Albspirit

Media/News/Publishing

Brikena Prifti: Unë jam jashtëzakonisht e babëzitur…

 

Jam e babëzitur për të parë më shumë njerëz që i drejtohen materniteteve dhe jo spitaleve.

E babëzitur për të parë qytetin ku kaloj përditshmërinë time të gumëzhijë nga bashkëmoshatarë të mitë, jo që rrinë kafeneve duke projektuar të ardhmen e tyre në ndonjë vend të largët jashtë Shqipërisë, por që vrapojnë entuziast për në punën që kanë dëshiruar gjithmonë të bëjnë… Jam e babëzitur për të parë njerëz që përqafohen fort, edhe pse janë takuar qoftë edhe një ditë më parë.

Dhe po, jam e babëzitur e pranoj… e babëzitur edhe për një telefonatë apo mesazh nga ajo shoqja e klasës që ka vite pa më parë por do të dijë më shumë sesi më ecin gjërat dhe nuk nguron të shpreh se e ka marrë malli.

Jo, jo nuk jam egoiste. Eh sa herë e kam të nevojshme edhe unë ta bëj këtë gjë… Sikur të mos ishim pjesë e një realiteti kaq banal do doja të jepja më shumë përqafime, të falja më shumë ngrohtësi gjithkujt që shoh se e ka të nevojshme, pa patur komplekse se kjo gjë mund t’i duket e çuditshme teksa e mbron veten me atë mburojë për tu dukur i fortë para gjithkujt…

Babëzia ime shkon deri aty sa shpeshherë më ndodh të kem dëshirë t’i drejtohem edhe atyre azileve të të moshuarve e të kaloj disa orë duke biseduar e duke ua dëgjuar historitë që duket sikur kanë gjithë energjitë e botës për t’i treguar. Dhe oh zot, sa histori dëgjon aty, histori që ndonjëherë mendon po t’ia tregojë ndonjë regjizori kushedi çfarë filmi të suksesshëm do realizonte me to.

Sa do doja edhe që t’i flisnim më butë atij lypsit në rrugë që duket sikur ka gjithë peshën e jetës hedhur supeve, e me ato sytë e mëdhenj të shohin sikur ti je njeriu që mund t’i fal gjithë botën, ndonëse ti për pak sekonda kthehesh sërish në kalimtarin e radhës që i injoroi, sepse mjerimin e këtij vendi tashmë e shohim si diçka të zakontë.

Se di pse sa herë kaloj para tyre, më vjen në mendje një shprehje që e lexoj shpesh edhe nëpër rrjete sociale: “Njeriu kur ndjen dhimbje, është i gjallë… por kur ndjen dhimbjen e tjetrit, atëhere është njeri”… dhe prapë mbetem një e babëzitur kur mendoj se do doja të shihja për të gjithë më pak frikë dhe më shumë shpresë, më pak lot e më shumë dhembshuri, më pak frikë e më shumë dashuri…dhe ufff sa shumë babëzì, kur dua të shoh kudo me pak dhimbje e më shumë lumturi…?

Please follow and like us: