Albspirit

Media/News/Publishing

Rama kërkon hapjen e negociatave, Hahn: Duhen fakte e prova, jo thashetheme

Nga godina e Kryeministrisë, komisioneri Johanes Hahn dhe kreu i qeverisë, Edi Rama dhanë sot një deklaratë të përbashkët për shtyp. Duke dashur të nxjerrë jashtë loje zërat për ngecje në procesin e negociatave me BE-në, Rama i tha Hahn se Shqipëria ka arritur sukses në luftën kundër kanabisit dhe krimit, ndaj meriton hapjen e negociatave të anëtarësimit. “Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm në kuadër të hapjes së negociatave për anëtarësimin. Shqipëria e ka nisur procesin e vettingut dhe diskutuam hapat që duhet të ndërmarrim së bashku. Diskutuam për suksesin në luftën kundër kanabisit, sukses i mëshiruar në raportin analitik pas monitorimit të Guardia di Finanzës si dhe për operacionin ‘Forca e ligjit’. Padyshim që sot jemi në kushtet ku mund ta themi me plotë gojë Shqipëria meriton hapjen e negociatave”, tha Rama. Por pa fjalë e la përgjigjia e menjëhershme e komisionerit për zgjerimin, i cili I kujtoi kryeministrit se procesi i negociatave bazohet tek faktet dhe jo tek thashethemet e aludimet. “Unë kam ardhur sërish pas disa kohësh për arsye se Shqipëria siç e dini po bën gjithë këtë punë dhe tani kemi ditët e medias. Kemi mundësinë që të diskutojmë me njeri-tjetrin për të qëndruar bashkë, për të bashkëpunuar. Cilat janë sfidat që kanë mbetur pa u trajtuar? Kur flasim për të gjithë procesin e negociatave është një fakt i bazuar tek meritat dhe ne bazohemi tek faktet dhe jo në thashetheme apo aludime. Vlerësimi ynë varet nga evidencat, provat dhe këto kanë rëndësi”, theksoi Hahn.

Please follow and like us: