Akuza të rënda kompanisë ‘Vodafone’ për praktikat e ndjekura në tregun afrikan
Një investigim i Finance Uncovered Network, kryer për llogari të “The Observer” tregon për praktikat jotransparente dhe korruptive që operatorë të ndryshëm perëndimorë të fushës së telekomit, kanë ndjekur gjatë depërtimit në tregun afrikan. Tregu në fjalë ka qenë në shpërthim në dy dekadat e fundit dhe mund të merret me mend marzhi i fitimit. Por terreni i investimeve ka përcaktuar edhe ecurinë e tyre.
“Shpesh operatorët perëndimorë që donin akses në një vend të cakuar do të duhet të zgjidhnin mes pranimit të qeverisë si aksionere, apo dhënies së një pjese të aksioneve ndaj “investitorëve lokalë”, shkruan “The Guardian” në riqarkullimin që i bën investigimit.
https://www.theguardian.com/world/2017/nov/12/vodafone-wealthy-elites-mo…
Te partnerët lokalë qëndron edhe çelësi i korrupsionit, pasi qeveritë e këtyre vendeve i zgjedhin këta partnerë si njerëz të vetët për të siguruar pjesëmarrje në treg. Vodafone përmendet me emër si një ndër kompanitë kryesore që ka ecur sipas këtyre praktikave. Rasti i Tanzanisë është emblematik në këtë kuadër, por edhe Kenia nuk mbetet pas. Në vitin 1999 Vodafone bleu 40% të aksioneve të kompanisë shtetërore Safaricom për 42 milionë dollarë. Më vonë doli se Vodafone ishte “këshilluar dhe ndihmuar” në këtë lëvizje nga një kompani e quajtur Mobitelea. Dy vjet më pas Vodafone i shiti aksionet kësaj kompanie me çmimin e vitit 1999 duke e bërë de facto pjesë të aksioneve të kompanisë shtetërore. Pjesëmarrja e kësaj kompanie në këto lëvizje u zbulua vetëm në vitin 2007 dhe askush nuk di kush qëndron pas saj, por spekullimet janë se lëvizjen në fjalë e kanë menaxhuar njerëz të afërt të kryeministrit Daniel arap Moi, që ishte edhe ai që lejoi Vodafone të futej në tregun kenian. Vodafone nuk pranoi të bënte publik identitetin e atyre që qëndronin pas Mobitelea duke nxjerrë si pretendim konfidencialitetin tregëtar.
Por nuk është vetëm Tanzania dhe Kenia. Investigimi vë gishtin edhe në një tjetër rast: Mozambikun ku përfshihet direkt presidenti i vendit, e veja e Nelson Mandelës dhe një enturazh individësh që thjeshtë gjenden në vendin e duhur e lidhjet e duhura.
Shembujt e këtij investigimi në të vërtetë kanë rëndësi tjetër nga theksimi i rasteve të ndryshme. Ato sugjerojnë një model operimi në të cilin operatorë gjigandë si Vodafone janë mësuar ta adoptojnë dhe vënë në punë në vende të korruptuara dhe pa kontroll tregu. Është e vetvetishme të hamendësohet sesi ecën situata në Shqipëri, një vend ku operatorët e telekomunikacionit ulën çmimet vetëm pas disa vitesh, ata nuk janë hetuar asnjëherë, veprojnë në treg me rregulla që rrallë ndryshohen dhe ku një agjenci rregullatore si AKEP është në xhepin e tyre. Le të sjellim në vëmendje se para disa vitesh, Parlamenti ndërmori një nismë për hetim parlamentar në këtë treg. U hodhën akuza në ajër se kompani të ndryshme janë sponsor elektoralë, se mes aksionerëve fshihet edhe ndonjë apo disa politikanë, majtas dhe djathtas dhe se kontratat lokale për thirrjet nga jashtë janë të tilla që nëse do të zbardhen dhe hetohen do të nxjerrin shumë të papritura.
Këtu nuk është çështja vetëm te kompani si Vodafone, e cila duhet të japë llogari në agjencitë britanike, por te agjencitë shqiptare dhe institucionet që duhet të veprojnë për të hetuar lidhje dhe deformimin e tregut me një faturë të kripur për qytetarët. Pa folur për një problem edhe më serioz: ruajtjen dhe administrimin e të dhënave, për të cilat nuk flitet thuaje asnjëherë. Është e vështirë të mendohet se një qeveri që nuk kontrollon dot ujërat e zeza, të ketë vullnet, apo aftësi të ndjekë transaksionet e kompanive të tilla.