Triumfi letrar i Kadaresë
Maxim Biller: NOBELIN PËR MUA E KA MARË KADARE
Romani “Muzgu i perëndive të stepës” dy vite pas botimit në SHBA e Britaninë e Madhe dhe rreth 30 vjet pas botimit në Francë ka arritur më në fund edhe në Gjermani. Ky është romani i 15-ë i Kadaresë që shtëpia botuese «Fischer Verlag e Frankfurt-it» i jep lexuesit gjerman në dorë. Deri më tani, në gjuhën gjermane, shtëpi të ndryshme botimi në Gjermani, Zvicër e Austri kanë botuar gjithsej 23 libra të shkrimtarit Ismail Kadare. Njëri nga këto si “Vjedhja e gjumit mbretëror” përmbledh disa vepra bashkë. Brenda kopertinave të tij janë tregime, novela e romane të shkurtëra të Kadaresë si “Prometheu”, “Nata e sfinksit”, “Shtërgu”, “Qorrfermani”, “Shkaba”, “Përballë pasqyrës së një gruaje”, “Vajza e Agamemnonit”, etj. Si të gjithë romanet e tjera të Kadaresë kritika dhe lexuesi gjerman e ka pritur edhe romanin e fundit me një entuziazëm tepër të madh.
Ndërsa veprat e tjera të Kadaresë i janë prezantuar publikut përmes gazetave dhe periodikut gjerman, radios dhe televizionit dhe janë thënë për to fjalët më të mira, prezantimi i librit të fundit “Muzgu i perëndive të stepës” ka arritur kulmin, sepse është prezantuar në emisionin special për letërsinë: “Das Literarische Quartett” të kanalit televiziv ZDF, i cili përbën Olimpin e mediave gjermane përsa i përket letërsisë.
Ky emision që arrin kuotën e 1,5 milion shikuesve është pa dyshim platforma më e mirë e mundshme për prezantimin e një vepre letrare. Moderatori i tij, gazetari i “DER SPIEGEL”-it Volker Weidermann, i cili njëkohësisht është edhe autor i shumë librave, në mesin e tyre edhe i bestsellerit “Ostende 1936, vera e një miqësie” me shkrimtarin tjetër dhe kolumnistin e të përjavshmes “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” Maxim Biller, moderatoren dhe shkrimtaren Christine Westermann dhe një mysafir që zakonisht është një shkrimtar a studiues i letërsisë zgjedhin për një edicion vetëm katër librat e botuar së fundi në gjermanisht. Kësaj here, i ftuari i emisionit televiziv ishte shkrimtari njohur austriak Thomas Glavinic.
Maxim Biller që e paraqiti romanin tha se Ismail Kadare bashkë me Milan Kunderan, Murakamin dhe Philip Rothin “është njëri nga rrëfimtarët e mëdhenjë të shekullit XX.” Biller tha më tej se Kadareja de facto është fituesi i Nobelit dhe jo Bob Dylan, por se “fati i tij i keq është se ai është vetëm një shkrimtar shqiptar”. Duke folur për përmbajtjen e romanit “Muzgu i perëndive të stepës”, Biller tha se “ngjarjet zhvillohen në Moskën e vitit 1958 në mesin e studentëve të letërsisë. Shumë prej tyre vijnë nga republikat sovjetike, disa nga vendet e huaja komuniste mike. Rrëfimtari në vetën e parë njejës ka shumë tipare biografike të përbashkëta me Ismail Kadarenë, i cili në të njejtën kohë si shqiptar ka studiuar në Moskë, por që pak kohë më vonë atij iu desh të largohet, sepse Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik nuk grindeshin.” Biller tha më tej se “në rrjedhën e kësaj historie ku natyrisht shfaqet edhe dashuria, letërsia, etj., ai zgjohet krejt ngadalë, para së gjithash, nga bindjet e tij komuniste. E gjitha shkaktohet nga dy gjëra: së pari, për shkak se Boris Pasternaku për “Doktor Zhivagon” e merr çmimin Nobel dhe në ditën tjetër, në po atë ditë menjëherë propaganda sovjetike fillon të godas nga të gjitha tytat, duhet thënë në të njejtën mënyrë si Putini sot, kundër Pasternakut. Fshatarët e kolhozeve (kooperativave), që kurrë nuk e kishin lexuar një rresht, deklarojnë se Boris Pasternaku është armik i komunizmit. Të gjithë shkrimtarët e Institutit të Letërsisë hidhen, menjëherë, kundër Pasternakut.
Kjo është njëra linjë, linja tjetër: Ai, si shqiptar e sheh vehten se si kthehet në outsider. Mua ky libër më ka bërë pafundësisht të lumtur…! Gjithçka aty i ka shkuar për dore autorit, kjo gjuhë jashtëzakonisht melodike, kjo gjuhë pafundësisht melodike, kjo gjuhë poetike, konstruksionet fund e krye gracioze, por që janë megjithatë krejt të ndërgjegjshme, dramturgjia… Këta pesë kapituj që në dukje s’kanë të bëjnë me njëri-tjerin, por që gërshetohen mes veti, gjithçka bie në vendin e vetë. Para së gjithash, thotë njëra nga figurat në libër, kjo botëdhembje universale [Weltschmerz] që nuk shprehet hapur, njeriu e ndjen këtë dhembje. Më e mira këtu është se ai nuk është aspak pesimist, ai e do jetën, ai është optimist. E tëra kjo më ka prekur pa masë”.
Sipas shkrimtarit gjerman ky libër është libër “duhet lexuar patjetër sot, sepse në këtë libër bëhet fjalë, si pothuajse në të gjitha romanet e Kadaresë, për njerëzit në sistemet totalitare dhe si ata nga frika, karrierizmi, vaniteti, bashkëpunojnë dhe kthehen kështu në maskarenj”.
Biller vazhdoi se “botuesi gjerman e ka gjetur momentin e duhur për botimin e këtij libri «kundër luftës», e cila edhe në kohën tonë përbën një rrezik imediat, prandaj “ky libër duhet lexuar sot. Unë jam i gëzuar që shtëpia botuese Fischer Verlag tani e ka publikuar këtë libër dhe jo para tetë vitesh, sepse ndoshta atëherë edhe nuk do ta kishim kuptuar fare. Sot ai është një libër për të sotmen”.
Edhe Christine Westermann u ndal në disa pjesë të librit. Ajo tha: “disa pjesë i kam lexuar me shumë kënaqësi. Ka një vend, si shembull: Ai duhet të telefonoj me një mikeshën e tij , duhet të hyjë në një kabinë telefonike dhe asaj i vjen tmerrësisht erë e keqe tym duhani, edhe receptori kutërbon nga era e tymit, ai mendon se këtu sapo ka ndodhur një ndarje dramatike dhe që dikush ka pirë duhan me të vërtetë shumë. Si i krijon ai këto figura, si e rrëfen trishtimin e dimrit moskovit, si e rrëfen pasigurinë e njerëzve, si e rrëfen këtë historinë e Pasternakut, kjo është me të vërtetë madhështore. Këtu kam kuptuar shumë gjëra, por herë pas here nuk mund të mos i bëja pyetjen vetes: Pse Biller e ka zgjedhur pikërisht këtë libër?” Westermann tha se Biller-i e kishte zgjedhur këtë libër për ta prezantuar një ditë pas shpalljes së çmimit Nobel sepse kishte pasur bindjen që Ismail Kadareja do të ishte fituesi i këtij cmimi sivjet. Në fakt Maxim Biller që në fillim tha se Kadareja është nobelisti i sivjetmë dhe jo Bob Dylan dhe pastaj këtë konstatim e argumentoi me ato që u thanë më sipër.
Edhe moderatori Volker Weidermann foli si dy parafolësit: “Unë jam i entuziazmuar nga libri! Nga dhimbja universale nuk besoj se gjeta në roman, por një dhimbje krejt konkrete dhe, besoj se ajo është përshkruar në mënyrë tepër mjeshtrore. Së pari, nuk bëhet fjalë për jetën nën diktaturë, por para së gjithash bëhet fjalë për shkrimin nën një diktaturë. Ata jetojnë në një shtëpi pushimi, në vonë në një hotel, në institut dhe ky është një tubim masiv i shkrimtarëve, të cilët janë takuar në një lloj purgatori, ata të gjithë e kanë tradhtuar vetëveten dhe artin e tyre. Është një lloj pakti ndryshe me djallin, janë pranuar kushtet që ka vënë djalli dhe, prandaj, nuk shkruhet gjithmonë ajo që do të duhej të shkruhej, natën pijnë alkool, dehen, ndodh syzheu i vjelljes, d.m.th. njerëzit i tregojnë historitë që vërtet do të donin t’i tregonin, por nuk munden. Dhe befasia më e madhe në këtë libër është perspektiva e tij: protagonisti që rrëfen vetë është një tradhtar, që ka tradhtuar vetë artin e tij. Nga njëra anë ai është viktimë, shtet i vogël, Shqipëria, e cila në këtë vit papritur është në armiqësi të hapur me Bashkimin Sovjetik, d.m.th. edhe gjuha e tij, ai është në rrezik real dhe në të njejtën kohë ai e njeh, shumë ngadalë, kjo pasqyrohet edhe në historinë e dashurisë që përshkruhet atje, tradhtinë e tij. Dhe si e bën këtë, ai identifikohet megjithatë me këtë tradhëtar të vogël, si lexues këtë e gjej absolutisht madhështore.”
Dy vite më parë botimin e romanit “Piramida” Hans-Jost Weyandt në një recension të shkurtër në “Spiegel online” e cilësonte “një triumf letrar”. Në prag të shpalljes së Nobelit në mediat gjermane është lakuar edhe emri i Kadaresë, ndërsa gazeta “Jo El Mundo” menjëherë pas shpalljes së emrit të nobelistit të ri për letërsi botoi një shkrim me titullin “Nobeli i Kadaresë” ku e kritikonte hapur Stockholm-in. Gazeta spanjolle shkruante se nëse dashamirët e letërsisë duan të lexojnë letërsi të mirëfilltë, atëherë ata duhet të lexojnë Kadarenë, librat e tij: “Daullet e shiut”, “Vitin e mbrapshtë”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Krushqit janë ngrirë”, “Koncerti”, etj. “Kjo është letërsi. Pjesa tjetër, si pothuajse gjithçka sot, është thjesht spektakel” përfundonte gazeta e Madridit, dukeshprehur hapur pakënaqësinë që fituesi i sivjemë i Nobelit nuk quhej Kadare.
Nentor 2016