David Randall: Një gazetar i mirë duhet t’i “bëjë duart pis”
Supozoj që pjesa më e madhe prej nesh nuk pret të arrijë suksese të mëdha në fillimin e karrierës së vet, dhe mendon se kënaqësitë do të vijnë më vonë. Kështu që, do të ishte pak e trishtuar nëse, po të rimendojmë jetën tonë në punë, ne vetëdijësohemi se gjënë për të cilën jemi më shumë krenarë, e kemi bërë në debutimin tonë. Por pikërisht kjo i ndodhi një reporteri që unë njoh. Shkruan për një gazetë kombëtare, dhe artikujt e tij janë botuar në gjithë botën.
Merret me tema të mëdha dhe lajme me rëndësi ndërkombëtare. Por, ai ka dyshimin se artikujt më të rëndësishëm të jetës, i ka shkruajtur dyzetë vjet më parë, kur ishte 25 vjeç dhe punonte për një të përditshme lokale. Gjithçka kishte nisur kur një i pastrehë ishte jetur i vdekur në stolin e një parku, në një qytezë në jug të Londrës, aty ku gazetari ynë po bënte praktikën në një të përditshme. Kishte shkruajtur një artikull dhe ia kishte propozuar kryeredaktores së tij. “Po endacakët vdesin vazhdimisiht”, i kish thënë ajo. “Ku është lajmi këtu”?
Gazetari ishte përgjigjur: “Nuk është askush që të ndihmojë ata të gjorët. Ky nuk është lajm? Ta hajë dreqi jemi në 1976-ën!” Në fund, artikulli ishte botuar dhe gazetari kishte nisur të pyeste se sa të pastrehë kishte qyteti. U ishte drejtuar autoriteteve kompetente, por këta kishin mohuar që të kishte të pastrehë. Kështu, bashkë me një mikun e tij, kishte vendosur të dilte vetë netëve për t’i kërkuar. Kishin shkuar në vendparkime, në banjot publike, në shtëpitë e braktisura, në parqe, dhe kishin gjetur disa dhjetëra. Gazetari i ri kishte shkruajtur një tjetër atikull, dhe kur ishte botuar, famullitari i qytezës kishte sfiduar atë dhe mikun e tij, që të mos ndaleshin vetëm tek të folurit dhe shkruarit, por edhe të bënin diçka.
“Të bëj?”, kishte menduar gazetari. “Gazetarët nuk bëjnë, por shkruajnë”. Por prifti kishte këmbëngulur, kështu gazetari kishte shkruajtur një tjetër artikull, duke i ftuar të gjithë qytetarët që donin të ndihmonin të pastrehët, që të merrnin pjesë në një takim.
Në takim ishin paraqitur rreth 25 vetë. Kishin themeluar një ent bamirësie të quajtur “Nighwatch”, që angazhohej për të sjellë tre netë gjatë javës supë të ngrohtë, panine dhe gjëra të tjera, për të cilat të pastrehët kishin nevojë. Gazetari i ri në moshë ishte njëri prej tyre, dhe më pas do të bëhej presidenti i organizatës.
Mundem ta rrëfej këtë histori me një farë sigurie, sepse ai gazetar isha unë vetë. Kohët e fundit mora pjesë në festimin e përvjetorit të 40 të entit të bamirësisë. Tani shpërndarja e gjellëve të ngrohta bëhet shatë ditë në javë. Në këto vite organizata ka ndihmuar qindra persona që të gjejnë një shtëpi, një punë apo ndihmë mjekësore për problemet e tyre mendore, apo të varësisë. Ka hapur një hostel, ka ndihmuar migrantët pa shtëpi dhe ka themeluar një tjetër organizatë për të pastrehët nën moshën 25 vjeç, që çdo vit kujdeset për mijëra të rinj e të reja në Londër. Ndërkohë që isha ulur aty dhe dëgjoja gjithë këto gjëra, nuk mund të mos mendoja që asnjëri prej artikujve të mi dhe fushatave në të cilat kam marrë pjesë, nuk ka patur një efekt konkret, si ato rradhë që kisha shkruar për të pastrehët, dyzet vjet më parë.
Përse?
Pothuaj të gjithë ato gjëra që ne gazetarët bëjmë dhe për të cilat jemi krenarë, në afatgjatë nuk kanë shumë rëndësi. Në momentet tona të budallalëkut më të madh – dhe kemi shumë të tilla, duke qënë se përulësia nuk është aspak tipar i gazetarëve – mund të fantazojmë se autoritetet i studiojnë me vemendje fjalët tona dhe se kjo, herët a vonë, do të prodhojë ndonjë farë ndryshimi në zgjedhjet e tyre. Por është iluzion. Në kuptimin e efekteve konkrete, ajo që vërtetë ka rëndësi (përtej detyrës, thelbësore në një demokraci, të përhapjes së informacionit) është të shtyjmë lexuesit që të veprojnë. Dhe është më shumë e mundur që kjo të ndodhë nëse punon në një gazetë lokale, se sa në një të tillë kombëtare.
Nismat e gazetave lokale shpesh herë ja dalin të shpëtojnë shkolla që rrezikojnë të mbyllen, të përmirësojnë sherbimet shëndetësore, të mbrojnë vende me interes historik, e kështu me rradhë. Një gazetë apo një radio lokale mund të shtyjnë publikun e tyre në veprim, sepse mbulojnë një hapsirë mjaftueshëm të vogël, sa t’u lejojnë njerzve që duan të angazhohen, që të takohen dhe të bëjnë diçka. Asnjë e përditshme kombëtare nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Nëse zhvendosesh nga një gazetë lokale në një gazetë kombëtare, ndofta fiton më shumë dhe merresh me tema të një interesi më të përgjithshëm, por humbet shansin për t’i ndryshuar gjërat.
Morali i parë i historisë është që angazhimi lokal funksionon. Mos u qani për një problem në nivel kombëtar, përpiquni ta zgjidhni në nivel lokal.
I dyti është që, falë sfidës së atij prifti, në atë kohë unë vetë shkova kundër rregullave të gazetarisë dhe u rrëmbeva prej lajmit. Në epokën e internetit, me botën e mbushur me njerëz që shkruajnë dhe komentojnë gjithçka, këto norma duken të kapërcyera tashmë. Gazetarët duhet të përfshihen më shumë. Sot jam 65 vjeç dhe me një tjetër organizatë bamirësie, po përpiqem të imitoj veten tima kur isha 25.
*David Randall ka qenë Kryeredaktor i Indipendent on Sunday në Londër. Libri i tij më i fundit është “Trembëdhjetë gazetarë pothuaj të përsosur”/Bota.al/