Ish-deputeti i PS dhe psikologia e njohur lidhin kurorë
Tri ditë më parë, në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka celebruar në martesë dy personazhe të njohur të jetës publike në vend. Jeta Toçila, një psikologe e njohur dhe e mediatizuar në këtë dimension të sajin profesional, por edhe folëse e lajmeve, dhe Taulant Dedja, ish-prefekti i Tiranës dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste. Edhe pse të dy vijnë nga bashkëjetesa të gjata dhe janë prindër, interesant është fakti që edhe Jeta, edhe Taulanti për herë të parë kanë vënë rrethin e martesës dhe kanë festuar sipas traditës me dasmë në restorantin “Grand Garden Bio Farm”. Jeta kishte veshur fustan të bardhë të thjeshtë, sipas stilit të saj klasik, e në kokë mbante një kapelë të dizenjuar nga motra e saj, kostumografja dr. Merita Toçila. Taulanti, edhe pse nuk njihet si rilindas, mbante kravatën me ngjyrën simbolike të Partisë Socialiste.
Dy personazhet duket se janë njohur para 17 vitesh, në kohën kur Jeta ishte gazetare dhe Taulanti prefekt i Tiranës. Ata janë ritakuar në kohën kur të dy kishin zgjidhur martesat përkatëse. Jeta ishte e martuar me gazetarin e njohur Armir Shkurti.
Lidhja e tyre filloi të bëhej gradualisht publike nga Taulanti, i cili në muajin shtator postoi një foto me Jetën në Facebook. Përmes komenteve të miqve të tij, u kuptua që diçka serioze kishte nisur në jetën e ish-deputetit socialist. I ardhur enkas nga Kanadaja, ku Taulant Dedja jeton që prej kohës kur u largua nga politika, u kuptua qartë që dy personazhet nuk do mjaftoheshin me kaq. Ata filluan të shpeshtonin daljet publike dhe të kalonin pushimet së bashku. Menjëherë pas pushimeve, të bindur në dashurinë e tyre të realizuar më në fund, ata vendosën të lidhin kurorë. Morëm vesh se psikologia ka pranuar të ndryshojë mbiemrin. Ajo tashmë do të shfaqet në publik si Jeta Dedja. Me sa duket, familja Dedja e ka të shkruar lidhjen e fortë me psikologjinë. Theksojmë se babai i Taulantit ka qenë psikologu i parë shqiptar dhe shkrimtari i madh për fëmijë, Bedri Dedja. Gazeta “Panorama” është interesuar më tej për këtë lidhje dhe ka mësuar se çifti Dedja do të vendoset së shpejti në Kanada, menjëherë sapo të përfundojnë procedurat e parashikuara të bashkimit familjar. Jetesa e tyre nuk besohet të ketë vështirësi, pasi Taulanti është integruar plotësisht me stilin e jetës kanadeze dhe ka për t’ia lehtësuar Jetës dhe djemve të saj integrimin social. Sa për atë profesional, nuk ia kemi frikën psikologes, pasi ajo ka një profesion që shteti kanadez e ka në top listën e profesioneve të kërkuara./Panorama/