Artan Lame: Ballkan pazar!
Këtë fundjavë rasti më hodhi në Liqenas, a Pustec si i thonë tani. Gjendem rastësisht pranë oxhakut në klub me një grup djem të fshatit. Pasi zëmë muhabet, unë:
-Ore, a s’më thoni ç’kombësi keni tamam-tamam juve këtu?
-Ne? Maqedonas.
-Ore lëre se c’thoni juve tani, po pleqtë ç’thonë?
-Nga pleqtë e kemi pra, maqedonas.
-Po ç’ne maqedonas, kur në kohën e pleqve s’kishte fare Maqedoni!?
Stepen pak, por pastaj ngulin këmbë:
-E kemi edhe nga pleqtë, jemi maqedonas.
-Ndoshta është më e saktë të thoni thjesht “sllavë”, se kjo e pleqve të qëmotshëm sikur s’ka kuptim, por nejse. Po në censusin e fundit si u rregjistruat?
-Maqedonas më të shumtit, po na e futën.
-Pse? Se na thanë që do na jepnin pashaporta për gjithë Evropën, pensione për pleqtë, punë, etj.
-Po Maqedonia s’është vetë në Evropë, si do ju jepte juve pasaporta për Evropë?
-Eee, kshu na thanë, po asgjë.
-Po më mirë të kishit kërkuar të bëheshit grekë se ata të paktën janë në BE- bëra shaka unë.
-E kanë provuar ca prej këtyre që janë në Greqi për pune, po aha, grekët s’na pranuan.
Duke ditur që këtu në Shqipëri sapo është njohur edhe pakica bullgare, i ngacmoj për shaka:
-Po pse nuk e provoni një herë të thoni që jeni bullgarë?
-Atë do bëjmë tani. E kemi folur dhe do deklarohemi të gjithë bullgarë.
-Po censusit si do ja bëni?
-Ehuuu, ai shkoj e vate. Kur të bëhet i riu, të gjithë bullgarë. Ca nga ne kanë marrë pasaportë bullgare dhe tani gjezdinsin ngado nëpër Evropë dhe si nget njeri.
Dhe unë, që e kisha nisur për shaka këtë punën e bullgarllëkut!
-Po si do ja bëni, do i dorëzoni pasaportat maqedonase?
-Po ç’t’i duam? Ca që marrin vesh nga kartat kanë bërë edhe pasaportë maqedonase edhe bullgare.
-Dy pasaporta?! Po shqiptaren.
-Ca e kanë edhe atë, po ato do i lëmë të gjithe, se s’duhen fare.
Nuk ma mbushi mendjen ky arsyetim i fundit, se nuk e di se sa është i mundur nga ana ligjore, pra që të jetojnë në Shqipëri me pasaporta BG dhe MK pa qenë fare shtetas AL.
-Po ambasadori maqedonas ka ardhur këtu?
-Ehu ka ardhur plot herë. Dhe më pershkruanin ceremonitë.
-Por po filluat që ca të bëhen bullgarë, do vijë edhe ambasadori bullgar?
-Po, edhe ai na ka thënë që do vijë.
-Po s’keni hall se do ju dalin rrena dhe do përplasen me njeri-tjetrin?
-Eee, se mos do i thërresim të dy në një ditë! Dhe qeshnin pa të keq.
Vazhduan edhe ca me arsyetimet e tyre naive, ku mund të gjeje gjithçka, interesa, nevoja, halle, llogari, por asnjë gjurmë nacionalizmi apo qoftë edhe patriotizmi, për cilindo prej vendeve që ju kish dhënë sidoqoftë dicka: Shqipëria tokën e lindjes, Maqedonia gjakun e të parëve, apo Bullgaria mundësinë për në Evropë.
Kur po çohesha të ndahesha me ta, u thashë:
-Epo atëhere, po qe kështu, ju nuk jeni as bullgarë e as maqedonas, jeni thjesht shqiptarë, sepse vetëm shqipot për hall bëhen ç’t’u dalë përpara.
Qeshëm të gjithë dhe u ndamë miqësisht.
Duke marrë nëpër shi të përpjetën e qafës së Prespës, bluaja me vete se sa rehat e në paqe do ishin tributë ballkanase nëse do i kishin lënë rehat të mbillnin e korrnin nëpër luginat e malet e tyre mijëvjeçare, pa i ngatërruar e bërë lëmsh nëpër fijet e karagjozllëkut te nacionalizmave mikroskopikë.