Albspirit

Media/News/Publishing

Poetesha Irma Kurti, çmim i parë në Amerikë

 

 

 

 

Poetja e mirënjohur Irma Kurti vlerësohet me çmimin e parë në Edicionin e 16-të të Manifestimit Kulturor “Ditët e Letërsisë Shqipe” në Michigan të Shteteve të Bashkuara. Kjo veprimtari që organizohet nën përkujdesjen e autorit dhe botuesit të revistës “Kuvendi” Pjetër Jaku është një nga më të realizuarat jashtë Atdheut që dallohet për pjesëmarrje masive krijuesish nga të gjitha trojet shqiptare.

Vetëm disa muaj më parë Irma Kurti u vlerësua me një tjetër çmim të parë në konkursin letrar ndërkombëtar: “Posedonia Peastum” në seksionin e poetëve të huaj në Paestum, Salerno për librin me poezi në gjuhën italiane “Senza patria” (Pa atdhe).

“Kënaqësia e këtij vlerësimi”, thotë Irma “është jo vetëm pse vlerësohet krijimtaria në gjuhën shqipe dhe prioriteti im ka qenë dhe është lexuesi shqiptar, po edhe se ajo hedh poshtë idenë që kisha krijuar se për të fituar në rrethet letrare shqiptare duhen ‘njohje dhe ndërhyrje’. Ky lajm të cilin ma dërgoi menjëherë pas shpalljes së fituesve mikja ime e dashur virtuale, poetja Raimonda Moisiu, mbërriti tek unë natën. Gëzimi që ndjeva ishte i papërshkrueshëm dhe s’munda të fle përsëri, por… ishte një pagjumësi e bukur”.

Irma Kurti është fituese e dhjetra çmimeve letrare në Itali dhe në Zvicër për poezinë dhe prozën e saj. Është shpallur “Poetja Shqiptare e vitit 2015” nga Qendra P.E.N e Shqipërisë.

Ka botuar 15 libra në gjuhën shqipe dhe nëntë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Jeton prej vitesh në Bergamo të Italisë.

 

 

Please follow and like us: