Albspirit

Media/News/Publishing

Hahn: Shqipëria në rrugën e duhur, integrimi të jetë objektiv kombëtar

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama se Shqipëria është në rrugën e duhur.

“Në vlerësimin tonë Shqipëria është në rrugën e duhur dhe aspirata europiane duhet të jetë një objektiv kombëtar që mbështetet nga të gjithë elementët, partitë politike, shoqëria civile e madje edhe media”, deklaroi Komisioneri.

Hahn përmendi edhe problematikat kryesore që shqetësojnë BE-në. Ai tha se ka patur arritje në luftën kundër kanabisit, e po ashtu përmendi edhe uljen e numrit të azilkërkuesve. Komisioneri përmendi Vettingun dhe pritshmëritë që BE ka tek ky proces.

Komisioneri deklaroi se vitin e ardhshëm do të organizohet një Samit për Ballkanit Perëndimor në Bullgari, 15 vite pas atij të Selanikut.

“Kjo tregon angazhimin e Bashkimit Europian për të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama tha se e njohu Komisionerin Hahn me luftën e qeverisë kundër kultivimit dhe trafikut të kanabisit.

“Biseduam për suksesin e qartë të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, i mishëruar në raportin analitetik të dalë pas monitorimit të qenësishëm të Guardia di Finanza dhe i konsideruar prej qeverisë shqipare si përmbyllja e fazës së parë”, tha Rama.

Rama thotë se njohu Hahn me objektivat për fazën e dytë.

“Ndamë me komisionerin objektivat dhe ambicien tonë dhe hapat që kemi planifikuar të bëjmë për t’ja dalë me sukses përmes task forcës speciale dhe operacionit Forca e Ligjit”, u shpreh ai.

Rama tha se të gjitha këto shërbejnë për të konsoliduar pozicionin e Shqipërisë karshi Brukselit, megjithëse deklaroi se, sipas tij, vendi ynë i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave dhe e meriton hapjen e tyre.

Please follow and like us: