Albspirit

Media/News/Publishing

Trump-Putin shtrëngojnë duart

Presidenti amerikan dhe ai rus Vladimir Putin shtrënguan duart dhe shkëmbyen disa fjalë të premten gjatë darkës së shtruar për nder të pjesmarrësve në samitin e bashkëpunimit ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit. Shtëpia e Bardhë u përpoq të premten të eliminojë spekulimet se Presidenti Trump mund të zhvillojë bisedime me Presidentin rus Vladimir Putin gjatë qëndrimit në Vjetnam për takimin ekonomik të Azi-Paqësorit. Të dy presidentët marrin pjesë në takim dhe mund të zhvillojnë një bisedë të shkurtër, por jo diskutime substanciale, shpjegon zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders. “Lidhur me takimin me Putinin, nuk ka pasur asnjë konfirmim për takim, dhe nuk do të ketë takim për arsye të mospërputhjeve në programet ditore të dy udhëheqësve, tha zëdhënësja Sanders përmes një deklarate. “Nuk është planifikuar ndonjë takim zyrtar mes tyre”. Megjithatë deklarata nuk eliminon mundësinë që dy udhëheqësit të zhvillojnë bisedime jozyrtare gjatë qëndrimit në Danang për takimet e Azi-Paqësorit. “Do të jenë të dy në të njëjtin vend. Mund të ndeshen me njëri tjetrin e të përshëndeten, ka mundësi. Por nuk ka plane në kalendar për takim zyrtar dhe nuk parashikojmë që të ketë takim të tillë”, tha Sanders. Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti duket se në një njoftim të premten i kundërvihet deklaratave të Shtëpisë së Bardhë, duke lënë të kuptohet se ka ende shpresa për një takim. “Kremlini thotë se vazhdojnë përpjekjet për një takim të mundshëm Trump-Putin,” thuhet në një njoftim të shkurtër. Pala ruse kishte nxjerrë më parë pikëpamje në dukje kundërthënëse lidhur me mundësinë e takimit. Ndihmësi i Kremlinit Yury Ushakov tha për agjencitë ruse të lajmeve se dy udhëheqësit do të zhvillonin bisedime, por agjencia e lajmeve Reuters citon zëdhënësin e Presidentit Putin, Dmitry Peskov sipas të cilit po diskutohej mundësia e zhvillimit të një takimi. Gjatë udhëtimit për në Danang të premten, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se kishte lexuar njoftimet e shtypit rus, por shtoi se nuk ishte vendosur asgjë. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duan përparim në një numër temash dhe se takimi do të ishte pa vlerë nëse Uashingtoni nuk mendon se do të ketë përparim. Një ditë më parë Sekretari Tillerson pohoi se Moska dhe Uashingtoni po punojnë larg skenave publike për një numër temash të vështira. Por ai la të kuptohej se mund të mos jetë momenti i duhur për një takim të dytë Trump-Putin, pas takimit të tyre gjatë punimeve të G-20 në Gjermani në korrik. Njoftohet se dy udhëheqësit biseduan përsëri atë mbrëmje, gjatë darkës së udhëheqësve të G-20. Biseda u zhvillua kokë-më-kokë, vetëm me praninë e një përkthyesi. Që nga ajo kohë, lidhjet mes Moskës dhe Uashingtonit janë keqësuar. Në gusht, zoti Trump u detyrua të miratonte sanksionet e vëna nga Kongresi kundër Rusisë. Kremlini u kundërpërgjigj duke urdhëruar reduktime të ndjeshme në stafin diplomatik në Rusi. Edhe Presidenti Trump ka përmendur mundësinë e një takimi tjetër kur u tha gazetarëve javën e kaluar se parashikon se do të takohet me Presidentin Putin në Vjetnam për t’i kërkuar ndihmë për të zgjidhur problemin bërthamor të Koresë së Veriut. Ai bëri një koment të ngjashëm gjatë takimit me presidentin kinez në Pekin të enjten. Sekretari Tillerson tha se zyrtarë nga të dyja vendet po diskutojnë edhe konfliktet në Siri dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme. Presidenti Trump ka thënë se shqetësimet për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016 mbeten një çështje e hapur në bisedimet me rusët. Studiues të marrëdhënieve ruso-amerikane nuk mendojnë se takimi mes dy udhëheqësve do të ishte ide e mirë në këtë moment delikat në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kritiku i Kremlinit Andrei Piontkovski, studiues në Institutin Hudson në Uashington, thotë se Presidenti Putin do të dilte më i fituar nga takimi me zotin Trump. “Do të ishte mirë që dy vendet të kishin marrëdhënie normale, por në realitet Putini po u bën sfidë Shteteve të Bashkuara kudo në botë, madje edhe brenda në Amerikë, gjë që, siç duket, në sytë e Presidentit Trump nuk shihet si diçka që bie në kundërshtim me vlerat demokratike, perëndimore”, thotë analisti Piontkovski për Zërin e Amerikës. Piontkovski mendon se do të ishte gabim të kërkohej ndihma e Kremlinit për kërcënimin koreano-verior. “Një gjë e tillë do të përbënte shpërfillje të faktit se një përparimin i madh në programin bërthamor të Phenianit është shënuar falë ndihmës ruse. Putini është një përkrahës shumë më entuziast i Kim Jong Unit se presidenti kinez. Ai do që Amerika ta pranojë se në skenën botërore ka një fuqi të re bërthamore”, thotë Piontkovsky. Charles Stevenson, zëvendës drejtor i programit për politikat e jashtme në Departamentin e Studimeve Ndërkombëtare pranë Universitetit Johns Hopkins në Uashington mendon se takimi Trump-Putin do të ishte i rrezikshëm për interesat amerikane. “Takimet në nivel presidencial mund të jenë të vlefshme për të sheshuar keqkuptimet dhe për të ndihmuar komunikimin larg kamerave dhe syve të publikut. Por ato mund të jenë shumë të rrezikshme nëse nuk koordinohen që më parë për të arritur në një mirëkuptim në një farë shkalle. Nuk jam aspak i bindur se Presidenti Trump ka eksperiencën apo njohuritë e nevojshme për të arritur ndonjë mirëkuptim substancial me Presidentin Putin”, thotë Stevenson.

Please follow and like us: