Kostandina dhe Marie Poradeci, letër falenderimi në përvjetorin e Lasgushit
E nderuar Zonja Ministre e Kulturës,
I nderuar Zoti Shalsi,
Të nderuar pjesëmarrës,
Duke mos mundur, për arsye madhore, të marrim pjesë në këtë përkujtimore të organizuar për babanë tonë të nderuar, e ndiejmë për detyrë të falënderojmë nga zemra, të gjithë ata, që u kujdesën edhe derdhën mund, për organizimin e saj, si dhe mbarë mirëdashësit e pranishëm.
Po citojmë diçka nga një shkrim i pabotuar i babait tonë:
“Me qënë që vetëm poetit i është dhuruar hiri i artit, vetëm ky mund të bëjë art dhe vetëm ky mund të flasë: ky atëhere flet nga vetëvetja, jo si të tjerët që papagalizojnë (thonë ç’thanë të tjerët). Ay që flet nga vetëvetja, gjithnjë mund të na thotë diçka të mirë. E vërteta është se gjithnjë, artistët janë ata që kanë gjykuar së pari një vepër arti (p.sh. Boccachio-ja mi Divinën Komedi) dhe pastaj kanë ardhur eruditët me syza që kanë bërë kritikat e tyre në historira literature, po dyke marë për bazë ç’thanë ata artistë. Dhe njeri repeton tjetrin. Përveç artistit, që krijon dhe shijon artin, ka dhe dashuronjësit e artit. Këta, dashuronjësit, e ndjejnë, po s’e bëjnë dot. Ndryshimi është se artisti dhe e shpren në formë artin, kurse ata që e ndjejnë artin nuk mundin dhe t’a shprehin. Ay që e ndjen, duhet të jetë si artisti dhe ay d.m.th. të ketë një respekt përpara artit, të mos jetë zevzek ose intrigant urrejtës. Kur është me këto defekte, d.m.th. se nuk ka dhuratën për të ndjerë artin, atë art që e kritikon nga urrejtja, pra nuk ka të bëjë asgjë me artin dhe s’është kompetent dhe duhet të heshtë, sepse gjykimi i artit është absolut – drejtësi e përgjithëshme, jo relative, urrejtje vetore, shkak vetor. Nuk duhet të ketë hasét vjershëtorin, se vjershëtori bën poezi, sepse, kur je vjershëtor, s’ke ndonjë meritë të veçantë që të jesh më lart se të tjerët që s’janë. Ti ke dhuratë dhe asgjë tjetër (kurse ay s’ka). Vetëm kur s’ke as dhuratë krijimi, as ndjenjë, domethënë kur je gjysmak (domethënë kategori ndërmjetëse) këtu vjen gjëma: atëhere urren, dhe në urrejtje gjykon shtrëmbër. Prova? Bëhet me poezitë e mbëdhaja”.
Më datën 12 nëntor 2017, mbushen plot 30 vjet, që Ti, babai ynë i dashur nise fluturimin, ashtu siç e kishe dëshiruar, nga atdheu yt, nga shtëpia jote dhe në krahët e dy vajzave të tua. Për mua dhe Kostandinën, kjo është një ditë e paharruar, sepse, pikërisht në këtë ditë, na u shemb mali ku mbështeteshim dhe jeta jonë do të ndryshonte.
Nuk themi “Të deshëm babà…. Por themi të duam babà sepse dashuria për ty nuk mbaron! Nuk themi ti jetove… por themi ti jeton! Sepse ti jeton në zemrën tonë, jeton brenda qënies sonë, je motiv i jetës sonë. Ti jeton babà, në zemrat e mijëra shqiptarëve, anë e mbanë botës. Dhe ti do të jetosh gjithmonë, sa do të jetojë edhe Shqipëria jote, sepse ti i fale asaj, ç’gjë më të bukur pate: I fale dashurinë e zemrës, pastërtinë e shpirtit dhe ëmbëlsinë e fjalës.
Ju urojmë të gjithëve mbarësi, jua shpërblefshim në të mira.
Kostandina Lasgush Poradeci dhe Marie Lasgush Poradeci.