Kosta Barjaba: Ju tregoj për dy akademikë të shquar europianë
Para pak kohësh pata nderin të marr pjesë në takimin e përfaqësuesve të botës akademike e universitare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Paris. Bashkë me shkencëtarët ballkanas, në takim ishin edhe kryetarët e akademive të shkencave të Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë, Slovenisë dhe Kroacisë. Takimi u fokusua në dy tema thelbësore për rajonin: nxitja e formimit të shkencëtarëve të rinj, si një burim i fuqishëm projektimi dhe zhvillimi të rajonit dhe fuqizimi i sinergjisë midis arsimit e inovacionit dhe rritjes ekonomike e punësimit.
Por po i le mënjanë këto tema. Në këtë shkrim dëshiroj t’i tregoj lexuesit për Presidentin e Akademisë Franceze, Sébastien Candel, dhe Presidentin e Akademisë Gjermane Leopoldina, Jörg Hacker. Nuk e teproj kur them se ata janë ndër burrat më të mënçur të kontinentit. Gjatë ditëve të Konferencës u habita me përkushtimin shkencor, institucional dhe njerëzor të tyre në shërbim të bashkëpunimit shkencor të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian. Edhe me vizionin e tyre, si udhëheqës të këtij procesi. Dhe që gëzonin si fëmijë, për çdo avancim në tryezat e debateve të Konferencës. Të cilat vuajtën ndonjëherë edhe nga sëmundjet e vjetra ballkanike.
Akademiku Sébastien Candel dhe Akademia e Shkencave e Francës
Akademiku Sébastien Candel është President i Akademisë së Shkencave të Francës. Një ndër fizikantët më të shquar të vendit të vet. Autor studimesh e botimesh të vlerësuara nga industritë kryesore të vendit të tij, të kontinentit e të globit. Profesor vizitues në universitetet më të njohura të botës. Fitues çmimesh e urdhërash shkencore dhe të meritave shkencore, publike e intelektuale. Anëtar i jashtëm i disa prej akademive më prestigjioze të botës. Mendja e jashtëzakonshme e këtij 72 vjeçari i shërben vendit të vet, por edhe shkencës botërore, me pasion dhe energji rinore. Gjatë Konferencës së Parisit mbi bashkëpunimin shkencor në Ballkanin Perëndimor, mendjen, pasionin dhe energjitë i vuri në shërbim të rajonit tonë. Specifikisht, edhe të shkencës dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.
Akademia e Shkencave e Francës, themeluar në vitin 1666 nga Luigji XIV, është njera ndër pesë akademitë e Institutit të Francës. Instituti, nga ana e vet, është themeluar në vitin 1795 nga qeveria e Francës. Misioni i Akademisë është të inkurajojë dhe të mbrojë frymën e kërkimit shkencor në Francë. Si njera ndër akademitë më të vjetra të shkencave, është në ballë të progresit të kërkimit shkencor në Francë, Europë, madje në gjithë planetin. Anëtar, madje edhe President i saj, ka qenë edhe Napoleon Bonoparte. Ndërsa ndër shkencëtarët e njohur, anëtar e President ka qenë edhe matematikani, fizikani dhe filozofi i famshëm Poincaré. Akademia e Shkencave e Francës ka qënë nën ombrellën dhe kujdesin e autoriteteve të ndryshme të Francës: perandorëve, mbretërve, presidentëve apo kryeministrave. Por gjithmonë ka mbetur e pavarur. Dhe u ka mbijetuar dallgëve, ngado që kanë ardhur ato.
Akademiku Jörg Hacker dhe Akademia Kombëtare e Gjermane, Leopoldina
Jörg Hacker është President i Akademisë Kombëtare të Gjermanisë, Leopoldina. Mikrobiolog nga profesioni, nën lidershipin e tij kanë shkëlqyer mjaft institucione kërkimore e shkencore të Gjermanisë. I ftuar nga mjaft universitete të njohura të botës, për të qenë pjesë e ekipeve të tyre kërkimore apo drejtuese, por nuk është tunduar të lejë atdheun e tij, Gjermaninë. Doctor Honoris Causa i mjaft universiteteve prestigjioze. Këshilltar shkencor i mjaft organizatave e forumeve të rëndësishme botërore. Ndoshta më shumë se çdo akademik tjetër.
Akademia Kombëtare e Gjermanisë, Leopoldina, është akademia më e vjetër e botës në fushën e shkencave natyrore dhe mjekësore, themeluar në vitin 1652, dhe pa asnjë vit ndërprerje në historinë e saj. Anëtarë të saj kanë qenë, midis të tjerësh, Marie Curie, Darwin, Einstein, Goethe, Humboldt, Max Planck etj. Aktualisht, anëtarë të saj janë jo vetëm shkencëtarë të shquar gjermanë, por edhe nga mbi 30 vende të botës. Leopoldina është përfaqësuesja më e lartë e komunitetit shkencor të Gjermanisë, zëdhënësja e kombit të vet për çështjet më të rëndësishme të shkencës dhe zhvillimit, këshilluesja më autoritare dhe e pazëvëndësueshme e qeverisë së Gjermanisë, udhëheqëse e debatit shkencor dhe publik, mbështetëse e shkencëtarëve të rinj gjermanë dhe europianë. Madje edhe shqiptarë. Gjatë jetës së saj katërshekullore u ka mbijetuar shumë furtunave, por ja ku është: ekselente, hijerëndë dhe imponuese.
Pse ia prezantova lexuesit këta dy burra të mençur?
Jörg Hacker dhe Sébastien Candel janë presidentë të akademive të shkencave të vendeve të tyre. Por unë mendova tua paraqes lexuesve dhe publikut shqiptar, si mirënjohje për kontributin e tyre të shquar në promovimin e shkencës dhe jetës akademike në vendet e Ballkanit Perëndimor, midis tyre edhe në Shqipëri. Po të ishte për ne, akademikët ballkanas, ndoshta konferenca e Parisit nuk do të kishte përfunduar ende. Një pjesë të mirë të kohës së saj “na e hëngri” një çështje tipike ballkanike. Por fatmirësisht, dilema u zgjidh. Zgjidhja erdhi edhe sepse akademikët e Shqipërisë, Kosovës dhe Austrisë folën me një zë. Por më shumë zgjidhjen e solli mënçuaria, urtësia dhe finesa e dy akademikëve të mëdhenj europianë, Jörg Hacker dhe Sébastien Candel. Ky shkrim modest është një shlyerje e borxhit që ndjej se kam ndaj tyre.