Gazmend Leka, ekspozitë në FAB për Anastas Kostandinin
“Taso” quhet ekspozita që rikthen në Galerinë FAB më 15 nëntor piktorin Gazmend Leka. Një mori pikturash frymëzuar nga miqësia me piktorin pogradecar Anastas Kostandini; i njohur me emrin Taso. Për kuratorin Ermir Hoxha gjeneza e kësaj ekspozite është e thjeshtë. Një vit më parë, kur buzë gjolit të Pogradecit, dy miqtë e vjetër Gazi dhe Taso u takuan, një fotografi e zakonshme, si çdo foto e realizuar pa mendje (gati vjedhurazi), u premtua si subjekt për pikturë.
E sikurse ndodh zakonisht, subjekti i kapërceu shpejt pritshmëritë e vetvetes, duke u shpërbërë në shumë copëza, si një hetim ekzistencial mbi vetë fenomenin. Për Hoxhën si dëshmitar, ishte e thjeshtë. ” E thjeshtë, sepse isha aty që në fillim të ngjizjes së veprës. E thjeshtë sepse, që në fillim, Gazi nisi të më tregonte për foton që e kish pikasur në studion e Tasos, mes qindrave syresh, pranë zjarrit të vatrës, rrethuar nga pikturat, grafikat e vizatimet e pafundme. Ajo foto e kish thirrur instinktivisht, si padashje, me forcën goditëse të dritës së mëngjesit, dritë që secili prej tyre e kish përthyer dallueshëm ndryshe. Ajo foto e kish thirrur me shijen e lirisë, të këmishës së kuqe, rrethuar me peizazhin e provincës, si dikur impresionistët, me kapelat mbi sy, në fushat e Provansës.
Ajo foto e kish thirrur si një imazh familjar, parë dikur në peizazhet e rinisë së hershme, gjatë viteve të Liceut Artistik, kurse sot ofrohet si tingulli i një dashurie të vjetër, që natyrshëm të rikujton vetveten”; thotë Hoxha. Pas joshjes së parë, Leka do të ndiqte instinktin e tij, duke e kthyer foton në subjekt të përzgjedhur për një ekspozitë. Për gati një vit, ajo foto me Tason në qendër, u projektua mbi vetveten në një varg veprash. Mes dyshimeve, ankthit dhe etheve të krijimit, “tradhtia” ndaj strukturave, prekur në dekada, prodhoi një udhëtim të ri, larg heronjve të qiellit a tokës, larg kodeve të agut, a mitologjive të qytetërimeve të humbura. Gjeti si hero të tij Tason…, një hero tjetër, një simbol që për të mishëronte piktorin “par excellence”. Ekspozita në dukje prezantohet e thjeshtë. Imazhi i përsëritur kokëfortësisht, në dimensione të ndryshme, shpërndahet në hapësirë si copëzat e një mozaiku, herë në vetën e parë e herë vetëm si frymë. Përsëritja e tij, nuk synon shumëfishimin e tij sipërfaqësor, por ripropozon pikërisht të kundërtën e saj.
Me forcën e shenjës plot gravitet, imazhi i Tasos, hapet e mbyllet si një kuadër filmik, copëzohet, ribashkohet për shtresëzim, gjithnjë me këmishën e kuqe, kapelën mbi sy, përkuljen apo përuljen përpara telajos, penelin në dorë e tavalocën me gjurmë ngjyrash. Është shëmbëlltyra e piktorit në “atelienë” e tij, në peizazh. Subjekti është po ai, ndërkohë që piktura thërret nga brenda me gjuhën elokuente të autorit. Ekspozita “Taso” duket sikur bie ndesh me ekspozitën e tij të fundit, “Natura morta”, ku imazhi i minutës së fundit të personaliteteve botërore, qëndron ende pezull në Galerinë F.A.B. si pikëpyetje mbi momentin e kalimit. “TASO” është thjesht … “Natura”. Fenomeni Edhe fenomeni është i thjeshtë. I thjeshtë për t’u kuptuar, me artistin e vendosur në qendër të kompozimit, rrethuar nga shtëpitë e ulëta, në vendlindje, me pemët e larta, liqenin e gjerë, pulat që çukisin farëzat dhe rrobat e nderura për tharje. Vendosja e tij në qendër është në sintezë, perceptimi i tij si fenomen, sa estetik aq dhe ekzistencial. Është një dedikim për atë, për mikun e për piktorin që shpesh studio të tij ka natyrën. Është dedikim për artistin e “provincës” që muajt e verës kthehet e bëhet kryeqytet, gjendur si për fat, larg zhurmave urbane, në një dialog gati ezaurues e të heshtur me vetveten. Ekspozita është ftesë për të kuptuar dedikimin për të. Është ftesë e projektuar në shumë telajo me imazhin e përsëritur, ofruar si gulçime ekzistenciale, herë rrëqethëse e herë romantike.
Herë të tjera, ajo duket thjesht si tentativë e Gazit, për të rikujtuar një pjesëz të harruar të vetvetes. Në optikën e re, atë bashkëkohore, ku një pjesë përballet me globalizimin e artit të angazhuar, ekspozita në vetvete është si një ftesë mbi kuptimin e ekzistencës së thelbit të artistit, duke e vendosur atë për një moment, thjeshtësisht, në qendër të vëmendjes e diskursit estetik. Sikurse radiografia e një kronike të paralajmëruar, ajo është një ftesë për të kuptuar artistin në periferi të kryeqytetit, të kryeqytetit në periferi të rajonit dhe të rajonit në periferi të kontinentit. Sepse siç e do dhe shprehja… qendra dhe periferia është vetë artisti./Shqip/