Bardhyl Prifti: Kush e vrau Leskovikun?
Leskoviku një nga qytetet më të vjetër e më të dëgjuar të Shqipërisë së Jugut nuk është më qytet!!! Ai është kthyer në një fshat të braktisur jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga çdo qeveri pas viteve 90-të. Diktatura e ndau në mes atë krahinë: gjysmën e fshatrave ia dhe Përmetit dhe gjysmën Kolonjës. Shkaku ishte vetëm politik. Ajo krahinë është goditur nga diktatura, sepse ishte rezistente ndaj saj.
Leskoviku dhe fshatrat përreth po rënkojnë në varfërinë e tyre ekstreme, kur rrojnë mbi pasuri mbi e nëntokësore të pashtershme. Falë punës së leskoviqarëve dhe klimës së butë, që sjellin erërat e ngrohta të grykës së Vjosës, Leskoviku jo vetëm si qytet, por edhe si krahinë ka pasur për traditë mbjelljen, rritjen dhe prodhimin e rrushit, prodhime të pafundme të pemëve frutore.
Ne Leskovik rriten disa lloje rrushi, fiq, arra, bajame, lajthi, mare, bile edhe hurma e ulli etj. në zonën e ulët të Sarandaporit, dhe fshatrave të zhdukur Lefter, Kuqesh, Glinë etj. Pasuri e madhe e asaj zone janë pyjet dhe kullotat në Shelegur, Radovë, Postenan, Shqeri, Radanj, Gërmënj etj.
Por Leskoviku është braktisur me kohë nga çdo qeveri që nga diktatura deri në ditët e sotme. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Leskovikut i hoqën edhe emrin qytet.
Reforma administrative e vrau Leskovikun, e hoqi edhe si bashki, duke arsyetuar vetëm me numurin e pakët të banorëve! Arsyetim fare pa baze dhe pa vend, pa marrë parasysh largësinë nga Korça e Përmeti, pa marrë parasysh historinë, etnografinë, lidhjet miqësore, tregtare etj.
Duket sikur ajo reformë ia fali Leskovikun Konicës, sepse në fshatrat e asaj zone punojnë e ropaten shumica e leskoviqarëve… Si mund të kthehen banorët e fshatrave të Leskovikut, kur pothuaj në të gjithë fshatrat ekzistues mungon infrasatruktura? Si mund të kthehen fshatarët kur mungojnë mjetet për punët në vreshta e bujqësi? Si mund të kthehet kur fermerët e bagëtive të imta në zonën e Shqerisë nuk mund të tregtojnë asgjë se mungon rruga?
Më keq akoma…Si mund të kthehen leskoviqarët, kur ndërtesa e Banjave të Sarandaporit ka mbetur si një kufomë, e shkatërruar dhe shteti nuk është në gjendje të detyrojë blerësin e asaj ndërtese, zotin Ekrem Bardha, të investojë dhe ta riverë në punë atë pronë?
Me mijra euro ditën shkojnë në Vjosë, se ato banja me vlera të shkëlqyera kurative për sëmundjet e brendshme dhe të lëkurës janë zhdukur. Para viteve ’90 dhe dy tre vjet pas 90-tës në ato banja kuroheshin jo më pak se 70-80 të sëmurë në dhjetë ditë dhe punësoheshin rreth 35 veta nga familjet e Leskovikut.
Mendoni sikur të investohej dhe ai spital të kishte jo më pak se njëqind shtretër. Atje do të kuroheshin gjatë gjithë vitit jo më pak se njëqind e më shumë të sëmurë për dhjetë ditë dhe rreth njëqind e ca veta personel, njëqind e ca familje leskoviqare të shpëtuara nga varfëria dhe do të shtohej katërfishi i banorëve, që do të kthehehsin në vendlindje së bashku me fëmijë etj.
Në rast se zoti Bardha nuk ka ndër mend ta rregullojë atë ndërtesë dhe t’i verë në punë banjat, qeveria duhet ose ta detyrojë, ose të hapë një tender për ndërtimin e një spitali tjetër më afër burimit, në dy tri lëndina të bukura afër rrënojave të banjave të vjetra të Vromonerit. Leskoviku mund të bëhet dhe duhet ndihmuar nga qeveria dhe biznesmenë të fuqishëm shqiptarë.