Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: O Zot sa dhemb…

 

Sikur të të përqafoja edhe një herë o Zot! Do jepja gjithçka vetëm të të përqafoja edhe një herë! Sa e çuditshme qenka jeta, apo jo? Si mendon ti? Apo e ke vendosur të mos mendosh më?! Nuk do të flasësh më me askënd?! Po përse nuk flet dreqi ta hajë?! Fol me mua siç flisje gjithmonë! Bëje edhe tani, sepse qenka shumë e vështirë të vazhdosh këtë rrugë në mungesë tënden! Nuk e di a e di ti, ama unë po e provoj dhe po më dhemb në shpirt. Po të pres, po e pres një mesazh nga ty të ikim të hamë krepa. Po, po jam akoma në pritje.

Jepi pra, më shkruaj! Të përgjërohem, më shkruaj edhe një herë! Bëje tani!

Kam shumë nevojë për ty! Aq shumë sa nuk e ke idenë. Kam po aq nevojë sa ç’kisha në ato ditët e mia të errëta, kur ti ishe e vetmja që çoheshe edhe në 6 të mëngjesit vetëm të pije kafen me mua e pastaj të ikje në punë.

Kam po aq nevojë edhe sot! Po më shkrihet zemra nga dhimbja, më beso! Po vuaj shumë!

Të lutem dielli im, kam shumë nevojë të shoh sërish ato sytë e tu plot jetë!

Kam nevojë të ulem e të shkruaj me orë të tëra me ty, siç bënim gjithmonë derisa na zinte gjumi, duke u marrë edhe me thashetheme.

Kam nevojë të qesh me ty, sepse e kam humbur shijen e saj.

Më dhemb çdo pjesë e trupit. Kam mbetur një gjysëm që nuk e di si do mundem të rikuperohem. Nuk mundem, sepse të kam në mendje gjatë gjithë kohës. Të kam në shpirt dhe ndjej shumë mall për ty. Nuk mund të shkoj më në asnjë vend që shkonim bashkë, se më vjen të ulëras duke qarë. Më dhemb shpirti çerre!

Nuk di më me kë të flas, t’ia shpjegoj këtë dhimbje! Nuk e di a mundet dikush të dalë e të më thotë “të kuptoj shumë mirë si ndjehesh”! Vetëm ti e bëje këtë gjë, kur të tregoja streset dhe problemet e mia. Vetem ti më thoje “të besoj se e kam kaluar edhe vetë”. Po tashmë, kujt mund t’ia tregoj unë këtë dhimbje?! Më fol, foooool tani dhe boll heshte! Boll më fole me lotët e mia! Hajt boll luajte, sepse po më shkatërron! Ktheuuuuuu, nuk mundem më! Është hera e parë në jetë që them “nuk mundem më” dhe ti e di shumë mirë, kështu që çohuuuuu! Eja tek unë, të lutem! O Zot sa dhemb!

Please follow and like us: