Kastriot Islami: Rama ia ka dhënë zgjedhjet me ‘konçension’ klaneve mafioze…
2013, kriminalizimi i parlamentit…
Në zgjedhjet e 2013, Rama vendosi në qarqet e veriut e në zonat bastione të PD, kandidatë për deputetë i) individë me rekorde të tmerrshme kriminale dhe/ose ii) individë të pasuruar në mënyrë të dyshimtë përmes lejeve të ndërtimit në bashkinë e Tiranës, tenderave të fondeve publike apo përfitimeve nga privatizimet e pronës publike. Ata nuk erdhën rastësisht në politikë sic Rama përpiqet të mashtrojë shqiptarët e ndërkombëtarët, por ishte Rama që e ideoi, frymëzoi e orkestroi këtë lidhje direkte mes politikës e krimit, mes politikës e korrupsionit, mes qeverisë dhe oligarkisë, me qëllimin e marrjes së pushtetit dhe kapjes e mbajtjes së karrikes së kryeministrit. Me paratë që zotëronin këta individë u blenë votat dhe me forcën që buronte nga lidhjet kriminale u kërcënuan votuesit. Ishte hera e parë në 2013, pas 22 vjetësh, që në raportin e OSBE/ODHIR të deklarohej si lloj manipulimi: blerja e votës me para në dorë. Po ashtu raporti i OSBE/ODHIR do të evidentonte tjetërsimin e votës përmes kërcënimit të votuesve nga individët me rekorde kriminale. Pas 2013, Shqipëria do të shndërrohej vendi i vetëm në Europë me deputetë me rekorde kriminale, krime të cilat i kanë kryer në vendet e BE. Për këtë arsye, parlamenti europian do të kërkonte një ligj për dekriminalizimin e parlamentit e të administratës publike. Vetëm në sajë të opozitës, përmes veprimeve të saj të guximshme deri në përplasje fizike në kuvend me individë me rekorde kriminale të kthyer në deputetë nga Rama do të arrihej që lidhja e krimit me politikën të vendosej në axhendën e kuvendit shqiptar dhe të parlamentit europian, ndonëse individë të veçantë, përfaqësues të vendeve apo institucioneve ndërkombëtare do të kompromentoheshin nga Rama dhe kupola e qeverisjes “oligarkike-kriminale” për të heshtur, për të mbuluar këtë dukuri apo për të shkruar raporte të zbehta e të dykuptimta për lidhjen e krimit me shtetin dhe të shtetit me drogën e trafiqet që Rama do ti trajtonte si mbështetje ndaj tij.
2015, kanabizimi i vendit…
Dy dukuri do të ishin risitë e qeverisjes së Rilindjes në 2013-2017: i) kriminalizimi i parlamentit pra vendosja e lidhjes direkte mes politikës e krimit, ndryshe do të thoshte që shumë individë me rekorde kriminale do të vishnin kostumin e deputetit duke zëvëndësuar profesorët e deputetët e ndershëm, dhe ii) prania në parlament e individëve me pasuri të dyshimta, pra njësimi i politikës me oligarkinë, thënë ndryshe ,“politikanët” e kupolës drejtuese do të ktheheshin në oligarkë dhe oligarkët nga biznes-media do të transformoheshin në politikanë. Kjo do të fillonte të ndodhte me zgjedhjet e 2013, e do të vazhdonte më tej e thellohej në zgjedhjet vendore të 2015. Kur kësaj skeme do të fillonte ti dilte boja, Rama do të fuste në lojë, skemën e “kultivimit të kanabisit”, një teknologji e re për të tjetërsuar votën e qytetarëve, i) përmes skllavërimit të votuesve të varfër që do të kultivonin kanabis për një kafshatë buke dhe ii) pasurimit të oligarkisë drejtuese, të cilët një pjesë të fitimeve të majme do ti përdornin për ushqyer ushtrinë e individëve me rekorde kriminale që kërcënonin votuesit, për të blerë votat me para në dorë, për të joshur apo friksuar votuesit përmes lejimit selektiv të kultivimit të kanabisit në shkëmbim të votave. Kësaj skeme, të menaxhuar nga rrjeti i policisë nën drejtimin e drejtëpërdrejtë të Saimir Tahirit që do të vendoste lidhjet me klanet mafioze të kultivimit dhe trafikut te drogës, do ti dilte boja po ashtu shumë shpejt por ajo do të kishte ndikim në rezultatin e zgjedhjeve të 2015 dhe të 2017. Informacionet e fundit nga autoritetet italiane janë provat dhe faktet kokëforta të lidhjes së shtetit me trafikantët e drogës, me klanet mafioze, të cilat një pjesë të konsiderueshme të parave të pista (sic e deklarojnë vetë nga bisedat mes tyre) do ta përdornin për pasurimin e minsitrit që ishte në bashkëpunim me to dhe zyrtarët e lartë të policisë e ushtrisë që do të lehtësonin veoprimtarinë e tyre, por ajo që është më e rënda, një pjesë të këtyre parave të pista të fituara nga trafiqet e drogës e të armëve do të shkonin për makinerinë e manipulimit të zgjedhjeve.
2013-2017, politikanët bëhen oligarkë dhe oligarkët bëhen politikanë…
Rama i diskretituar nga angazhimi haptas i individëve me rekorde kriminale dhe i oligarkëve në zgjedhjet e 2013 dhe 2015, tentoi në zgjedhjet e 2017 të maskonte skemën dhe teknikën e tjetërsimit të votave. Në krye të shtabeve elektorale vendosi “personazhe politike”, pra politikanë të transformuar në oligarkë që gjatë mandatit 2013-2017 ishin stigmatizuar si personazhe të implikuar në afera të mëdha korruptive dhe/ose të lidhur ngushtësisht me individë me rekorde kriminale. Këta “politikanë-oligarkë do të përbënin kupolën oligarkike- kriminale të qeverisjes Rama. Ndërkohë Rama do të shmangte kandidimin direkt të oligarkëve-kandidatë pra të disa individëve me rekorde kriminale tashmë të “zbuluar” nga beteja e opozitës dhe ndërhyrjet energjike të partnerëve ndërkombëtarë, duke i udhëzuar ata të qëndronin në prapaskenë, duke nxjerrë në plan të parë si kandidatë për deputetë, fëmijtë e tyre, të afërmit e tyre, miqtë e tyre, e tjerë. Kjo skemë e re e angazhimit të individëve me rekorde kriminale do të aplikohej për të siguruar nga njëra anë “kontributin e tyre të vyer” për tjetërsimin e votës në shkëmbim të përfitimeve pas marrjes së pushtetit dhe nga ana tjetër për të fshehur nga sytë e partnerëve ndërkombëtarë rolin e këtyre individëve me rekorde të tmerrshme kriminale. Kështu Rama mendonte se do të rezultonte vetë i “pastër”, ndërkohë që do të arrinte të njëjtin objektiv me të njëjtët individë por të maskuar apo fshehur nën vellon e “fëmijve, kushurinjve, të afërmëve të tyre” apo përmes disa partive periferike.
Pas 2015, shqiptarët e pashpresë e gjejnë zgjidhjen vetëm te emigrimi…
Raporti i OSBE/ODHIR i zgjedhjeve 2017 përsëri, pavarësisht manovrave të Ramës për maskimin e skemës së tij të tjetërsimit të votave, evidentoi qartësisht blerjen e votës dhe kërcënimin e votuesve. Rama, ndonëse e fitoi i vetëm “tepsinë” e pushtetit ishte dhe është tejet i shqetësuar se të gjithë e kanë të qartë që maxhoranca aktuale është ilegjitime në sytë e shqiptarëve e të partnerëve për shkak se vota u ble dhe votuesit u kërcënuan. Shumica e shqiptarëve të ndershëm tanimë e kanë të qartë se në zgjedhjet e 2017 Rama përdori një skemë të maskuar të tjetërsimit të votave duke ja dhënë zgjedhjet me koncension “klaneve mafioze” e oligarkëve, të cilët do të vazhdonin të blenin votat e kërcënonin votuesit në të njëjtën mënyre por me shpresën se kështu s’do të binte në sy roli i Ramës për tjetërsimin e votave e ndërkohë do të sigurohej mbajtja e pushtetit nga e njëjta klientelë dhe nga të njëjtat përfaqsues të interesave të korrupsionit, oligarkisë e klaneve mafioze. Këtë pohojnë vetë “trafikantët” e interceptuar nga autoritetet italiane, të cilët në këtë rast shërbejnë si furnizues të parave që përdoreshin për fushatën elektorale dhe blerjen e votave. Kurse tani që presioni ndërkombëtar është rritur, duke u zbuluar në sytë e të gjithëve lidhja mes drejtuesve të lartë të shtetit e policisë dhe klaneve mafioze, Rama nuk heziton të bëjë kurban gjithkënd për të shpëtuar lëkurën e tij… Nga ana tjetër, shqiptarët janë më të pashpresë dhe më të prirur se kurrë më parë për tu larguar nga vendi; rreth 60 përqind e tyre duan të emigrojnë. Ndërkohë të gjithë ata që s’mund të largohen presin me padurim ndëshkimin e ministrave të implikuar në afera korruptive dhe largimin e kësaj qeverisje, drejtuesit të saj Rama, të cilët së bashku janë përfaqësues të interesave të “oligarkisë, korrupsionit, klaneve mafioze e krimit…”. Shqiptarët ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar këtë situatë, sidomos kur shikojnë sesi Rama shpëton Tahirin sepse Tahiri kërcënon Ramën. Kjo është një arsye e fortë që ata i kanë drejtuar sytë te ndërkombëtarët, një pjesë të të cilëve deritani Rama është përpjekur t’i kompromentojë me paratë e korrupsionit, krimit e kanabisit.