Si t’i legalizoni puset e ujit?
Nevojat për furnizimin me ujë të familjeve kryesisht në zonat rurale ka shtyrë qytetarët të hapin puse me dhe pa leje para viteve ‘90 dhe gjatë viteve të tranzicionit.
Por që të zotërosh një pus dhe ta shfrytëzosh atë duhet të kesh marrë një leje apo autorizim sipas ligjeve të miratuar vitet e fundit.
“Kemi jo qindra po mijëra puse pa leje. Këshillat e baseneve ujore janë të vetmet organizma vendimmarrëse që mund të pajisin me autorizim ose leje”, thotë Arben Pambuku, Drejtor i politikave të burimeve ujore, për Balkanweb.
Zotërimi i një pusi që mbledh ujërat sipërfaqësor pranë familjes dhe që është i hapur jo më shumë se 15 metra thellësi, bazuar në një vendim të këshillit të ministrave të dhjetorit të vitit të shkuar, për familjet që nuk kanë akses në ujësjellës, nuk ka tarifa.
“Në rast se përdorin ujin nëntokësor i cili është shumë i çmuar dhe na shkakton problematika, kemi vendosur tarifa. Për ujërat sipërfaqësorë, që nënkupton një pus të hapur nën 15 metra në oborrin e një familjari, nuk ka tarifa kur përdoren për pirje dhe qëllime familjare”, shpjegon Pambuku.
Ja çfarë parashikon vendimi i Këshillit të Ministrave i dhjetorit të vitit 2016 për biznesin përdorues të burimeve natyrore.
“Të gjitha bizneset i nënshtrohen pagesës së tarifës për përdorim si të ujit sipërfaqësor ashtu edhe të ujit nëntokësor. Gjithmonë tarifimi i ujit nëntokësor është dy herë ose tre herë më i lartë se ujërat sipërfaqësor për shkak se dëmtohet rezerva natyrale nëse do arrijmë në kushtet e mbishfrytëzimit të nëntokës”, shprehet Pambuku.
Edhe pse fillon në 2018 aksioni kundër paligjshmërisë, qytetarët dhe bizneset kanë kohë për të legalizuar pusin edhe disa muaj por çfarë parashikohet nëse ndodh e kundërta?
“Tarifa e gjobës minimale për familjarët është 100 mijë lekë të reja dhe në rastet e një biznesi maksimalisht është 500 mijë lekë të reja.”
Një pus që hapet dhe certifikohet merr një leje 5-vjeçare e cila duhet rinovuar gjë e cila nuk ka ndodh dhe praktikisht në Shqipëri të gjithë puset janë pa leje. Vetëm gjatë 2017 kryesisht bizneset kanë aplikuar për këtë leje.
“Ka pasur puse me leje. Meqenëse afatet kanë qenë 5-vjeçare pothuajse të gjitha afatet e puseve që kanë pasur leje, sot quhen edhe ato pa leje, duhet të rinovojnë lejet. Në radhë të parë janë bizneset që janë ndërgjegjësuar dhe që e dinë se duhet paguar uji dhe duhet të operojnë me leje dhe pastaj individë të ndryshëm edhe ata kanë filluar aplikimet për t’u pajisur me leje. Konkretisht lejet e para që mund të jenë dhënë gjatë këtij viti mund të jenë 200-250 leje”.
Specialistët flasin edhe për rreziqet që mund të ketë shfrytëzimi keq i një pusi të hapur në zonat rurale, i cili mund të kontaminojë të gjithë pellgun ujëmbledhës të zonës.
“Shumica e puseve në fshatra janë ngjitur me vendin ku mbajnë bagëtinë. Që do të thotë një mundësi e jashtëzakonshme për t’u ndotur pusi nga nitritet. Shumica e gropave septike që janë në oborret e shumë fshatrave janë përsëri në të njëjtin territor me vendin ku është ndërtuar pusi. Nëse pusi nuk është çimentuar të paktën në pjesën e tij sipërfaqësore ose 1-2 metra poshtë sipërfaqes së pusit është maksimale mundësia e ndotjes me nitrite”.