Shuhet Sava Kuqeshi,emblema e vuajtjeve dhe persekutimeve
Është shuar në moshën 105 vjeçare, Sava Kuqeshi nji nga gratë emblemë të vuajtjeve dhe persekutimeve… Nji përfaqesuese e denjë e gruas shqiptare, e qëndresës së saj dinjitoze në kohra, grua e njëmijë sakrificave, nënë e kultit të ndershmërisë dhe drejtësisë, zonjë sa e hekurt aq edhe e duarve te arta, mëmë e dashurisë pafund për fëmijët, nipat dhe sternipat e shumetë…
Nënë Savën në moshën 47 vjeçare, mbasi ia vrane burri dhe ia sekuestruan pasurine, me 8 fëmijë (i fundit 1 vjeç) e hodhën ne një kamp interrnimi… dhe sot ajo vdiq po në atë kamp internimi kur e sollën në vitin 1959… për të dëshmuar edhe me vdekjen e saj, se asgjë s’ka ndryshuar; për të dëshmuar se shoqatat e shumta të të përndjekurve politike, vetëm emrin e kanë të tillë sepse asnji vlerë për ta nuk kanë simbolet e qëndresës; për të dëshmuar se në Shqipëri mediat janë po aq qorre sa edhe vuve… për të dëshmuar me keqardhje se ne jemi pjesë e një turpi kolektiv që përditë e më tepër po hahet me bukë…
I lehte të qoftë dheu o grua e rrallë e Leskovikut, o nënë e gjithë atyre që pësuan padrejtësi dhe dhimbje pafund, po që nuk u nënshtruan kurrë prej saj, Ti Nënë Sava mbete etaloni më i përkryer që ndan të Mirën nga e Keqja, të Drejtën nga Padrejtësia, Të Vërtetën nga Mashtrimi, Lirinë nga Dhuna, Diktaturën nga Demokracia…
Nëse të ndëshkoi Diktatura dhe nuk të nderoi “Demokracia” tregon që nuk ka pasur demokraci!!! Nëse të përndjekurit nuk e mbështetën figurën tënde, për figurat e mijra Nënave shqiptare, tregon se nuk ka pasur të përndjekur të vertetë ndër ata që drejtuan… Nëse institucionet heshtën ndaj teje tregon se ata bënë nji lojë te ndyre demagogjike dhe nuk deshën kurrë që shoqëria shqiptare të pajtohej e te paqtohej me veten. Duke mbrojtur krimet, Ata nuk patën kohë të mbrojnë ty dhe Gruan Shqiptare!
Ngushëllimet më të sinqerta 8 fëmijëvë të Nënë Savës, dhjetra nipave mbesave e stërnipave të saj…
Unë do të kujtoj gjithnji ashtu si të kam dashur, si ajo gruaja me të zeza që rriste trëndafilë dhe dinte tua dhuronte trëndafilët atyre që me mirësi e nderonin…
Të përqafoj për të fundmen herë o Nënë Savë e dashur! Për ty kam luftuar në emër të mijra nënave dhe kam bërë për ty më shumë se për Nënën time, sepse ti meritoje shumë… sepse ti do të meritosh gjithnji shumë…
Kortezi: Jozef Radi, 11 nentor 2017