‘Portalet e krimit’, që përmend Xhafaj dhe ‘portierët e inkriminimit’
Ministri Xhafaj është një zyrtar serioz. Pikë së pari, ai, ndryshe nga e gjithë qeveria e tij, nuk çohet në mëngjes me ‘ereksion të fortë publicitar’; do të thotë nuk e pret agimin me idenë e sa herëve do të dalë nëpër kronika televizive, dhe rrjedhën e cilave ngjarje do të ndryshojë, që ta bëjë, atë apo institucionin që drejton, të duket i purpurt në lavdi.
Për këtë e meriton një përshëndetje.
Thënë këtë, nuk mund të ikte pa vënë re një deklaratë e së hënës, thënë nga vetë i përmbajturi z. Xhafaj, sipas së cilës krimi po përdor portalet, televizionet apo rrjetet sociale për të manipuluar opinionin publik.
Më mungon guximi, por jo dijenitë për të pranuar se po, ka gazetarë, pronarë portalesh, gazetash, në mediat e të cilëve elementë të botës së krimit kanë akses, lidhje të ngushta, kryejnë e marrin porosi, për atë apo këtë qëllim.
Sadokudo ky fakt i jep prerjen e vet të errët botës së medias, mbetet sërish vite dritë larg rrezikut të njëmendtë, që është tjetër. Krejt tjetër. Jo krimi vetë, por Inkriminimi, që shfaqet dhe mbrohet përditë në media me intensitet të lartë, dhe kjo bëhet, jo se disa portale, televizione etj., janë bërë tribunë e krimit, por sepse ato transmetojnë komunikata, prononcime, intervista, përballje në panelet televizve, ku përfaqësohet inkriminimi politik dhe mednimi që, dashje pa dashje, e mbron atë.
Mbështetësit e opozitës në media, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, prej më shumë se dy vitesh, intensivisht dhe me forcë, i mëshojnë analizës së mbështetur në fakte të kanabizimit të vendit. Përballë kemi patur, në të gjitha panelet, fytyrat e vuvosura të pushtetit që, në shejtanbudallik mohonin, kundërshtonin, shfrynin, akuzonin.
Taktika e tyre kundër këndvështrimit ‘kanabisi e dëmton Shqipërinë si imazh dhe si ekonomi, përveçse dëshmon keqqeverisje dhe implikim të shtetit’, ishte hakërrimi: Po Lazarati, 21 janari, Gërdeci, e me radhë? A thua, të këqijat e të shkuarës ishin pasaporta me vizë për të ligat e të tashmes.
Një koleg, Skënder Minxhozi, është i vetmi ndër njerëzit e medias që bëri ‘mea culpa’ në Top Story-n e para një jave. “Kam gabuar me kanabizimin”, tha Minxhozi duke i bërë nder vetes dhe profesionit. Kolegë të tjerë nuk e kanë bërë, dhe gjasat janë, nuk e kanë ndërmend dhe as brerje.
Sa u takon pushtetarëve, dhe z. Xhafaj e di, ata vazhdojnë të këndojnë të njëjtin refren mohimi, i cili mbyllet me zotimin se kanabisin, ashtu si pararendësit analfabetizmin, varfërinë, fenë dhe veset prapanike do ta zhdukin me rrënjë. (Prisni e do ta shihni! Këtu do jemi!).
Kështuqë, z. ministër i Brendshëm, nuk janë portalet, outposti i krimit dhe fortesa e rrezikut që i mësyn Shqipërisë. Eshtë inkriminimi i politikës. Duke e pranuar mpleksjen e segmenteve mediatike me anti-shtetin, në çfarëdo mase qoftë, është me vend të thuhet se kjo vjen si pasojë e inkriminimit të politikës, nuk e shkakton atë./360grade.al