Shqiptarët presin kapjen e “krapit të madh”
Para disa ditësh ambasadori amerikan Lu tha se në Shqipëri veprojnë 4 klane mafioze dhe 20 familje mafioze. Ndonëse e vonuar dhe e pamjaftueshme kjo deklaratë u mirëprit nga qytetarët shqiptarë të cilëve ju ka ardhur shpirti në majë hundës nga lajmet e përditshme me kriminelë, banditë, trafikantë.
Reagimet ishin nga më të ndryshmet. Pati shumë analistë, gazetarë, opinionistë, aktivistë të shoqërisë civile e madje qytetarë të thjeshtë që u deklaruan se do të kishin preferuar një deklaratë më të fortë dhe më konkrete, sidomos për të stigmatizuar lidhjet e këtyre “klaneve e familjeve mafioze” më shtetin, qeverinë, politikën.
Ndërkohë shpërtheu skandali Tahiri i paprecedentë në historinë politike të këtyre 27 vjetëve. Një skandal që do të nxirrte në dritë të diellit lidhjet tashmë ekzistente e të forta mes krimit e trafiqeve me qeverinë Rama dhe më konkretisht me ish-ministrin e brëndshëm. Të gjithë prisnin që kuvendi ti hapte rrugë drejtësisë, por Rama, mesa duket i shantazhuar nga Tahiri, por edhe nga trafikantët e kriminelët, i mbylli rrugën drejtësisë duke mbrojtur Tahirin. Të cilin në fakt disa muaj më parë e kishte “shitur” duke e larguar nga qeveria e parë dhe duke mos e angazhuar në qeverinë e dytë, kjo për shkak mesa duket të “fakteve e provave” që kishin vendosur në tavolinë e kryeministrit partnerët ndërkombëtarë. Kurse ambasadori Lu heshti. Ndërsa ambasadorja Vllahutin bëri një deklaratë të çuditshme duke thënë se “nuk shprehemi për një çështje të brendshme të PS..”, e cila u perceptua si një mbrojtje ndaj Tahirit. Më e habitshmja ishte se të dy këta përfaqësues të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtarë, shumë aktivë për reformën në drejtësi, nuk shprehën asnjë mbështetje për Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Por Tahiri i zhytur mesa duket shumë thellë në prapësitë e pashembullta nuk do të mund të fshihej qoftë edhe një javë, sepse do të shpërthente skandali i dytë. Ndaj të cilit pritet reagimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndërkohë që ambasadori LU dhe ambasadorja Vllahutin përsëri heshtën, ndërkohë që Rama është “fshehur”.
Sot në një aktivitet ku u prezantuan dy përfaqësues të FBI, Ambasadori Lu do të mbante një fjalë kur ndër të tjera do të artikulonte dy konkluzione, tashmë të njohura nga publiku shqiptar:
Së pari ambasadori Lu do të shprehej për lidhjen e fuqishme të krimit me politikën dhe politikanët. Por pa përmendur në mënyrë konkrete asnjë emër politikani të lartë, vendor apo qendror, të lidhur me klanet dhe familjet mafioze, ndonëse në bazën e tyre të dhënave rezultojnë “prova e fakte” kokëforta.
Dhe së dyti, ambasadori Lu do të shpaloste axhendën e madje kalendarin e kapjes së “peshqve të mëdhenj” të politikës të implikuar në korrupsion dhe të lidhur me krimin. Por përsëri pa thënë asgjë për rastin Tahirin, apo për mbrojtjen që Rama i bëri Tahirit.
Ambasadori tha se “nuk do të ketë më të paprekshëm”, të njëjtën gjë që kishte artikuluar dy ditë më parë ministri i jashtëm italian. Por vetëm kaq dhe asgjë më shumë. Pra një deklaratë që qytetarët në shumicë përsëri e kanë vlerësuar të pamjaftueshme.
Shqiptarët presin më padurim që kjo betejë e pamëshirshme kundër korrupsionit, krimit dhe trafiqeve, e cila ju ka bjerrur shpresën, të fillojë së shpejti e të japë rezultatet e para. Shqiptarët të indinjuar nga gjendja e mjerueshme ekonomike e sociale dhe varfëria ekstreme, të cilën e lidhin kryesisht me lidhjet e qeverisë me korrupsionin, krimin e trafiqet, presin me padurim ndëshkimin jo vetëm të përfaqësuesve të rrezikshëm të klaneve e familjeve mafioze por shpërbërjen e lidhjeve të tyre të fuqishme me kryetarë bashkishë, ministra, deputetë e drejtues të lartë të administratës publike. Ata presin ndëshkimin e këtyre të fundit dhe konfiskimin e pasurive të tyre të paligjshme.
Mbi të gjitha, shqiptarët e të gjithë ngjyrave, të varfër por jo naivë, që e kanë shumë të qartë situatën shumë të trazuar në vend, pavarësisht përkatësive politike apo preferencave partiake, presin ndëshkimin e kumbarit të lidhjeve të politikës me krimin, korrupsionin e trafiqet. Ata presin ndëshkimin e “krapit të madh” që është ideatori, kumbari dhe dirigjenti i lidhjeve të krimit e trafiqeve me shtetin dhe drejtuesi i korrupsionit elitar.