Balil Gjini: Gromësima e fundit e Levathianit
Nëse do ta besonim me të vërtetë se shteti i ngjan Levathianit, monstrës që jeton në thellësitë më të errëta të ujërave detare, dhe do të dalë prej andej menjëherë pas Apokalipsit, atëherë do të thoshim se fitorja e Ramës në zgjedhjet e fundit i ngjan gromësimës së Levathianit. Pasi ka kollofitur pulëbardha votash, llokma premtimesh, përbindëshi ka bërë gabimin e madh dhe ka dalë në bregun e fitores dhe aty po shullëhet nën rrezet e diellit të suksesit.
Por, kujdes! Jo vetëm ngaqë te fitorja ka gjithmonë diçka mediokre e të rëndomtë (siç ftillon Sabato), por më shumë ngaqë kjo fitore është e mbarsur me farëra të hidhura (vjedhje votash, rrënjë hashashi), s’ka se si të mos lindë fëmijë shëmtaraqë. Në vendet tropikale jetojnë disa bimë opiumike të quajtura madërgona. Janë mrekullisht të bukura. Lart, kërcelli i tyre është gjithë lule e farfuri ngjyrash, por poshtë, nën tokë, fshehin tuberet kanceroze. E tillë është dhe fitorja e Ramës. Plot lajlelule stilistike përsipër, zbrazëti të frikshme në thellësi.
Turnier thotë se madërgonat lindin bash mu aty ku varet dikush. Sperma e të varurit pllenon tokën dhe nga kjo dashuri romantike lindin lulet. Duket si diçka mitologjike, por një inspektor policie më ka shpjeguar se te kjo fabul ka diçka të vërtetë. Njeriu që varet, me sa duket, në çastet e fundit, shikon pamje me hyri e shtojzovalle të lakuriqta dhe ejakulon drejt e në tokë. Pikërisht kjo e dallon njeriun e vetëvarur, nga njeriu që e kanë varur të tjerët, sepse ky i dyti s’ka sesi të derdhë spermë. Inspektori i policisë që m’i rrëfente këto nuk ishte nga ata që transportonte hashash, por kjo s’na pengon fare të shikojmë një lidhje farefisnore midis hashashit tonë dhe madërgonave tropikale. Thonë se tuberet e madërgonave nuk janë rrënjë, por bebe të vogla, të lindura gjithë dhembshuri nga mitra e tokës ku është varur njeriu. Netëve, në stepat tropikale nuk dëgjohen vetëm cafullimat e dhelprave dhe ulërimat e çakejve, por edhe e qara e këtyre bebeve. Qajnë e qajnë sa të këputin shpirtin. Ju që, për analogji, keni menduar të njëjtin gjë dhe për hashashin tonë, e kini gabim. Toka ku u mboll hashashi u mbars me spermën e shtetit, i cili s’është aspak i dëshpëruar e i trishtuar si të vetëvarurit në pemët tropikale, por, përkundrazi, sa s’plas nga hareja dhe shëndeti. Kësisoj, edhe nëse kjo tokë ka lindur fëmijë, ato s’kanë sesi të qajnë, sepse janë bebe të vdekura. Në vend të tyre qajnë të tjerët: emigrantët, varfanjakët, njerëzit pa plang e pa shtëpi.
Ju e dini se qysh në fillim vetë kryeministri i shtetit tonë u shfaq me tiparet e Hyjit. Akti i parë që bëri ishte prishja e murit që e ndante godinën kryeministrore nga bulevardi. Me gjasme s’duhet të kishte pengesa midis tij dhe popullit. Të tjerë, që jetojnë si hithra mjerane nën hijen e rangut të tij hierarkik, ata, pra, që e dinë bajagi mirë se “mbreti mbetet mbret edhe kur është i ulur në uturak”, apo që e dinë se oborrtarët e Luigjit XIV i shkulnin dhëmbët për t’i ngjarë atij, filluan ta imitojnë. Kështu ka qenë jetë e mot kjo botë jallane. Kujtoni djersët e Erion Velisë, tek po nxitonte drejt spitalit me atë fëmijën rom në krahë (ah, sikur djersa të kishte vetitë e spermës dhe ta pllenonte tokën), për të mos folur për orvatjet e Taulant Ballës për ta shndërruar kokën e vet në një punishte metaforash (siç bën shefi), por që, nga sforcimi, kjo punishte (koka pra!) prodhon veç metaferra.
Thamë që ai e shembi murin, ama, menjëherë, pas tij, ngriti para vetes një mur të paparë arrogance. Hapi në të një frëngji për të parë botën. Gjithçka që bënte vetë i dukej e shenjtë, kurse gjithçka që bënin të tjerët i dukej profane. Opozita, media, kundërshtuesit ishin qeniet e kaosit, dragoi zanafillor që kërkonte të kthente kohët e zamanit, kurse ai ishte Hyji që rrinte mbi fronin e ujërave. E përsëritim mbi fron, dhe jo mbi karrige, sepse të katër këmbët e karriges, siç thotë Kaneti, simbolizojnë të katër putrat e elefantit (sigurisht njerëzimi s’e ka pranuar asnjëherë të drejtën e tiranëve për të abuzuar me pushtetin dhe mua më kujtohet të kem parë në Gjenevë, diku afër Organizatës Botërore të Kombeve, një karrige gjigante me tri këmbë).
Gjithçka që prekte dora e Ramës, reformat, godinat, ishin të virgjëra, zanafillore, a thua në këtë vend s’kishin jetuar qenie dhe njerëz, por veç “fryma e Hyjit që shëtiste mbi ujëra”. Ulërima e Zotit drejtuar Moisiut në malin e Sinait: “Kujdes! Toka ku shkel është e shenjtë!…, pllakat për të shkruar librin i dua të palatura, të paprekura nga dora (mëkatare) njerëzore”, kjo ulërimë, pra, brenda zgavrës së gojën e tij zbut trajtat e format, lakohet e përkulet dhe merr forma të tjera, por që, gjithsesi, s’shkon më larg se fjalori i kuzhinës së një reparti ushtarak gjatë ditëve të zborit: kazan, kuzhinë, tenxhere, gavetë. Rama ka qenë një njeri i dështuar: si sportist, si artist dhe si politikan. Kjo s’është gjithmonë diçka fataliste. Kujtojmë analizën që i bën Ciorani Fitzgeraldit, i cili, në vend të kërkonte floririn brenda minierave të dëshpërimit të tij, u largua i frikur prej tyre. Do të duhej që edhe Rama të përqendrohej te këto dështime dhe nga guaskat e tyre të krijonte perlat e përvojave. Por, jo! Ai s’i ka pranuar ato dhe është nisur me kokën lart drejt gjërash të reja, “triumfaliste”, gjëmimtare. E për të mbërritur ato, në këtë vend s’ke pse lodhesh shumë: mjafton të shtiresh. Fitorja e Ramës vërtet i ngjan gromësimës së Levathianit (gjithmonë nëse do t’i besojmë Hobsit për një metaforë të tillë.) Kjo ngjan edhe sepse opozita, në vend t’u largohet dallgëve të humbjeve, vazhdon të rrahë detin me shkop, si Kserksi. Sigurisht Levathiani është monstra detare, mbase edhe peshku i madh, për të cilin foli ambasadori Lu. Duket se s’ka asnjë gjasë ta kapësh Levathianin, sepse siç thuhet te libri i Jobit: “Levathianin a zë me grep? Vallë me tojë ia lidh gjuhën?… Para Levathianit me vrap turret tmerri”. Por Zoti, në të madh të vet, ia ka përcaktuar edhe atij fatin: Levathiani do të shfaqet menjëherë pas Apokalipsit dhe do t’u shtrohet të shpëtuarve si haje mbi tavolinë. Në fakt Apokalipsi ka ndodhur në Shqipëri… Tashmë ka dy gjëra: Ose Levathiani ka dalë në breg dhe është shndërruar në deputet, në ministër… (tri pikat nënkuptojnë hierarkinë më të lartë, atë që s’mund të përshkruhet me simbolet e ca shkronjave të kërbunjura tokësore, por me simbolet qiellore, pra me vijën e tymit të një avioni), ose SHBA-të kanë zëvendësuar vetë Zotin…