Kur nisëm të duam qentë dhe kishim harruar të donim njeriun…
Entela Binjaku
Disa javë më parë opinioni publik në vendin tonë u mbështoll rreth një shqetësimi që lidhej me disa pamje të filmuara ku tregohej i masakruar barbarisht një qen. Autori ishte një adoleshent, që filmohej nga bashkëmoshatari i tij. Po ky opinion mësoi dy ditë më vonë se kjo ishte një video që u shpërnda në rrjet nga një mësues i këtyre djemve, i cili nuk doli asnjëherë në skenë. Djaloshi protagonist jetonte në një familje ekstremisht të varfër, në një nga zonat me të varfra të vendit dhe rritej nga nëna e tij e divorcuar, e cila tashmë po shqetësohej për të birin që gjendej në këtë ciklon reagimesh virtuale.
Të prekur nga akti mizor, të rinjtë aktivë në mediumet e reja, organizuan dhe një peticion online nëpërmjet të cilit kërkonin ndryshim në kodin penal për të ndëshkuar ata që keqtrajtojnë qentë. Sipas parimit “Jo çdo e keqe, vjen për keq” kjo ndjeshmëri tregoi edhe hapat para që kemi bërë si shoqëri, po ta krahasosh me qëndrimin tradicional të mbajtur ndaj qenve. Breza të tërë qytetarësh janë rritur dhe kanë kryer procesin e formimit të psikologjisë sociale përmes shprehjeve: qen bir qeni, durova si qen, turi qen, ti mor qen, u turrën si qenër etj. Shumë prej nesh jemi edukuar edhe seksualisht përmes shprehjeve “meshkujt janë si qentë”, mashkulli shoku i qenit etj. si për të na ngulitur një lloj përçmimi ose mosbesimi tek besnikëria e gjinisë mashkullore etj.
Megjithatë ndryshimi ka nisur në këto 17 vitet e fundit duke kaluar nga një formë ekzibicioni në fillimet e viteve 2000 në një lidhje të ngrohtë dhe të ndjerë deri në atë pikë sa kërkohet edhe ndëshkim ligjor për cdo keqtrajtim që i bëhet qenit, mikut besnik të njeriut. Por nuk mund mos të bëjë përshtypje sa shumë ka ndryshuar ky raport i dashurisë dhe reagimit për qentë krahasuar me dashurinë dhe reagimin që tregon kjo shoqëri për njeriun. Por nëse për qentë është legjitim, si mund të mos jetë i tillë edhe për njerëzit?
Kjo shoqëri nuk ka asnjë reagim nëse rrugëve të vendit, për shkak të mungesës së sigurisë, në një gjysëm viti humbasin jetën mbi 200 qytetarë dhe qindra të tjerë mbeten të gjymtuar, fizikisht dhe mendërisht. Nuk reagon as për t’u ardhur në ndihmë rehabilitimit të këtyre njerëzve dhe familjeve të tyre për kërkimin e qendrave të shërbimit psiko-social. Shoqëria nuk reagon aspak edhe kur mëson se në 10 të rinj të moshës 14- 18 vjeç, 4 janë përdorues narkotikësh. Nuk ka asnjë ndjeshmëri edhe ndaj familjeve që luftojnë të vetme me këtë problem ku janë gjendur prej fëmijëve.
Shoqëria është thuajse fare indiferente edhe kur mëson se popullsia është pakësuar me 26 mijë njerëz në vetëm 5 vjet. Është po aq indiferente në vit lindin vetëm 30 mijë nga 90 mijë që lindnin në 1990, apo kur 200 mijë qytetarë aplikojnë për të shkuar në atë anë të botës ku mendojnë të mos kthehen më…Shoqëria është indiferente ndaj depresionit që ka krijuar padrejtësia aq sa çon në dy jetë të shuara njëherazi.
Kjo shoqëri që është indiferente kur një gur masiv i rënë në rrugë merr 4 jetë…tre të rritur dhe një të sapo ngjizur, sepse askush nga ata që e kanë për detyrë, nuk kane menduar për këtë rrezik. Por kjo shoqëri po reagon fatmirësish në emër të atyre që nuk kanë mundësinë të flasin. Në përpjekje për të kuptuar shkaqet e kësaj mungese reagimi, përtej zhgënjimit të vazhdueshëm ndaj situatave që nuk përmirësohen asnjëherë, përtej një lloj amnezie të përgjithshme që lidhet me ngjarje pambarim që kanë lodhur psikën e individit shqiptar, do të duhej të ndaleshim tek ato që i analizojmë më pak: njohjen e vetvetes. Pakkush në shoqërinë tonë mendon për temperamentin. Pakkush parashikon si reagon një kolerik dhe një sanguin që janë natyra që janë mjaft të shprehura, ekspresive, si reagon një melankolik dhe flegmatik që janë të mbyllur dhe njerëz më pak të shprehur. Pak prej nesh thellohen pse disa njerëz janë kaq të pandjeshëm? Ku gjendet burimi i kësaj egërsie?
Pak prej nesh reagon për mënyrën sesi kultivohemi kulturalisht, çfarë ushqimi shpirtëror marrim, çfarë edukatë qytetare na jepet dhe deri kur ushqehet kjo edukatë, cilat janë modelet prej të cilave frymëzohemi për realizimin e dëshirave tona, si përmbushet protagonizimi psikologjik tek secili prej nesh, cila është kënaqësia nga jeta që marrim, a është kultura jonë përfshirëse apo përjashtuese, a ndjehemi të qetë në zhvillimin e personalitetit tone, a jemi mjaftueshëm të përgatitur për vështirësitë e jetës sociale etj etj. Pak prej nesh thellohen se çdo jetë njerëzore është një fakt shoqëror, që ndodhet nën ndikimin e një mjedisi të jashtëm ku mbizotëron kaosi, zhurma, pamjet e varfëra dhe aspak të bukura, niveli i mjerë i cilësisë, shpërfillja e të dhunshmve etj.. .Pakkush thellohet se mbi individin që jeton në këtë lloj mjedisi të jashtëm, ndikon edhe presioni i brendshëm i atij njeriu që nuk mbërrin as të shprehë pakënaqësitë e tij, që hesht dhe shtyp revoltën e brendshme derisa humbet ekuilibrin mendor dhe shpërfaqet në një mënyrë të egër. “Përbindëshi brenda nesh” mbahet nën kontroll falë normave që ka kultura dhe vlerave që ajo e edukon tek individi. Por kur shoqëria i humbet normat dhe shpërfill vlerat ajo e braktis individin dhe ai i dobësuar i dorëzohet instiktit. Në ato kushtet kur normat shoqërore nuk gjejnë mbështetj edhe nga normat ligjore, shoqëria devijon frikshëm në antikulturë. Ndaj për këtë arsye, është një hap edhe më i madh që të rinjtë reaguan kur panë një qen të masakruar. Kështu patën mundësinë të reagonin edhe mbi arsyet që i kishin bërë atë djalosh dhe shokun e tij aq të pandjeshëm ndërsa kryenin apo filmonin atë akt barbar. Duke mos reaguar, opinioni tregoi se ndërkohë që kishte nisur të donte qentë, kishte harruar të donte njeriun.