, me mesazhet që mbart, rrëfimi i thjeshtë, i sinqertë e dinamik, përqasja me realitetin e sotëm etj.
Fabula e tregimeve, mjaft e gjetur, mbështetja në gjenezën e njerëzimit e atë kombëtare në veçanti, të ngërthejnë tërë kohën në lexim, duke shijuar dhe përthithur kënaqësi. Në veçanti tregimi “Sytë e nënës“, një legjendë brilante, me një shtrirje, thellësi e përgjithësim më të lartë se ajo e “Kështjellës së Rozafës”, simbolizuar me kostelacione yjesh në qiell, sjell cilësi të reja në këtë fushë të letërsisë shqiptare.
Ky libër është i mbarsur me problematika të shumta, ku autori ngre zërin dhe ulëret, ndaj të keqes e të këqinjëve, i përplas ato me të mirën, dje e gjer më sot. Ai ju heq maskat gjithë atyre të pushtetshmëve e të pangopurve, të korruptuarëve e hileqarëve që kanë drejtuar e qeverisur, duke shrytëzuar popullin e tyre.
Me një fantazi pothuaj të çmendur, nga guvat e epokave e gjer në ditët e sotme, autori, të befason me njohjen që zotëron të historisë njerëzore, na flet me gjuhën e personazheve të tregimeve të tij, të cilët ndryshe nga sa jemi mësuar në shumicën e librave të lexuar, kanë emra të thjeshtë me domethënie të caktuar, në funksion dhe të aktivitetit të tyre. Përmendim, Shtegtarin te tregimi “Karrigia”, Dragon Vigu te ”Huni”, Haprandi te “Gropa”, Çakalli, Skiljana, Zemërplasuri, Nofullderri, te “Sytë e nënës”, Vullneti, Dëshiruesi, te “Endacaku”, Britan Ulërima , tek “Grerëzat”, Iljon Albani tek “Hija e Lisit”, Rrushi tek “Llulla”, i cili ka aftësi të dallojë dhe dhjamin ekonomik te xhepat e dikujt, etj.
Një veçori tjetër e tregimeve, skicave e dialogjeve të Sulës, është dhe ai i atyre me karakter fabulik, ku personazhet janë, lepurushi, ketrushi, mushka, gomari, Dredhak Turiçi etj.
Tregimet mbyllen me “Rikthimi i Gjergj Elez Alisë”, ku spikat bashkëbisedimi i Gergjit me Profesorin Akademik, duke shtjelluar një debat – betejë, mes së vërtetës dhe hijes, shkencë – Gjergj Elez Ali, mit – robot. Mesazhi dallon qartësisht se shkrimi i historisë njerëzore është bërë sipas interesit të më të fortit.
Fitim Sula si poet
Në se në prozë, Fitim Sula ka kohë që përfaqësohet me romane e së fundmi me tregimet e këtij libri, në poezi lexojmë vjershat e para, ku veçoj, “Melodi zvaranikësh”, “Loja hokatare e shqiponjës”, “Pa titull”, “Ndotja e poezisë”, “Fluturim mbi tymnajë”, “Iluzion”,”Mbinjeriu”, “Pushteti”, etj.
Poezia e Sulës duke qënë se shënon një hulli të re të krijimtarisë së tij letrare, është një “derdhje“ artistike në vargje e impresioneve më të fuqishme të tij nga jeta. Bien në sy, kapja e fenomeneve negative të shoqërisë së sotme shqiptare e më tej, lufta pa kompromis ndaj mediokërve, patriotëve e intelektualëve të rremë, të pushtetshmëve diktatorë e të korruptuarëve të pangopur. Këto veçori buçasin e ulërasin në poezinë e Sulës, ku unë po mjaftohem me vargjet e mëposhtme për ilustrim:
Melodi zvaranikësh
Nga qielli nuk bie më shi, por“tru“
Mediokrish në trajtë breshëri.
Loja hokatare e shqiponjës
Pastaj vendosi të glasojë të gjitha kultet, një për një.
Pa titull
Eh, për ku jemi nisur vëllezër të Shqipnisë?
Kërrusur e me bisht nën shalë.
Fluturim mbi tymnajë
Poshtë saj, tymi i betejave tokësore me ngjyrë gjaku,
Nuk arrin të ndyej pastërtinë qiellore, foleja e mendjeve të lira.
Iluzion
Jam ulur mbi trupin e një ëndrre syhapur
E rastësisht ndodh të takohem me ty.
Mbinjeriu
Njeriu i vërtetë ndjen dhembje
Dhembje që zemrën e malit shkërmoq
Pushteti
I dukej vetja mal mbi retë.
Në përfundim të këtij shkrimi me dashsmirësi e sinqeritet dëshiroj të veçoj dy tre vërejtje të vogla që në se shmangeshin, do të rrisnin më tej cilësinë e librit e të shtypshkrimit të tij:
1.Ndarja e fjalës në fundrresht është e gabuar në shumë raste e në një pjesë të mirë të tregimeve.
2.Në shkrimin me titull “Skicë “, tregimet “Qiell arratisuri”, “Vetëvrasja e një kërmilli”, “Kalimtari” kanë gabime, që mund të ishin korrigjuar me një korrektim më të kujdesshëm.
3.Pothuaj në gjysmën e tregimeve, Zoti, Zotat, Zeusi, Poseidoni, Prometeu, Perandorë etj, janë të pranishëm në ngjarje, rrëfime e mesazhe të ndryshme, duke çfaqur nuanca që bien në përsëritje.
Gjithësesi këto sugjerime, nuk ja zbehin aspak vlerat librit të Fitim Sulës por janë sinjale për kërkesa më të larta drejt përsosmërisë.
Vëllimi me tregime dhe poezi “Pelegrinët e një bote të errët”, shënon një përpjekje të suksesshme dhe arritje për skulptorin e shkrimtarin Fitim Sula, duke sjellë një rrjedhë të pastër e të freskët në lumin e madh të letërsisë shqiptare.
Fitim Sula ka gati për botim një roman të ri, dëshmi konkrete se nuk është futur rastësisht në armatën e shkrimtarëve, por me dëshirë, talent e pasion, për të prekur të tjera suksese.