Basha: Duhet qeveri anti-mafie, përballje totale kundër Ramës
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar sot pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, se zgjidhja e vetme është largimi i qeverisë.
Në një prononcim për mediat, Basha tha se situata po tregon çdo ditë e më shumë se Edi Rama është i përfshirë direkt në trafikun e drogës.
“Qeveria ka rënë moralisht. Shqipëria është kthyer në një hambar droge”,- tha Basha. I pyetur se kur mund të nis reforma zgjedhore, Basha tha se “kjo do të jetë e mundur vetëm kur të kemi një qeveri anti-mafia”.
Lulzim Basha thotë se ndalimi i prodhimit të kanabisit në vend nuk është meritë e qeverisë dhe as e policisë, por ka një faktor tjetër. “Këtë vit kultivimi nuk është i njëjti si në 2016 dhe Edi Rama del e bërtet fitore. Në fakt përgjegjëse për ndalimin e prodhimit është çmimi. Shkoni në Tepelenë dhe më lirë blihet një kilogram hashash sesa një kilogram çaj mali”, tha ai. Basha përsëriti kërkesën e opozitës se zgjidhja e vetme është largimi i qeverisë.
“Nuk ka shqiptar dhe europian që nuk e di përgjegjësinë politike të Edi Ramës për shndërrimin e Shqipërisë në narko-shtet. Kjo do të mjaftonte për çdo Kryeministër që të japë dorëhejqen, por nuk mjafton për Edi Ramën, ndaj opozita do të ndërmarrë një aksion kombëtar për largimin e Edi Ramës”, thotë ai.
Kreu i PD-së tha se opozita ka një strategji për të arritur qëllimin e saj dhe se po e shpalos atë dita-ditës. Basha përjashtoi mundësinë e nisjes së punës për reformën zgjedhore. “Reforma zgjedhore do të fillojë atëherë kur vendi të ketë një qeveri antimafia”, u shpreh kryedemokrati.