Albspirit

Media/News/Publishing

Bien audiencat e portaleve, Facebook teston politika të reja për postimet

Të gjitha portalet shqiptare e të huaja të cilat janë rritur vrullshëm përmes trafikut të gjeneruar nga Facebook, do të përballen me një “tërmet” audience. Shkak për këtë pritet të jetë një sistem i ri i shpërndarjes dhe promovimit nga ana e Facebook. Aktualisht ai po testohet në gjashtë shtete, si Serbia, Sllovakia, Bolivia, Guatemala, Sri Lanka dhe Kamboxhia. Sikurse bëhet me dije, Facebook ka bërë një ndarje të kryefaqes (feed) ne dy pjesë, ku në të parën do të shfaqen postimet e miqve ndërsa në “feed-in” tjetër do të shihen materialet e “faqeve publike” (Pages) të përzgjedhura, me postimet ose lajmet e tyre pa pagese.

Por, Facebook, do të lejojë që postimet e portaleve dhe faqeve publike (Pages) të shfaqen në të dyja “feed-et”, nëse paguhet për to.

Rezultatet e para të këtij testimi në shtetet e sipërpërmendura, shkruan “The Guardian”, flasin për një rënie drastike të audiencës me 60-80%. Këtu janë prekur drejtpërdrejt portalet e lajmeve të cilët marrin trafikun e tyre vetëm nga Facebook, jo ata që klikojnë drejtpërdrejtë në faqe apo e aksesojnë atë pas një kërkimi në Google, Yahoo, etj.

Eksperti Matti Littunen, nga “Ender Analysis” thekson se ky eksperiment i Facebook ngjan me ato biznese që ofrojnë shërbimin “free” me opsione të kufizuara dhe atë “premium”, me opsione të plota përmes pagesës: “Fillimisht, Facebook i mundësoi portaleve dhe faqeve shpërndarje të pakufizuar; më pas kaloi në pagesa të pjesshme për shpërndarjen e postimeve të caktuara “sponsored posts” dhe aktualisht propozon një shpërndarje të pakufizuar të lajmeve vetëm nëpërmjet pagesës”.

Sipas analisteve te web, nëse Facebook e zgjeron më tej këtë politikë të saj, ndikimi fillestar do të jetë rënia e audiencës për të gjitha faqet online. Portalet me buxhete të vogla dhe pa përmbajte origjinale rrezikojnë të shkojnë drejt mbylljes. Këtij “tërmeti” të audiencës do ti rezistojnë portalet që prodhojnë përmbajtje multimediale, e akoma më shumë ato faqe me financa “të shëndosha”.

Please follow and like us: