“Kthimi i ushtrisë së vdekur” i Anagnostit, në festivalin e filmit në Selanik
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik prezanton Fokus në Kinemanë e Ballkanit si program special në këtë edicion të 58-të. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit prezantohet në festival me veprën filmike “Kthimi i ushtrisë së vdekur” me skenar dhe regji nga Dhimitër Anagnosti. Eriona Vyshka specialiste pranë AQSHF bën me dije se krahas fokusit tek kinemaja shqiptare përmes filmave të Viktor Gjikës në “Tirana International Film Festival”, një tjetër festival i rëndësishëm në rajon vë fokusin tek kinematografia jonë. Premiera greke e filmit të Dhimitër Anagnostit “Kthimi i ushtrisë së vdekur” prodhim i vitit 1989 pati dy projeksione në Thessaloniki International Film Festival në datat 8 dhe 10 nëntor, në seksionin Balkan Survey: From Words to Images – Balkan Literature and Cinema. “Në festival është një seksion për filmat, letërsia dhe kinemaja dhe filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” i Dhimitër Anagnostit prodhuar në vitin 1989, bazohet në romanin e shkrimtarit Ismail Kadare me titullin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Filmi u shfaq më datë 8 nëntor dhe më datë 10 për publikun”, u shpreh mes të tjerave Eriona Vyshka specialiste pranë Arkivit të Filmit. Kuratorë të festivalit të filmit në Selanik janë Dimitri Kerkinos dhe Ana Grgic, i cili në këtë edicion të 58 ka një numër filmash nga vende të ndryshme. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik është bërë një nga prezantimet kryesore të Europës Juglindore edhe për filma të rinj. Veprimtaria e festivalit përmban seksionin ndërkombëtar, panoramën e filmave grekë, programin “Horizonte të Reja”, studimin Ballkanik, si dhe retrospektivave të shumta, por dhe homazheve të figurave udhëheqëse në botën e filmit. Festivali është konkurrues me jurinë e Seksionit Ndërkombëtar, që jep disa çmime çdo vit, më së shumti “Aleksandri i Artë” për filmin më të mirë.