Albspirit

Media/News/Publishing

Greta Beqiri: Moj Tiranë, të kam bërë lanet!

 

 

Zgjohem nga gjumi në një ditë të zakonshme për të nisur rutinën time. Ngadalë hap dritaren për të oksigjenuar mushkëritë me pak smog mëngjesor tiranas, ashtu të servirur me ca zhurmë trafiku dhe ulërima trapanësh që hapin themele pallatesh. Një moment ndal, zgurdulloj sytë sipër dhe… Mos shi!

Mjergulla ka mbuluar skëterrë atmosferën, qielli është ngrysur dhe pikon papushim. Duket romantike në pikëpamje të parë por, këto kushte atmosferike kanë vetëm një fjalë për konkluzion, përmbytje, të cilat në këtë vend janë bërë si të “shpisë”.
Jemi familjarizuar aq shumë me fatkeqësitë, saqë kemi filluar i marrim me sportivitet dhe tallje. Ah, mor’ popull i gjorë, gjithë jetën sa krahu mbetën duke të ta fut’, e ti sërish mbi 1000 krye hallesh vazhdon e zbardh dhëmbët.

Kjo është Tirana, metropoli me këmbëza dërrasash të çmontuara, me kanalizime që përdoren për mbjellje palmash, me puseta pa kapakë, të mbushura plot me plehra. Tirana europiane me mentalitet fshtaresk, me kazanë të lyer që s’u derdhën kurrë, me urbanë plot sardele, me një kryetar Pinok dhe një Lanë që kundërmon. Tirana e shumë premtimeve dhe e asgjësë, e trotuareve dhe rrugëve plot gropa… Tirana… Tiranë moj! Të kam bërë lanet!

Por Tirana ul kokën dhe hesht! I shkulin flokët dhe sërish hesht!
Në këtë Tiranë për të cilën po u flas, sapo fillon të bjerë një dorë shi, bëhet Venecia e shkuar Venecias! Po në verë gondolat, ku i parkoni?

Kemi bukuri te rralla shprehen bashkëkombasit, e nga krahu tjetër ia mbathin me te katra diku tjetër për një jetë më të mirë. Kurse ne që ende kemi mbetur këtu, kemi filluar të lidhim kokën me shtatë peshqirë! Por hallin s’e kemi me shiun drejtëpërdrejtë, është si ai muhabeti: “S’i bie dot gomarit i bie samarit”. Gomarin e kemi gjetur, por unë po vazhdoj ende ti bie samarit, shiut domethënë. Nuk e dimë, ose qepim gojën se nuk duam t’ia dimë se kush është fajtori në këtë mes që s’bën dot dy kanalizime për të qenë, që të paktën të mos përmbytemi qoftë edhe njëherë të vetme në historinë e shirave. Faji është jetim normalisht, dhe sërish ne thjesht vazhdojmë me sytë lart nga qielli të themi: -” O Zot mbaj doren!”

Shiu është pjesë e natyrës, por kur vjen puna për shi në Tiranë, njerëzia vë duart në kokë. Për ne shiu është mortja e së keqes, mallkimi që të përmbyt shtëpitë dhe rrugët, dora e ligë që të lë në terr pa energji elektrike, shtrëngatë dhimbjesh së të ftohtit nga mungesa e kushteve.
Mllëfet e mia janë të panumërta për shiun që bie në Tiranë, ndaj sot vendosa t’i bëj lanet të dy bashkë!
Se jo vetëm në dite me shi, por edhe kur të dalë sërish dielli, këtu hi e shkrumb i zi do të jetë.

[…] E për të mos vijuar me 1000 halle të tjera, se si gjithmonë në vesh të shurdhër do bjenë, madje edhe këtë shkrim që po le këtu, s’është se do e vejë ujin në zjarr njeri, por unë thjesht po ‘vras’ kohën, ashtu si çdo banor tjetër i këtij vendi mesele, me shpresën që jashtë të pushojë shiu dhe të dal nga pragu i shtëpisë.

Please follow and like us: