Albspirit

Media/News/Publishing

Fran Gjoka: Si të shpëtojmë brezin e ri nga rruga e inkriminimit?

Për shkak të shtimit të kriminalitetit dhe zgjerimit të dukshëm të patologjisë së krimit rinor mbetet shqetësim për të githë: për prindërit, mësuesit, edukatorët, komunitetin, shkollën, familjen dhe shoqërinë në tërësi. Në një farë mënyre, duke parë tipologjinë e krimit, shtimin e llojshmërive të tij dhe intensitetin në rritje të shfaqjeve kriminale, duhet pranuar se veçse është një nga fenomenet sociale më të prekshme, reale dhe të vështira për t’u përballuar, është në të njëjtën kohë edhe një problem i madh ekzistencial, është një nga shqetësimet e mëdha të kohës sonë. Por nuk mjafton vetëm konstatimi sasior i këtij fenomeni apo vlerësimi vetëm fenomenologjik i shfaqjeve të tij.

Problemi është më i thellë, është filozofik dhe konceptual, është çështje e lidhur me  esencën e qytetërimit tone, por edhe me përmirësimin e atmosferës komunitare të shoqërisë, përmirësimin e klimës paqësore në familje dhe të ambjentit social-pedagogjik në shkollat tona.

Në këtë kontekst do të merremi me problemet e krimit rinor, duke synuar gjetjen e rrugëve sa më të përshtatshme për shmangien e të rinjve nga kjo rrugë pa krye, është e nevojshme së pari, të përcaktohen shkaqet e kësaj situate të zgjerimit të krimit tek të rinjtë dhe pastaj edhe të përcaktojmë mjetet, rrugët, format, institucionet, faltoret dhe aktorët që do mund të ndihmojnë në përballjen me këtë problem të madh social, që po agravohet, duke u bërë një nga dukuritë me shkaqe komplekse ekonomike, sociale, edukative, pedagogjike, ligjore dhe mediatike.

Prandaj kjo çështje nuk është e lehtë as për t’u kuptuar, as për t’u zgjidhur në rrugë të lehta apo me metoda të ndikimit edukativ dhe pedagogjik tradicional. Problemi i kriminalizimit të të rinjve dhe pedagogjia e shtimit të tij në këto mosha është kompleks. Në këtë aspekt janë  ndikuese, për fat të keq, shumë ndikime të modernitetit dhe zgjerimit të lirisë individuale, e cila tek shumë të rinj ka marrë natyrë instiktive, duke bërë këtë ndjenjë paqësore të jetë agresive dhe të kundërt me thelbin dhe mekanizmat e lirisë.

Në këtë kontekst është e sigurtë që shtirja dhe ridimensionimi demografik kaotik, diversiteti që vjen nga përzjerja e popullsisë urbane dhe rurale i fenomenit, kanë dhënë ndikimin e tyre në intensitetin në rritje të inkriminimit të të rinjve. Por besoj se trajtimi i krimit të të rinjve vetëm me shkaqe sociale është një ”rrugë e shkurtër”, por është pa krye dhe nuk na ndihmon që të jemi të orientuar deri në fund për atë që duhet të bëjmë.

Kjo është arsyeja pse kur bëjmë analiza dhe interpretime të shkaqeve të kriminalitetit rinor si një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare dhe të kohës moderne përgjithësisht duhet të mendojmë që përveç shkaqeve të zhvillimeve biologjike dhe ndryshimeve thelbësore që pëson natyra e njeriut të kohës sonë, veçanërisht e të rinjve, krimi rinor është çështje, e cila është e lidhur me faktorët e tjerë, që mund të jenë prej shkaqeve antropologjike dhe sociale.

Ndaj, synimi për të mposhtur krimin dhe edukuar humanisht dhe etikisht të rinjtë kërkon që të rriten cilësisht kapacitetet dhe të përsosen mjetet dhe metodat që përdoren nga njerzit tanë jo thjeshtë në rrugë dhe në mënyrë të improvizuar, por duke e përqendruar vëmendjen me prioritet në punën e organizimeve të jetës shoqërore dhe ndikimet që kanë institucionet më fondamentale të shoqërisë tonë, siç janë: familja, shkolla, media, drejtësia, kultura, shoqëria civile, zgjerimi i roleve edukative të komunitetit etj.

Rinia dhe adoleshenca, për shkaqe që dihen, për arsye të energjive të tepërta fizike dhe mungesës së orientimit të duhur në kanalizimin e tyre, për aryse të natyrës së instikteve të tepërta dhe shoqërisht të paekuilibruara, të shpirtit të garës dhe frymës së konkurencës, të sedrës dhe ambicies, është më i prirur që të “derdhë energjtë” e moshës në rrugë sociale, jo atje ku duhet dhe për atë që duhet.

Në këtë kontekst, arsyet e inkriminimit të brezit të ri duhen parë, vlerësuar sociologjikisht dhe trajtuar nga ana pedagogjike, duke njohur, vlerësuar dhe kombinuar shkaqet e integruara, që favorizojnë më lehtë të rinjtë që të jenë “prè” apo edhe “viktimë” e rrugës kriminale, e përfshirjes me dashje apo pa dashje në këtë rrugë pa krye. Kjo do të thotë që rritja e përqindjes së patologjisë së krimit tek adoleshentët, shtimi i rasteve të dhunës në shkollë, rritja e intensitetit të grindjeve për shkaqe banale, e rivalitete me natyrë erotike dhe seksuale, duhen parë dhe vlerësuar si shkaqe prioritare të rritjes së kurbës të shtimit të krimit tek të rinjtë, sidomos tek ata që janë në sistemin e edukimit shkollor apo që ndodhen jashtë tij, por që ndodhen të integruar në jetën komunitare.

Ideja sempliste se dhuna që sjell zgjerimin e krimit tek të rinjtë është një gjë e natyrshem, apo duhet konsideruar si pasojë e periudhës kalimtare dhe papjekurisë së plotë të adoleshentëve, është një nga shkaqet që ka krijuar në shoqëri, në familje dhe shkollë, tek prindërit dhe mësuesit idenë se këto janë probleme të pashmangshme të moshës, që familja, shkolla dhe shoqëria nuk ka çfarë ju bën. Kjo ide, ky përceptim i krimit rinor ka krijuar shpesh idenë e gabuar në shoqërinë tonë se ato janë dukuri sociale tërësore dhe të pashmangshme  se në këtë moshë instiktet fizike dhe ato të seksualitetit moshor nuk mund të disiplinohen, se mësuesi dhe prindi janë figura që edhe kur tentojnë të ndërhyjnë, më shumë sjellin koflikte etj.

Kjo psikologji disfatiste po sjell situatën demoralizuese në betejat që duhen organizuar në shfaqjen e krimit rinor në familje dhe shkollë, sepse bashkë me të ecën dhe mentaliteti që ushqen dhe shoqërohet me rritjen e mungesës së kujdesit për të rinjtë, me pakësimin e punës edukative për të krijuar tek ata norma morale edukative dhe kulturore të tilla, që ndihmojnë në ndërtmin e “stafit human” individual tek të rinjtë. Çështja është që mekanizmat instiktive të moshës që të riun e çojnë drejt dhunës dhe krimit duhet të latohen dhe përpunohen për të ravijëzuar tipare dhe veçori të reja të personalitetit të tyre, kultivimin e sjelljes së kulturuar. Kjo nuk mund të bëhet në se tek të rinjtë nuk përpiqemi të rregullojmë veçoritë e sjelljes dhe mënyrat e komportimit social.

Familja dhe shkolla janë dy institucione unikale, tek të cilat mund të bëhet punë për të skalitur brenda adoleshentit, tek i cili për shkak të moshës dhe energjive fizike mund që nga mungesa e kulturës dhe edukimit kanë sjellje të ashpra. Qëllimi i punës së institucioneve edukative dhe figurave adekuate me peshë, siç janë prindërit dhe mësuesit, që pas këtij njeriu që ka sjellje të ashpër dhe “formim qytetar” të brishtë duhet të krijojnë një tjetër njeri, të formatojë një tjetër qënie, tek i cili të mund të zbutet agresiviteti tipik moshor dhe që në vënd të tij të kultivohen tipare të reja të tolerancës, mirëkuptimit, aftësisë për kompromis etj.

Nuk mund të zbutet natyra e njeriut pa kultivuar tek ai që në moshë të re këto tipare të reja, pa ndërtuar gradualisht dhe me vendosmëri ato mekanizma vetëfunksionuese, që e vetëdisplinojnë humanisht njeriun, që e bëjnë atë qënie të kultivuar, të aftë, qënie e përshtatur për jetë sociale, i gatshëm që të pranojë lidhjet në marrëdhëniet e natyrshme me “tjetrin” dhe që të jetë i gatshëm të merret vesh me të, “ndryshmin” dhe të bashkëjetojë në mënyrë sociale me të, që të pranojë gabimin dhe të njohë fajin personal, që t’i hapë rrugë atij që ka të drejtë. Të gjitha këto tipare nuk kultivohen pa punë të gjithanshme sociale dhe personale, pedagogjike dhe edukative, komunitare dhe mediatike. Ca më pak ato nuk mund të realizohen vetëvetiu, ndikimin dhe rolin e veçantë të shkollës, familjes, të mësuesit dhe prindit.

Natyrisht edhe të institucioneve dhe mjeteve të tjera të shoqërisë, siç janë: media dhe shoqëria civile. Në se kemi akoma shifra të larta të dhunës dhe krimit tek të rinjtë tanë në familje, në shkollë dhe jashtë tyre, kjo është e lidhur me faktin se ato kanë vështirësi në ndërtimin e ekuilibruar të marrëdhënieve të tyre me “veten”, ”tjetrin”, prindin, mësuesin dhe komunitetin moshor. Kjo do të thotë se  niveli i lartë i kriminalitetit të kësaj moshe nuk është aq shumë ndonjë veçori analogjike e të rinjve si qënie moshore, por më së shumti është pasojë e difektit social të mungesës së aftësisë për të vënë në lëvizje instrumentin që krijon hapësirë për aktin e marrëveshje sociale ndërmoshore dhe veçanërisht të mungesës së dukshme të të rinjve  për të pasur  aftësinë e duhur për komunikimet interpersonale.

Nuk ka dyshim që në kushtet e jetës së liberalizuar është e natyrshme që tek të rinjtë, në sjelljet e tyre të kenë dhe të shfaqen disa anomali sociale, siç janë veprimet vandale dhe aktet kriminale. Por krimi tek të rinjtë nuk është as e lidhur, as pasojë e moshës së rinisë, por më shumë efekt social, rendia e të rinjve pas qefit dhe përhapjes së shpejtë të sëmundjeve të pasionit, siç janë zgjerimi i përdorimit të drogës, alkoolit dhe seksualitetit kaotik. Ato janë shkak për shumë sjellje me natyrë devijante dhe kriminale. Në këtë kontekst, që të ulet pesha e veprimeve asociale dhe e shfaqjes së sjelljeve kriminale tek adoleshentët dhe të rinjtë, sidomos ato shkollore është e nevojshme, që të sigurohet një ndikim i integruar i gjithë faktorëve socialë, edukativ, pedagogjik, ligjor dhe mediatik.

Në këtë kontekst duket urgjente nevoja e një ripërcaktimi të rolit eduktiv dhe qytetërues të shkollës. Është sfidë e madhe e familjes në radhë të pare, por dhe e shkollës sonë, që krahas forcimit të përmbajtjes, metodave, përmirësimit të programeve dhe kurikulave etj. Të punohet më shumë për të forcuar konsistenten e detyrës universale të formimit human, kulturor, etik dhe qytetar të të rinjve. Kjo detyrë është në të njëjtën kohë pjesë e formimit demokratik të shpirtit tolerant dhe spikatjes së frymës konsensuale të nxënësit në shkollë, e cila mund të bëhët pjesë e  qëndrueshme e  komportimit qytetar. Në këtë kontekst, duhet të themi me zë të fortë se në se ecim në rrugën e thellimit të njëanshmërisë së shkollës, në se mësuesit dhe prindërit janë të dhënë tërësisht pas përvetësimit të lëndëve dhe njohurive që jepen në shkollë, ky është një nga problemet që duhet rregulluar, duke vendosur balanca të duhura midis formimit intelektual dhe qytetar, kulturor dhe edukative.

Proçesi është kompleks dhe për të realizuar objektivin e shmangies së të rinjve nga rruga e krimit është e nevojshme që të sigurohet integrimi i të gjithë faktorëve që kanë peshë në jetën e familjes dhe veprimtaritë arsimore dhe edukative të shkollës. Në qendër të këtij proçesi janë gjithnjë, kanë qenë dhe kanë mbetur dy figura, si mësuesi dhe prindi dhe dy institucione, që mbeten organizimet sociale me peshë fondamentale, siç është familja dhe shkolla. Është gabim në se mendojmë gabimisht se këta faktorë dominantë edukikmit të të rinjve, si kusht thelbësor për të mos hyrë në rrugën e krimit, por të edukmit dhe prosperitetit social, i ka spostuar koha dhe se ajo është shkaktare që ka futur në krizë veten dhe të rinjtë. Përkundrazi, e kundërta e këtij mendimi semplist është e vërtetë dhe racionale me betejën tonë për të shmangur të rinjtë nga rrugët kriminale dhe destruktive.

Please follow and like us: