CIA: Enver Hoxha në 10 vite futi në burg 10% të popullsisë…
CIA ka deklaruar se Enver Hoxha në 10 vitet e para të pushtetit futi në burg më shumë se 10 për qind të popullsisë. Në dy dokumente të deklasifikuar bëhet një panoramë e situatës politike, teksa tregohet se si mbahej me forcë pushteti. Ndërkohë thuhet se më 1974 regjimi u mbërthyer nga paranojat e BRSS dhe shumë njerëz po gjenin strehim në bunkerë.
Prill 1955: Potenciali i rezistencës antikomuniste
Disidenca popullore në Shqipëri e ka origjinën në shkaqe politike, shoqërore, kulturore, fetare dhe ekonomike. Përpjekjet barbare të regjimit komunist për shuarjen e të drejtave individuale si motivin e familjes patriarkale, autonominë e fshatit dhe të besimit fetar, janë nga më të urryerat për masat. Për shumë shekuj, në Shqipëri ka qenë traditë kundërshtimi i autoriteteve qendrore. Patriotizmi lokal, krenaria dhe individualizimi i sëmurë janë kombinuar me njëri-tjetrin duke nxitur kundërshtimin ndaj të gjitha autoriteteve, si të huaja e të brendshme. Ky tipar është më i theksuar në zonat veriore malore të banuara nga Gegët, të cilat deri në Luftën e Parë Botërore kishin pak kontakte me botën moderne. Ndërsa fiset jugore Toskët, kanë qenë më të hapura dhe më në kontakt me idetë dhe teknikat e reja. Gjithashtu intelektualët toskë ishin të parët që u interesuan te marksizmi. Nga ana tjetër regjimi aktual komunist identifikohet gjithashtu me jugosllavët e urryer. Shqiptarët i urrejnë sllavët që prej kohës kur ata i detyruan të largoheshin në zonat malore të Adriatikut. Masakrat e shqiptarëve nga serbët gjatë luftërave ballkanike në 1912 kanë përkeqësuar këtë ndjesi. Prandaj dhe komunizmi, kryesisht për Gegët ka dobësinë e lidhjes me sllavët, të cilët faktikisht ishin krijuesit e Partisë Komuniste shqiptare gjatë luftës në 1941, dhe u drejtua prej tyre deri në 1948 kur Tito dezertoi nga blloku sovjetik ndërsa udhëheqësi shqiptar Hoxha e radhiti vendit me Moskën. Një tjetër bazë e gjerë e disidencës në Shqipëri janë ndërhyrjet e komunizmit me trashëgiminë kulturore në vend. Pas pavarësisë së Shqipërisë në 1912, në vend u hapën disa shkolla franceze, angleze e italiane, dhe të rinjtë shqiptarë mund të shkonin në universitete perëndimore. Ndërsa regjimi komunist po përpiqet të vendosë me forcë orientimin sovjetik kulturor dhe ekonomik, me gjithë kundërshtimet e intelektualëve shqiptarë. Regjimi duket i paaftë për të ndryshuar këtë situatë dhe shpesh i akuzon mësuesit për sjellje borgjeze dhe për nivel të ulët ideologjik. Kryqëzata komuniste kundër fesë gjithashtu ka nxitur pakënaqësinë popullore jo vetëm prej ndërhyrjes në çështjet e besimit, por dhe prej faktit se besimi fetar konsiderohet si pjesë e trashëgimisë kulturore. Grupet fetare në Shqipëri (grupet myslimane, katolike dhe ortodokse) të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin kulturor, tashmë janë vënë nën kontrollin e shtetit. Standardet aktuale të jetesës janë një tjetër shkak i nxitjes së disidencës. Në përgjithësi ato kanë qenë gjithmonë të ulëta por ndryshimi mes periudhave para dhe pa-komuniste është aq i dukshëm sa për të provokuar zemërim, siç ndodh me normat e punës dhe huat e detyruara të fshatarëve.
Elementët kryesorë të disidencës
Disidenca ndaj regjimit dallohet në të gjitha klasat e popullsisë përveç burokracisë qeveritare, ushtarakëve dhe liderëve kombëtarë e rajonalë të partisë komuniste. Edhe brenda radhëve të partisë individët e kuptojnë që askush nuk ka përfitime serioze nga regjimi komunist. Shtypja e elementëve që konsiderohen si të pakorrigjueshëm dhe internimi i tyre në kampet e punës së detyruar, është përkeqësuar vitet e fundit he ka shtuar zemërimin ndaj qeverisë. Pas 10 vjetësh qeverie komuniste, është të paktën 10 për qind e popullsisë në burgje e kampe përqendrimi e pune të detyruar. Disa amnisti të përvitshme ndaj të burgosurve nuk kanë reduktuar numrin e tyre, që do të thotë se “armiq të rinj të popullit” kanë zëvendësuar të liruarit. Fshatarësia përbën shumicën e popullsisë së vendit dhe gjithashtu elementin më aktiv antikomunist. Arsyet kryesore të pakënaqësisë së fshatarësisë janë taksat shtypëse, kuotat e detyrueshme të dorëzimeve ushqimore, huat e detyrueshme shtetërore, presioni i kolektivizimit dhe terrori policor. Kryesisht prej kundërshtimit të fshatarësisë, vetëm 16 për qind e tokave të punueshme janë kolektivizuar deri tani. Fshatarët e varfër dhe pa tokë në zonat qendrore dhe jugore, fillimisht përfituan nga reforma agrare e viteve 1945-1946, por zhgënjimi ishte i shpejtë. Fshatarët individualistë dhe krenarë për të kaluarën e tyre, janë indiferentë ndaj ideologjisë komuniste. Antagonizmi i tyre është një nga arsyet e besueshmërisë së ulët të forcave të armatosura dhe të forcës punëtore industriale, një pjesë e konsiderueshme të cilëve vijnë nga fshatarësia. Të rinjtë shqiptarë, si ata nga fshati dhe nga qyteti tradicionalisht i janë bashkuar lëvizjeve çlirimtare gjatë pushtimit gjerman e italian, ndërsa komunistët, duke e maskuar veten si çlirimtarë të vendit, kanë arritur të joshin një pjesë të të rinjve. Por prej viteve 1950 propaganda komuniste ka humbur influencën e saj për arsye të pabarazisë ekonomike, punës vullnetare, gjendjes së keqe ekonomike dhe imponimit të ideologjisë së huaj sovjetike. Ushtria shqiptare nuk mund të konsiderohet e besueshme ndaj regjimit dhe njësitë e saj nuk janë përdorur kurrë për eliminimin e lëvizjeve guerile. Për këto është përdorur vetëm policia fanatike e Sigurimit, e cila përbëhet nga ushtarë e oficerë që u ngritën në përgjegjësi gjatë kohës së luftë partizane. Këto grupe mbështeten nga një rrjet i gjerë informatorësh të vendosur në çdo fshat, të cilët janë një nga shtyllat e sigurisë së pushtetit shqiptar, dhe kanë parandaluar grupet anti-komuniste në rrëzimin me forcë të qeverisë së Tiranës. Intelektualët dhe kleri përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të rezistencës ndaj regjimit shqiptar. Ata kanë qenë gjithashtu pjesë e luftës çlirimtare dhe ndihmuan në ardhjen e komunizmit në pushtet. Balli Kombëtar është grupi më fuqishëm anti-komunist dhe është krijuar gjatë kohës së Luftës nga elementë demokratikë. Shumë nga intelektualët e tyre janë larguar nga vendi, janë burgosur ose ekzekutuar për ardhjes së komunistëve në pushtet. Ndërsa kleri, veçanërisht ai katolik ka refuzuar regjimin, përkundër liderëve myslimanë dhe ortodoksë të cilët janë nënshtruar nga regjimi dhe mbajnë linjën e tij.
Forca e rezistencës
Ka prova se shqiptarët nuk e kanë humbur shpresën e një çlirimi të mundshëm teksa raportohen disa akte të izoluara rezistence të hapur. Por shtimi i terrorit dhe brutalitetit të policisë e ka reduktuar rezistencën aktive gjatë viteve të fundit. Në përgjithësi Sigurimi ka qenë i suksesshëm në zbulimin dhe shkatërrimin e guerilasve, të cilët gjithsesi janë të shpërndarë dhe pakoordinuar, duke operuar kryesisht në zonat të largëta malore. Arratisjet në Greqi e Jugosllavi dhe rezistenca pasive janë tashmë format e mbetura për opozicionin ndaj regjimit. Me gjithë mbikëqyrjen e policisë rezistenca pasive në bujqësi dhe industri shfaqet në formën e pengesës së punës së teknikëve sovjetikë, dëmtimet e makinerive, sabotimi i cilësisë së mallrave të prodhuara dhe mangësitë në normat e punës. Situata në Shqipëri ndryshon nga ajo në vendet e tjera satelite sovjetike, pasi rezistenca kryesore kryhet nga grupet e emigracionit në Greqi, Jugosllavi dhe Itali. Katër janë grupet kryesore të emigrantëve në Perëndim, Balli Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit e afërt me ish-mbretin Zog, një grup individësh jopartiakë dhe Blloku Kombëtar Indipendent i përbërë me kolaboracionistë të fashistëve. Tre të parët janë lidhur me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë me qendër në SHBA. Bashkimi i këtyre degëve i dha rezistencës më shumë fuqi dhe përfitimin e mbështetjes morale e financiare nga fuqitë perëndimore. Por në vitin 1953 kur Blloku Kombëtar Indipendent dhe disa individë të tjerë u bashkuan në Komitet, disa anëtarë të majtë të Ballit Kombëtar i larguan për të krijuar një parti të veçantë. Ka pasur disa kontakte mes grupeve të rezistencës në Shqipëri dhe komiteti të ekzilit dhe shumica e grupeve në jug të Shqipërisë e kanë identifikuar veten me Komitetin. Me gjithë kontradiktat personale dhe politike mes anëtarëve të grupeve të emigracionit, ato duket se janë më të organizuar se në vende të tjera satelite sovjetike. Ekziston gjithashtu Lidhja Jugosllave e Refugjatëve Shqiptarë, e cila ka avantazhin e të qenit më afër Shqipërisë se grupet e tjera të emigracionit. Kjo e fundit kontakton me elemente të rezistencës me kalime kufitare dhe ka ndoshta aktivitetin më të madh në Shqipëri ndër vendet Perëndimore. Por pas normalizimit të marrëdhënieve të Jugosllavisë me bllokun sovjetik aktivitetet e grupit janë reduktuar në mënyrë drastike.
Potenciali i rezistencës
Grupet e izoluara të rezistencës vazhdojnë të marrin vëmendjen e forcave vendase të sigurimit si dhe të shkaktojnë dëme sporadike në fushat e komunikimeve apo transportit. Por masat e sigurisë së regjimit e bëjnë thuajse të pamundur organizimin e guerilasve në shkallë kombëtare apo qendrore. Këto grupe kanë gjithashtu mangësi në armatime e pajisje dhe llogaritet se gradualisht do të likuidohen prej regjimit. Gjithsesi në vend manifestohet një masë e gjerë rezistence pasive nga masat.
Rezistenca në kohë lufte
Shumë shqiptarë janë të bindur se vetëm një tjetër luftë mes Perëndimit e Lindjes mund të sjellë çlirimin e tyre, çka do të shkaktonte dhe rritje të potencialit të rezistencës në vend. Në rast të tillë si fshatarët dhe punëtorët do të shtojnë tentativat e tyre të sabotimit ndaj regjimit komunist, nëse zvogëlohet rreziku ndaj vetes. Për më tepër, ndihma e aktivitetit anti-komunist nga Jugosllavia, Greqia e Italia, izolimi nga pjesa tjetër e bllokut sovjetik dhe nevoja e regjimit për të përdorur burimet në sigurimin e kufijve, do ta bënin më të thjeshtë që rezistenca e brendshme të organizohej. Megjithëse nuk do të kishte shumë gjasa të ndodhnin kryengritje masive menjëherë pas shpërthimit të luftës, elementët e rezistencës së brendshme mund të organizohen për t’u kthyer në një forcë serioze. Gjithsesi kjo do të varej dhe nga suksesi i ofensivës së Perëndimit apo nga aftësitë e grupeve të emigracionit për të dhënë ndihmën dhe udhëheqjen e duhur. Vetëm nëse BRSS do të përforconte me shpejtësi Shqipërinë me njësi ushtarake atëherë do ndalohej organizmi i guerilasve në veri dhe në jug. Në zhvillimet do të ndikonte dhe tendenca e dezertimit të ushtarëve shqiptarë.
Shkurt 1976: Atmosferë shtetrrethimi në Shqipëri
Gjatë javëve të fundit situata në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm, sa që diplomatët e Tiranës thonë se vendi i ngjan një kampi të madh përqendrimi. Spastrimet masive të muajve të fundit dhe ashpërsimi i propagandës shtetërore kanë shtuar në maksimum kontrollin ideologjik dhe ksenofobinë në vend. Qytetarët e zakonshëm tashmë kanë frikë dhe të shkëmbejnë një përshëndetje me të huajt. Përveç kësaj shqiptarët po ndërtojnë strehime të shumta dhe bunkerë rreth kryeqytetit, kësaj here pa u përpjekur të fshehin aktivitetet. Autoritetet i kanë kërkuar gjithashtu ambasadave të ndërtojnë strehime në ambientet e tyre. Ambasadori francez ka thënë se Shqipëria është në mesin e një fushate të shfrenuar të ndërtimit të një zinxhiri bunkerësh në brigjet e Adriatikut. Këto përgatitje të shfrenuara kanë formën e liderit të partisë Enver Hoxha dhe kanë si qëllim të sigurojnë mbijetesën e politikave të tij pas vdekjes. Muajt e fundit ka pasur zhurma të përsëritura mes vëzhguesve diplomatikë se Hoxha dhe numri 2 i tij Shehu janë në shëndet të dobët. Madje disa diplomat thonë se udhëheqësi 67 vjeçar nuk do të jetë për shumë gjatë. Spastrimi i radhëve të partisë e administratës mund të jetë hapi i parë i kalimit të pushtetit. Procesi thuhet se ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë dhe mes verës 1974 dhe pranverës 1975 janë larguar kuadrot kryesore të ministrisë së Mbrojtjes, arsyet për të cilat nuk ka informacion dhe as shpjegim zyrtar nga Tirana. Më pas u shkarkuan dhe tre drejtuesit kryesorë ekonomikë, dy prej të cilëve kanë qenë anëtarë të vjetër të Byrosë Politike. Tashmë duket qartë se të gjithë zyrtarët janë kapur nga vala e parë e spastrimeve kundër “burokracisë” së tepërt. Pjesën më të madhe të goditjes e pësuan stafi i ministrive, qeverisja lokale dhe institucione të tjera si mediat shtetërore. Një tjetër aspekt kritik i spastrimeve është zbatimi i “rotacionit” si një mjet i rëndësishëm për shërimin e burokracisë, por sigurisht që efektimi tyre kryesor është krijimi sensit të përhershëm të mungesës së stabilitetit të burokracisë, për të bërë sa më të vështirë lindjen e mundshme të çdo lloj opozicioni. Mungesa e besimit ndaj administratës, përçmimi ndaj çdo distancimi nga shoqëria një-klasore e jo-profesionistëve në rotacion dhe doktrina mizore e vetë-mjaftueshmërisë, janë të gjitha shumë të shtrenjta për Hoxhën. Megjithëse shkarkimet tregojnë se në ushtri, ekonomi e kulturë ekziston disidenca, provat e forta sugjerojnë se të ardhurit duhet të jenë nga radhët e partisë dhe personalisht besnikë ndaj Hoxhës. Hapat e mëtejshëm në forcimin e kontrollit të brendshëm dhe i krijimit të atmosferës së rrezikut të pushtimit të huaj, duket se kanë si objektiv kryesor Moskën. Është e qartë se Tirana ka një frikë paranojake nga Bashkimi Sovjetik, e cila është rritur shumë pas vitit 1974, kur komunistët pro-sovjetikë u zbuluan në Jugosllavinë fqinje. Tirana vazhdon të refuzojë ofertat sovjetike për riafrim, edhe pse është e sigurt se Moska ka vullnetin për të ofruar ndihmë ndaj Shqipërisë me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve. BRSS ka disa arsye për të dëshiruar rivendosjen e influencës së tij në Shqipëri, siç janë avantazhet strategjike të porteve të Adriatikut që i janë mohuar që prej vitit 1960, apo edhe pse e vogël, goditja e kënaqësisë ndaj Pekinit,i cili ka shfrytëzuar armiqësinë e Tiranës me BRSS për avantazhet e veta. Moska gjithashtu do të fitonte një tjetër pikë presioni ndaj Beogradit të cilët mund të përdorë ndaj Jugosllavisë së epokës post-Tito. Është e paqartë sesa do të ndryshojnë politikat apo doktrina shqiptare në periudhën pas Hoxhës. Indiferenca aktuale e Kinës ndaj problemeve shqiptare ka përforcuar qëndrimin e tyre izolacionist, por udhëheqja e re shqiptare nuk pritet të bëjë një kthesë të menjëhershme të fytyrës duke pranuar tutelën e Jugosllavisë apo të Bashkimit Sovjetik. Është më tepër e mundur që të ketë një riafrim me vendet e tjera komuniste të Evropës, çka do të ndryshonte konturet politike në Ballkan, duke shqetësuar Beogradin dhe Bukureshtin. Kjo do të thoshte se Pakti i Varshavës do të kishte një tjetër dalje në Adriatik. Ndërkohë, në mes të trazirave që ka krijuar, Hoxha duket i vendosur në projektimin e një imazhi të ri uniteti brenda partisë. Në mesin e janarit e gjithë hierarkia komuniste u paraqit në ambasadën kineze për të ofruar ngushëllimet e vdekjes së Çu En Lai dhe përsëri në shkurt radhët e plota të partisë ishin në sesionin parlamentar të buxhetit dhe planit shtetëror.