Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA armatos Japoninë, Trump: Mund t’i godasë në ajër raketat e Koresë së Veriut

 

Japonia sipas Donald Trump mund t’i qëllojë raketat koreano-veriore në ajër me pajisjet ushtarake të blera prej Shteteve të Bashkuara.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp në Tokio, presidenti amerikan u shpreh se, kryeministri japonez Shinzo Abe duhet të marrë një sasi të madhe pajisjesh ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, gjë që do të sjellë sipas tij siguri për Japoninë dhe vende të reja pune për amerikanët.

“Kur ta bëjë këtë blerje, ka për të goditur lart në ajër raketat e Penianit. Do ta shihni”, tha Trump.

Abe u shfaq i hapur ndaj sugjerimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë e u pajtua me komentet e tij, se Japonisë i duhet t’i përforcojë aftësitë e saj mbrojtëse, ndërsa u kujdes të sqaronte se qeveria e vet gjithmonë blen armë nga Shtetet e Bashkuara.

“Mbrojtja raketore është diçka që mbështetet te bashkëpunimi legjitim mes dy vendeve tona. Nëse do të jetë e nevojshme që të rrëzojmë një raketë, patjetër që do ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Abe.

Nisur nga situata e vështirë me Korenë e Veriut, forcimi i mbrojtjes japoneze duhet realizuar – sipas kreut të ekzekutivit në Tokio, – si në nivel sasior, ashtu dhe në drejtim të cilësisë.

Dy muaj më parë, Trump pati shkruar në “Twitter” se do t’u lejonte, si Japonisë, ashtu edhe Koresë së Jugut blerjen e armatimave tejet të sofistikuara nga Amerika. Japonia nuk ka një ushtri profesionale, por e detyruar nga Kushtetuta e saj e pasluftës mbështetet vetëm në një të ashtuquajtur “forcë të vetëmbrojtjes”, gjë të cilën Abe synon ta ndryshojë.

Vizita e kreut të administratës amerikane në këtë vend vjen në vazhdën e turit të tij 11-ditor në Azi, i pari i miliarderit në rajon si president i Shteteve të Bashkuara.

Please follow and like us: