Gjergj Thanasi: Pse hesht Komandanti i Përgjithshëm Ilir Meta?!
Për personin nën hetim Sajmir Tahiri u shprehën të gjithë faktorët politikë nga kryeministri Edvin te shefi i opozitës (De Facto) Berisha. Foli edhe Vasili i LSI-së madje edhe Mediu i republikanëve. Folën me raste edhe me të tepërt edhe kryetarë dhe ish kryetarë partish me shumë pak ose me hic anëtarë si z. Ngjela, apo si Z. Kreshnik Spahiu. Vetëm dy persona heshtën, absolutisht heshtën. Brisida Shehaj ish drejtoreshë e përgjithshme e tatimeve dhe aktualisht drejtoreshë e AIDA-s (Agjensia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve) normalisht, që heshti. Fatkeqësisht heshti edhe Presidenti i Republikës Sh.T. Ilir Meta.
Është e pakuptimtë që të heshtë për Habilajt e drogës e jo vetëm, për personin nën hetim Tahiri dhe sidomos për radarët e QNOD-në Ilir Meta. Presidenti i Republikës nuk mund të justifikohet se në vend të tij foli, madje sokëlliu, bashkëshortja Kryemadhi me tagrin e kryetares së LSI-së, partisë opozitare virulente anti Rama. Presidenti Republikës edhe në kushtet e sotme, kur i janë qethur kompetencat kare kinezçe, ka ende disa kompetenca thelbësore në fushën ushtarake. Ai fjala vjen është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. QNOD-ja, qendra interoperacionale në Plepa të Durrësit është në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Radarët e mbikëqyrjes së hapësirës detare janë nën “hyqmin” e kësaj ministrie. Komandanti i Përgjithshëm mban përgjegjësi dhe normalisht ka tagër të kërkojë llogari jo thjesht informacion për gjeneralët e kolonelët, që komandohen nga ky komandant i përgjithshëm, përfshirë edhe gjen/brigade Zyber Dushkun aktualisht drejtor i QNOD-së. Nëse Komandanti i Përgjithshëm Meta hesht automatikisht bëhet bashkëfajtor me Mrikën e Lulzimes. Mban përgjegjësi të paktën përsa i përket përdorimit nga Habilajt të radarëve të ushtrisë shqiptare blerë me paratë e takspaguesve shqiptarë për t’i varur kollaren radarëve grekë në Ishullin e Korfuzit dhe atë të Othonit dhe për ti mundësuar lundrim të sigurtë peshkarexhës italiane ngarkuar me kanabis. Aleatët tanë të NATO-s, nëse komandanti i përgjithshëm hesht, do ta kenë të vështirë ta konsiderojnë si aleat të besueshëm, të ndryshëm nga kryeministri Edvin dhe shpura e tij plot geisha dhe samurajë veshur me minifund!
Dekorimi i policit hero Zagani
Një nga kompetencat e pakta, që i kanë mbetur Presidentit të Republikës, është edhe dhënia e dekoratave dhe titujve të nderit. Pikërisht këtë kopetencë mund ta shfrytëzojë Sh.T. Ilir Meta për të dhënë një mesazh anti kanabis, anti Ramë, pro policëve të ndershëm dhe të sakrificës. Mjafton, që Presidenti të dekorojë policin Zagani, i cili denoncoi ministrin e atëhershëm të brendshëm dhe personin aktual nën hetim Tahiri për lidhje me Habilajt e drogës. Me një dekorim të tillë Presidenti ka dhënë sinjalet e mësipërme, njëkohësisht u ka treguar aleatëve të NATO-s se në Shqipëri ka edhe politikanë anti drogë, sic ka edhe politikanë pro drogës. Polici profesionist dhe qytetari kurajoz Zagani e meriton të dekorohet. Ai veproi si trim i vetëm kundër të gjithë regjimit Rama përfshirë edhe “sahanin mediatik” të kryeministrit Edvin. Kur polici i ndershëm Zagani faktonte me aq sa mundte lidhjet e personit të sotëm nën hetimTahiri me Habilajt, drogën dhe minimumi një dyzinë AK 47, ambasadori Donald Lu përgëzonte ministrin e atëhershëm Tahiri për ndërmarrjen e hapave të rëndësishme përpara në luftë kundra drogës (Sic!). Mjafton ky qëndrim i policit profesionist dhe guximtar Zagani, që të dekorohet para qindra e qindra personazhesh të dyshimta, që kanë marrë dekorata në Shqipëri pak a shumë ashtu sic bliheshin diplomat (edhe sic blihen xhanëm) në “unversitetet” punishte prodhimi diplomash.
Le të shrpesojmë se Sh.T. Ilir Meta, President i Republikës do t’i ushtrojë kompetencat e tija si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Aramtosura të Republikës së Shqipërisë si edhe kompetencat për dhënien e dekoratave dhe të titujve të nderit!