Albana Vokshi në PPE: Rama, presion mediave dhe gazetarëve
Albana Vokshi, deputete e PD dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Medias në një takim në Berlin në Forumin e Gruas së Partitë Popullore Europiane akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion ndaj mediave dhe gazetarëve për të fshehur skandalet e drogës dhe korrupsionit.
Vokshi ka folur rreth përkeqësimit të Lirisë së Medias në Shqipëri, ndërsa ka bërë të ditur se përgjimet e antimafias italiane provojnë blerjen e zgjedhjeve të 25 qershorit nga Rama.
Vokshi: ”Kryeministri i Shqipërisë po shantazhon dhe kërcënon gazetarët për të mbuluar skandalet me trafikun e drogës dhe aferat korruptive, të ministrave të rëndësishëm të Qeverisë së Tiranës. Përgjimet e anti-mafias italiane, tha Vokshi në fjalën e saj, vërtetuan denoncimet disa vjeçare të PD si dhe raportet e OSBE-ODIHR për blerje vote, kërcënime dhe trembje të votuesve nga anëtarë të organizatave kriminale. Për të kontrolluar publikimet e skandaleve qeveritare, Kryeministri po bën çdo përpjekje për të intimiduar lirinë e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes”.
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, kërkoi nga Forumi i Gruas së PPE të reagojë ndaj përkeqësimit të lirisë së medias. Në këtë takim, përvec Kryetares Doris pack, ishte edhe Dunja Mijatovic, eksperte për të Drejtat e Njeriut dhe Lirinë e Medias, e cila ka mbajtur deri ne 2016-ën postin e Shefes së OSBE për Lirinë e Medias.