Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ishin shërbëtorë të Kremlinit, masat që mori Bashkim Sovjetik pas nisjes së rezistencës më 1951

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë pasur asnjë lloj preference për Mehmet Shehun apo Enver Hoxhën. Përmes një dokumenti të deklasifikuar, CIA tregon se të dy kanë qenë nën shërbim të Kremlinit në vitet 1950. Sipas CIA, ata bënin çdo gjë në bazë të urdhrave që merrnin nga Bashkimi Sovjetik. Në një tjetër dokument tregohen dhe planet e operacioneve për rrëzimin e regjimit.

Tetor 1946: Informacione ushtarake jugu Jugosllavisë

Dërgesa të mëdha armësh dhe pajisjesh ushtarake janë transportuar me kamionë nga Mitrovica e Prishtina në drejtim të Shqipërisë, në ditët e fundit të gushtit dhe javët e para të shtatorit. Shumica e armëve ishin prodhim gjerman. Gjithashtu fabrika tekstile e Gerdelicës ka marrë porosi të mëdha për mallra ushtarake, të cilat janë dërguar tashmë në kufirin me Shqipërinë dhe Greqinë. Dërgesa të mëdha rrobash dhe këpucësh kanë ardhur në Mitrovicë nga një fabrikë në Pancevo në periferi të Beogradit. Mallrat, të cilat mbanin simbolin e yllit të kuq, janë marrë në dorëzim nga zyrtarë grekë e shqiptarë. Gjatë gjysmës së parë të shtatorit, një numër trupash ushtarake (rreth dy ose tre divizione të vogla) janë zhvendosur në jug të Prishtinës, Shkupit e Tetovës. Sipas disa oficerëve, këto njësi do të zëvendësojnë rojet kufitare, por vetë ushtarët nuk e besonin këtë. Trupat ishin të pajisur keq dhe nuk mbanin simbole në veshjet e tyre. Komisione ushtarake ruso-jugosllave kanë inspektuar Raskën e Mitrovicën. Meqënëse terreni është i përshtatshëm për fluturime, supozohet se instalacionet do të mbajnë armë të lëshuara nga avionët. Aktualisht puna është përqendruar te hapja e tuneleve. Instalime anti-ajrore janë ndërtuar në afërsi të Shkupit, të cilat supozohet të jenë për stërvitje. Fusha ajrore e Shkupit është e gatshme për të pritur dy ose tre grupe të reja avionësh. Lëvizje trupash janë pikasur në Kicevo, Debat e Prilep, të cilat besohet se janë batalione pune me të burgosur politikë. Sipas raportimeve ato mund të jenë njësi greke të stacionuara për disa kohë në jug të Serbisë.

20 qershor 1951: Rëndësia e Shqipërisë për rusët

Politikisht, Shqipëria është e rëndësishme për sovjetikët si një tempull i komunizmit në Ballkan e në Mesdhe. BRSS do ta konsideronte humbjen e saj si humbje të prestigjit, veçanërisht pas dezertimit të Jugosllavisë. Por megjithëse ka një pozicion strategjik në hyrje të detit Adriatik, kushtet moderne për zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake janë të vogla. Ishulli i Sazanit ka qenë një bazë e vogël nëndetësesh italiane dhe sipas disa zhurmave edhe sovjetikët po përpiqen të rindërtojnë këto baza pas luftës. Ka raportime të pakonfirmuara për rindërtim të fushave ajrore nga sovjetikët. Shqipëria ka një pozicion të mirë për instalime paralajmëruese të mbrojtjes ajrore, por deri tani nuk ka prova të instalimit të radarëve sovjetikë. Që prej distancimit të saj nga Jugosllavia, Shqipëria ka humbur rëndësinë e saj strategjike për arsye të mungesës së komunikimit me orbitën sovjetike. Por ajo mund të jetë e rëndësishme për një fushatë tokësore në Ballkan, pasi operacione të mundshme në bashkëpunim me Bullgarinë, nëse janë të suksesshme mund të ndajnë Greqinë nga Jugosllavia.

Stabiliteti i regjimit dhe masa e kontrollit sovjetik

Para përçarjes mes Jugosllavisë dhe Cominform në vitin 1948, Shqipëria ishte e lidhur ngushtë politikisht dhe ekonomikisht me Jugosllavinë. Por në vend që të ndiqte devijimin e marshallit Tito, Hoxha zgjodhi kampin e Moskës dhe nisi një fushatë të ashpër kundër nacionalistëve shqiptarë. Ai jo vetëm e përjashtoi vendin nga lidhjet me Jugosllavinë, por me këtë rast zhduku të gjithë konkurrencën për pushtet brenda Shqipërisë. Një rivalitet mes Hoxhës dhe ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu duket se është i parëndësishëm pasi të dy kontrollohen nga Kremlini. Shqipëria është totalisht e varur nga ndihma sovjetike. Pa të ekonomia e vendit do të tronditej brenda disa muajve. Kontrolli sovjetik në vend përforcohet nga rreth 1000 deri në 1500 “ekspertë” në pozicione të rëndësishme si ushtri, polici, administratë civile dhe në radhët e partisë. Me mbështetjen sovjetike Hoxha dhe Shehu kanë qeverisur vendin deri tani me metodat policore të terrorit dhe me kontrollin e ashpër ekonomik. Megjithëse ka prova mungese besnikërie dhe oportunizmi në radhët e forcave të sigurisë dhe ushtrisë, ato kanë rezultuar efektive në shtypjen e opozicionit. Mbështetja sovjetike në Shqipëri nuk është shoqëruar me një pakt të përbashkët asistence, ndoshta ngaqë sovjetikët duan të lënë një situatë të hapur pa përkushtime që mund t’i vënë më vonë në siklet. Shqipëria ka një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë (16 dhjetor 1947). Por gjithsesi ndonjë ndryshim në situatën shqiptare që mund të kërcënojë kontrollin e Kremlinit do të prekte menjëherë prestigjin sovjetik, në një moment ku edhe një satelit tjetër iu shmang urdhrit të tij. Prandaj një zhvillim i tillë do të sillte përkeqësim të situatës ndërkombëtare. Veprimi sovjetik në rast të një zhvillimi të tillë do të varej nga përparësitë e strategjisë së tyre botërore.

21 maj 1951, Gazeta turke “Hurriyet”

Sipas raportimeve në Turqi, në Tiranë janë marrë masa të ashpra sigurie, pas zhurmave se një njësi guerile me rreth 5000 njerëz ka rrethuar kryeqytetin. Gjatë ditës policia e armatosur patrullon rrugët ndërsa gjatë natës ata mbështeten nga njësi të ushtrisë. Raportimet thonë se çdo civil në rrugët e Tiranës ndalohet dhe duhet të tregojë letërnjoftimin. Ndërkohë fshatarët në jug të Shqipërisë kanë refuzuar të dorëzojnë prodhimin e tyre te komunistët, të cilët për t’i detyruar ata të dorëzojnë prodhimin kanë njoftuar se ata që kundërshtojnë do të ekzekutohen menjëherë. Për këtë vendi thuhet se është përgjegjës koloneli sovjetik i ndërlidhjes së misionit ushtarak sovjetik dhe ministrisë së brendshme shqiptare. Sipas një tjetër raportimi të pakonfirmuar, shtimi i rezistencës në Shqipëri dhe pozita e pasigurt e liderit Enver Hoxha, ka çuar në shkarkimin e gjeneralit që drejton misionin sovjetik në Tiranë. Një tjetër gjeneral që do të zëvendësojë atë është dërguar në Tiranë.

Shtator 1953, Raport i zhvillimeve operacionale

1. Zhvillime të përgjithshme

Radio Greqia e Lirë më 14 shtator u bënte thirrje grekëve të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Nuk ka pasur tregues nga burime të tjera nëse grekët apo shqiptarët po merrnin në konsideratë një veprim të tillë. Më 28 shtator qeveria jugosllave raportonte zyrtarisht se negociatat e saj me Shqipërinë për zgjidhjen e incidenteve në kufi ishin ndërprerë në një atmosferë të akullt mosmarrëveshjeje. Takimi i parë i komisioneve shqiptare e jugosllave u mblodh më 17 gusht. U kompletuan në Nju Jork marrëveshjet për lejimin e ish-mbretit shqiptar Zog në SHBA. Por një prej vështirësive që ka lindur është bastisja e rezidencës së Zogut në Aleksandri teksa familja ndodhej në shtëpi, me urdhër të ministrisë së Brendshme egjiptiane, të cilët kryen një kontroll prej tre orësh. Ata kanë konfiskuar një sasi dokumentesh financiare, por nuk kishin prekur dokumentet e tij mbi Shqipërinë. Një kontroll trupor mbi vetë Zogun dhe familjarët u kërkua por nuk u krye pas kërcënimit të tij me rezistencë të dhunshme. Besohet se qëllimi i aksionit ka qenë zbulimi i provave për kontrabandë apo të aktivitetit politik me elementë anti-Naguib, çka do të sillte veprim të autoriteteve deri në përjashtim të Zogut nga Egjipti, pa para apo prona. Me anë të kontakteve të tij Zogu ka kërkuar të merren masa për mbrojtjen e tij dhe të familjes. Ai besohet se është siguruar nga ministri i jashtëm i Egjiptit se nuk do të preken marrëveshjet për lëshimin e vizave dhe të transportit të parave, edhe pse kjo ishte jashtë jurisdiksionit të tij pasi veprimet u ndërmorën nga ministria e brendshme.

Gjatë muajit shtator Komiteti Kombëtar për Evropën e Lirë ka njoftuar anëtarët e NCFA se për arsye të shkurtimeve të buxhetit NCFA do të pushojë aktivitetet më 1 tetor 1953. Në të njëjtën kohë do të ndërpriten edhe programet në shqip të radios Evropa e Lirë. Megjithse ndihma financiare për NCFA do të vazhdojë me anë të kanaleve të tjera, rrogat dhe financat do të reduktohen. Ky ndryshim vjen në një kohë të përshtatshme edhe në formën e masës disiplinore të anëtarëve të padisiplinuar të komitetit të NCFA dhe të forcimit të kontrollit në të ardhmen.

Please follow and like us: