Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir LEVONJA: Mirë ua bën

Këtu në Fort Lauderdale kam një familje tiranase, me të cilët ma ka ënda të pi kafen e mëngjesit. Kuptohet kur jemi pushim. Më shumë jam unë që u avitem, kjo edhe për faktin se ata kanë një kopësht të mrekullueshëm. I zoti i shtëpisë i do shumë pemët dhe nuk ka lënë soj pa mbjellur. Nga ato tonat që ia kanë sjellur me kalema në shishe plastike, deri tek drurët frutor të tropikut si avokato, starfrutin, mangot e plot të tjera. Një merakli tipik shqiptar, nga ai soji që e blen një prone me mendjen si ta meremetojë e ta bëj si ja do ënda.

Dhe ky, zot tiranas, shqiptar, i tillë është, si ajo kënga që thotë, “ç’të sheh syri ta bën dora”.

Një kopësht ku bleron veç paqja dhe qielli përsipër. Një shtëpi që dallon mes të tjerave, thjesht për atë se kush vë dorë, shplodh sytë e kalimtarëve. Mirëpo para ca muajve po ankohej për faturën e ujit. Nga ana tjetër i vinte keq të hiqte pemët, lulet, për më tepër një shegë Shqipërie që edhe pse nuk lidh kokrra për shkak të të nxehtit me tepricë, gjelbëron e i kujton kopshtijet e Tiranës. I dha karar punës, të hapte një pus e të zgjidhte një here e mire punën me faturat e ujit. Se këtu nuk të thotë njeri mjaft e harxhove ujin, përkundrazi të thonë harxhoje se aty e ke faturën, poshtë derës. Di që u lidh me një kompani shpimesh dhe si përfundim pusi u hap, u montuan dhe pajisjet sa po ta shohësh duket si një vepër arti, jo një pus me pompa e beton si ato që kanë mbushur banesat private, por edhe hyrjet e pallateve. Për atë shkak gangrene të zhvatjes së fondeve dhe keq menaxhimit të ujrave në Shqipërinë, që, sa mban mend kujtesa e çdo të gjalli. Ujë, ujë. Nuk ka ujë. Ujë pa lekë, uji vidhet. Hap një kanal, ça një xhade, shtro një tub, gërr e vërr.

U bëra kurioz pas deklaratës së shkëlqesisë sonë Edi Rama, për faturimet e pusave private, për shkak se uji është i të gjithëve. Qesha dhe mu kujtua ai filmi shqiptar ”I teti në bronz” kur dy misonarë të nacional çlirimtares i rrëmbyen kripën tregtarit dhe ia ndanë popullit me preteksin se ajo vjen nga deti dhe deti është i të gjithëve. E mora në telefon mikun dhe e pyeta nëse paguan faturë uji nga pusi që hapi. Për leje, që nxorri apo ajo, e të tjera si këto? Ma ktheu që lejen e siguroi përmes firmës që është e autorizuar për shpime. Dhe se faturë nuk ka kujt i paguaj veç korentit të shtëpisë. I thashë se kështu e ashtu, ai kryeministri ynë, atje në Shqipëri do faturojë puset për marrjen e ujit të të gjithëve nga familjet, a privatët. Dhe ai ma ktheu shkurt, se mire ua bën, ka gjetur. Ai është një i çmendur. E solla të gjithë këtë për të kuptuar jo marrëzinë e nismës Edi Rama, por susllëkun tonë social. Se sa do i ngrejë peshë buxhetit të shtetit, kjo tarifë, është një vlerë e pallogaritshme. Por zakonisht pushtetet i bëjnë këto për disa arsye.

  1. a) Ushtrimin e dhunës nga një njësh me qillota.
  2. b) Zhvendosjen e vëmendjes nga skandalet qeveritare.
  3. c) Rënia e pashmangshme në luftën brenda llojit.
  4. d) Mbajtja e pushtetit me çdo kusht për t’iu shmangur reformave.
  5. dh) Kthimin e restove aleancës kundërshtare, për ruajtjen e krahëve, e hapjen e krahut në një të ardhme jo të largët.

Kur një shtetar kërcënon me aplikim faturash nga gjithësia, qytetarëve u duhet thënë me gojën plot, mirë ua bën.

Please follow and like us: