Albspirit

Media/News/Publishing

Doruntina Thaçi: Çfarë pamë në zgjedhjet lokale?

Nëse për asgjë tjetër nuk kanë dalluar zgjedhjet lokale të 22 tetorit të këtij viti me zgjedhjet paraprake, në këto zgjedhje përfundimisht ranë disa nga bastionet e partive politike, ku e kanë pasur “hambarin” e votave.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për herë të parë në të dielën e parafundit të tetorit e pa se Istogun, vendlindjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, nuk e ka me “tapi” dhe se zgjedhjet në këtë komunë nuk do të mund t’i fitojë vetëm duke u thirrur në emër të ish-presidentit, njëjtë siç i ndodhi edhe me Podujevën, ku që nga paslufta asnjë parti tjetër nuk ka mundur t’i bëjë konkurrencë në zgjedhje.

Edhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e njëjta gjë i ndodhi me Shtimen dhe me Vushtrrinë, ku për disa mandate i drejton këto dy komuna.

Fitoren e thellë që e shënoi në zgjedhjet e fundit parlamentare në Anamoravë nuk e shijoi shumë gjatë lëvizja “Vetëvendosje”, pasi që në Gjilan kandidati i saj është i dyti me vota, pas kandidatit të LDK-së, ndërsa në Viti dhe në Ferizaj kandidatët e partisë më të madhe opozitare as që arritën të futen në balotazh.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vazhdimisht po bën përpjekje të mëdha që ta kthejë Pejën, por që kandidati i LDK-së më 22 tetor fitoi pa balotazh, përderisa në Gjakovë fitorja e kësaj partie do të dihet vetëm në zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit.

Pra, pa kandidatë të fortë për kryetarë dhe pa një program të qartë si do të qeverisin për katër vjetët e ardhshme partitë politike që në të ardhmen as që do të duhej ta nisin garën komunale pasi që rezultati do të jetë shumë i pafavorshëm, njëjtë si për shumë prej tyre më 22 tetor.

***

Këtë herë betejës komunale iu futën edhe ministra e deputetë. Ndonëse mbanin pozita të larta në institucionet qendrore, ata ia mësynë garës edhe për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, duke pretenduar kështu që ta marrin udhëheqjen e komunave përkatëse.

Por, pjesa dërrmuese e tyre dështuan qysh në start në këtë mision. Dy ministrat e Nismës për Kosovën, Shyqyri Bytyqi (ministër i Arsimit) dhe Bajram Hasani (i Tregtisë e Industrisë), nuk arritën ta kalojnë as rundin e parë të zgjedhjeve.

Një ministër tjetër, ndonëse drejton njërin nga sektorët më të rëndësishëm, Shëndetësinë, e cila ka probleme të mëdha, i hyri garës edhe për asamble komunale.

Përveç ministrave në garë për udhëheqje komunale ishin edhe deputetët: Qëndron Kastrati, Arban Abrashi, Mytaher Haskuka, Sami Kurteshi, Gani Dreshaj, Mimoza Kusari Lila e Agim Aliu, që shkuan në balotazh, përderisa deputetët Zafir Berisha, Faton Topalli, Sali Salihu, Zenun Pajaziti e Emilia Rexhepi dështuan keq në zgjedhje.

Në debatet e medieve të zhvilluara për një muaj rresht u vërejt që deputetët dhe ministrat i hynë garës për t’ia bërë qefin partisë dhe për të mbledhur kinse më shumë vota në komunat përkatëse.

Përpos kandidatëve për kryetar/e të komunës, ajo që ra në sy më shumë në këto zgjedhje ishte edhe numri i madh i kandidatëve për kuvend komunal, ku pjesa dërrmuese e tyre ishin me diploma bachelori e masteri, por pa ndonjë vend pune.

Synimi i tyre për t’u futur në kuvend komunal u pa si tendencë për ta siguruar një pagë mujore dhe jo që ia kishin fort idenë se cilat do të jenë detyrat e tyre dhe si do të kontribuojnë për komunitetin. Fushata e tyre më shumë ishte në nivel lagjesh dhe rrjetesh sociale, ku i bashkonte motoja “Do të jem zëri juaj”.

***

Këtë herë, si edhe në fushatat e zgjedhjeve të kaluara, të papërmirësueshme ishin partitë kur vjen puna tek përfshirja e barabartë gjinore. Pjesëmarrja e grave në garë në krahasim me burrat ishte minimale, saktësisht vetëm 7 gra kandidate në mesin e 200 kandidatëve.

Përveç numrit të vogël të kandidateve për kryetare të komunave, i vogël ishte edhe numri i grave që morën pjesë në fushatë, përkatësisht 15%. Madje aq larg shkuan kandidatët burra, të cilët për katër vjet qeverisje kishin një ose dy drejtoresha gra, në fushatë premtuan 50%  të drejtorive për gra.

Një gabim tjetër që e bënë pothuajse të gjitha partitë ishte edhe përfshirja e madhe e fëmijëve në fushatë.

Për këtë lëshim organet kompetente i prekën në “xhepa” partitë politike, por pavarësisht dënimeve që i kanë marrë sërish u vërejt përdorimi i fëmijëve në mënyrë të organizuar, të cilët barten materialet propaganduese të subjekteve politike, që garuan në zgjedhje.

Përfundimisht fushata zgjedhore do të ishte më cilësore nëse kandidatët do të fokusoheshin në projekte konkrete dhe jo në akuza personale ndaj njëri-tjetrit.

Nëse do të ofrohej hapësirë e barabartë politike për gratë dhe burrat dhe nëse do të respektoheshin rregullat e fushatës (mospërfshirja e fëmijëve, gjuha e urrejtjes…), për të cilat partitë u dënuan mijëra euro.

Duke mos bërë strategji të tilla për zhvillim e duke mos nxjerrë kandidatë të përgatitur profesionalisht shumë nga subjektet politike jo që dështuan keq në komuna të caktuara, por i rrezikuan edhe bastionet e veta./Zeri/

Please follow and like us: