Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Miranda Içi

Mbaj kurmin tënd në krahë.
Shoh sytë e tu pajetë.
Frymë e fundit shkruan
në ajrin akull të vjeshtës, lamtumira pakuptim.
Të lutem mos,
në duart e mia mos jep shpirt.
Në ç’varr ëndrrash të të vë në gjumë?
Me se t’i mbuloj hiret e tua?
Mbi cilat lule të shpërndaj hirin e purpurt
të puthjeve që s’më ke dhënë?
Me cilët lot të të qaj dashuri?
Sytë janë mbytur,
rrathëve të zinj të netëve ferr duke të pritur.
Sa kam frikë të shoh imazhin tim në pasqyrë.
Piva me etje pikën e fundit të shpresës.
Vdes ngadalë fjala në mbretërinë e heshtjes.
Rekuiem loz era me flokët e mi.
Taka cinike,
shkelin gjethet e kuqëremta kësaj vjeshte.
Si koha mospërfillëse shkeli mendimin për mua, tek ty.

 

Sipari ra

Gishta delikatë ulin kapakët e qiellit, sonte.
Valsi i tyre mbi tastierën e shpirti, u ndal.
Është stinë lamtumirash, shtegëtimesh, ikjesh.
Një derë, të qe përplasur me zhurmë, dreqi e marrtë…
Pluhur i hirtë trishtimi, nisi të bjerë.
Dimrat e akullt zgjatin me shekuj.
Ndaj, kujtimeve po ju hedh çarçafë të bardhë.
Heshtja fishkëllen në kor nepërkash.
Sytë rrahin krahët, vështrimet zgjatin duart ethshëm.
Fjalët kafshojnë gjuhën, bluajnë një…mos ik.
Gishtat e përgjakur varrosin brenda shamisë,
reflekse të thyera puthjesh në frymë të fundit.
Shamia ka parfumin e drithmës time të parë.
Qëndisur me emrat Unë dhe Ti përgjithnji.
Jehona përgjithnji,
përplaset brenda qenies time bosh.
Dergjet e përgjakur, përpëlitet mes nesh në agoni.

 

Ndjesi

Fjala theu një send.
Një send pa emër.
Një send pa formë.
At’ sendin e padukshëm nga sy kalimtarë dhe njerëzve të rëndomtë.
U ngul aty mes nesh fjala.
Hapi themelin e murit të heshtjes.
Më të lartë se ai i Berlinit,
mur i fortë, i drejtë
me kulla vrojtuese dhe tejqyra zgjatur,
si atavizëm i një bote ku jetojnë përbindsha.
Ka mure me famë bota.
Mure ndarës … ndarës deri në harrim.
Asnjëri nuk i afrohet murit
ngritur mbi fjalën që thyen përbrenda
dhe njeriun e ul në gjunjë.

 

Duke kaluar pranë varrezave

Ata ikën
Veshur me të zeza.
Dolën njëri pas tjetri ,
duke fshirë dheun nga këpucët.
Rreshtin e printe njëra që kërkonte koshin e plehërave për të hedhur shaminë e mëndafshtë.
Varrmihësi rregulloi lulet.
Drejtoi pllakën me emrin e sapo shkruar.
U ul tek këmbët e tij,
ndezi një cigare dhe psherëtiu.

 

Netëve

Kur qetësia përpin botën.
I trembem…
Zërit të mendimit.
Ngrohtësisë së shpresës.
Miqësisë me urrejtjen.
Akullit të indiferencës.
Humnerës së harresës.
Iluzionit të ndryshimit.
Heshtjes së fjalës.
Forcës së lotit.
Moskthimit të besimit.
Gravitetit të kujtimeve.
Pafundësisë së natës.
Etjes për të nesërmen
dhe…guximit
për t’u përballur me sfidat,
si Njeri.

Please follow and like us: