Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Plani amerikan me 7 pika për rrëzimin e Enver Hoxhës në 1953

CIA ka zbardhur planin që kishte për të rrëzuar Enver Hoxhën në vitin 1953. Sipas një dokumenti të deklasifikuar, amerikanët hartuan një plan me 7 pika, që do të zbatohej me qëllim që të krijohej një grusht shteti për rrëzimin e Enver hoxhës. Plani ishte që të bashkëpunohej me Jugosllavinë dhe me Britaninë e Madhe. Sipas tij, secili shtet do të kishte detyra specifike. Mirëpo, ky plan më vonë dështoi për shkak të tradhtive nga një agjent i Britanisë së Madhe, që bashkëpunoi me Moskën.

Maj 1950: Shqipëri-Jugosllavi

Gani Be Kryeziu raportohet se është zëvendësuar në postin e kreut të partizanëve shqiptarë titistë, nga komunisti i vjetër nga Gjakova, Fadil Hoxha. Zëvendësimi erdhi si rezultat i një takimi të krerëve komunistë jugosllavë disa muaj më parë, ku fraksioni i ekstremit të majtë i drejtuar nga Rankoviç e Xhilas, dominuan përballë “të djathtëve”, të drejtuar nga Popoviç. Ky i fundit kërkoi shtimin e kontakteve me Perëndimin dhe nisjen e revoltës së inxhinierëve shqiptarë nën maskën e nacionalizmit. Por pas dështimit të Popoviç, revolta u planifikua si një lëvizje krejtësisht titiste me theks kryesor të propagandës te Koçi Xoxe. Lajme konfliktuese qarkullojnë aktualisht mbi gjendjen e Gani Bej Kryeziut, një prej të cilëve thotë se është i burgosur në Shkup së bashku me Cen Elezin. Ndërkohë, në Shqipëri Partia Komuniste raportohet se ka konflikte të thella të brendshme. Enver Hoxha dyshohet nga përfaqësuesi i majtë sovjetik, gjenerali Iliov, se nuk i ka ndërprerë tërësisht lidhjet me Titon. Raportimet e vendeve të Kominform theksojnë nevojën e ndërhyrjes ndaj Shqipërisë dhe se kjo mund të ndodhë kësaj vere. Balli Kombëtar raporton se ekziston një marrëveshje sekrete mes Hoxhës e Titos, pasi Hoxha beson se me anë të linjës titiste mund të ruajë postin e tij. Sipas informacioneve tona, ish-mësuesi Fadil Hoxha ka drejtuar një çetë komuniste në vitin 1942 dhe më pas nisi përhapjen e propagandës komuniste. Ai ishte anëtar i komitetit shqiptaro-jugosllav të Kosovës të formuar në dhjetor 1943, i drejtuar nga Mehmet Hoxha. Në konventën e Prishtinës në mars 1945 Fadil Hoxha u zgjodh president i komitetit kombëtar. Raportimet se Gani Kryeziu mund të jetë burgosur në Shkup, është në mbështetje të një lajmi të datës 1 maj, ku thuhet se Cen Elezi, Dan Kaloshi e Halit Omani janë të gjithë të burgosur diku në Maqedoni.

Shtator 1955: Kushtet e jetesës, rezistenca

Në zonat e jugut të Shqipërisë njerëzit janë të dekurajuar dhe të shtypur nga ashpërsia e diktaturës komuniste dhe mizoria e Sigurimit, prandaj vetëm rezistenca pasive është e mundur. Për shembull në disa fshatra fshatarët kanë rezistuar ndaj përfshirjes në kooperativat apo refuzojnë të paguajnë taksat. Fshatarët janë shtresa më e shtypur nga regjimi pasi u kërkohet të japin të gjithë prodhimin e tyre në këmbim të asgjëje. Ata nuk marrin triskat e ushqimeve dhe autoritetet i detyrojnë të shesin gjithçka që zotërojnë, edhe kafshët e punës nëse nuk mund të paguajnë taksat. Qeveria i detyron ata të paguajnë taksa mbi prodhimin, fitimin apo të regjistrohen për hua. Më parë regjimi u jepte fshatarëve në nevojë gjashtë ose shtatë kg misër në muaj, por edhe këto tashmë shpërndahen vetëm për komunistët. Edhe tregtarët e lirë taksohen rëndë nga shteti dhe konsiderohen si armiq të popullit dhe socializmit. Çdo fshat me më shumë se 50 shtëpi duhet të japë kontribut në punë vullnetare, të cilët paguhen si punëtorë të zakonshëm në projektet qeveritare të ndërtimit. Veshjet dhe këpucët janë jepen me racione. Ato janë të cilësisë së dobët dhe shumë të shtrenjta në tregun e lirë. Në verë frutat dhe perimet gjenden lehtësisht në tregun e lirë, ndërsa mishi, vaji i gatimit, vezët dhe gjalpi janë me pakicë.

Korrik 1950: Aktivitete në portet shqiptare

Anijet e huaja qe lundrojnë në ujërat territoriale shqiptare nuk kanë mbrojtje dhe as korridore të sigurta transportesh. Mjetet bregdetare dhe ato të ujërave të thella normalisht duhet të qëndrojnë rreth tre milje larg brigjeve. Përveç kësaj, në gjirin e Vlorës janë dalluar zona të rrezikshme me rrjeta anti-nëndetëse. Këto janë pikasur pranë ishullit të Sazanit ku ka gjithashtu artileri bregdetare të kalibrit të madh dhe fortifikime ushtarake. Ujërat rreth ishullit besohet se janë të minuara. Gjatë periudhës 25 deri në 29 prill 1950, një anije e madhe sovjetike prej rreth 8000 ton, u ankorua në portin e Durrësit dhe shkarkoi një ngarkesë të përzierë mielli, ushqimesh të konservuara, mirë nga India, perime, si dhe arka të mëdha që besohet se mbanin armatime dhe materiale lufte. Në të njëjtën periudhë, një anije polake të tonazhit të madh ka qenë duke shkarkuar arka të mëdha të ngjashme e ato të armatimeve të anijeve sovjetike. Ishte parashikuar se të dyja këto anije, pas shkarkimit të ngarkesave të tyre do të merrnin ngarkesa me minerale kromi ose bitumi. Transportuesja italiane Arcione është ngarkuar në Vlorë me naftë bruto, që do ta transportonte në rafinerinë Rousa në Fiume. Anija u ankorua pranë molit të gjerë në ndërtim në Vlorë, ku është vënë në përdorim sistemi i ri i tubacioneve të naftës. Një tjetër anije transportuese italiane pritej në Vlorë për t’u ngarkuar me naftë, të destinuar për rafinerinë ruse Batum. Gjatë kësaj periudhe ambientet ushtarake dhe komerciale të portit të Vlorës janë inspektuar nga oficerë të lartë shqiptarë dhe sovjetikë që udhëtonin në automjete sovjetike.

Tetor 1954: Porti i Durrësit

Durrësi është një qytet i vogël primitiv prej rreth 10 000 banorësh. Porti i tij është i manovrueshëm mirë, por meqenëse ujërat janë me një thellësi prej vetëm 5 metra, aty mund të ankorohen vetëm anije me kapacitet deri në 5000 ton. Qyteti ka një garnizon ushtarak me rreth 1000 njerëz dhe një forcë Sigurimi prej rreth 500. Personeli ushtarak mban rroba të vjetruara jeshile, me model sovjetik dhe ushtarët duken të stërvitur dhe të paaftë. Ata mbajnë armë automatike sovjetike , të cilat rumunët i quajnë “balalajka”. Megjithëse është një port i vogël, Durrësi ka mjaft aktivitet. Në të shihen anije sovjetike, rumune, italiane dhe britanike. Anijet sovjetike që vijnë nga porti i Odesa sjellin makineri për industrinë e naftës, dhe kthehen atje të ngarkuara me bitum. Anijet rumune sjellin grurë, misër e shina për hekurudhën Tiranë-Durrës, si dhe mallra të prodhuara nga fabrikat Malaxa. Ato kthehen në portin e Konstanta të ngarkuara me bitum. Çdo 15 ditë një anije rumune lundron nga Konstanta çdo 15 ditë drejt Durrësit. Gjatë 10 lundrimeve të tilla në periudhën korrik dhjetor 1951, në Durrës janë transportuar 550 ton drithëra dhe 260 ton shina hekurudhe, ndërsa janë nisur drejt Konstantës rreth 700 ton bitum. Anijet britanike sjellin në Durrës çimento ndërsa transportueset italiane çojnë naftën në Rumani. Të gjitha anijet janë me kapacitet 500 ton. Nuk kemi dalluar personel ushtarak sovjetik në port. Ndërtimet në Shqipëri po drejtohen nga komisioni teknik çekosllovak. Për transportimin e mallrave drejt Tiranës përdoren rreth 100 kamionë të tipit Skoda. Komisioni teknik çek përbëhet nga rreth 50 persona dhe me sa duket drejtojnë vendin me anë të kontrollit të tregtisë, organizimit ushtarak dhe ndërtimit.

6 shkurt 1953: Plani i grushtit të shtetit në Shqipëri

1.  Situata e përgjithshme: Është marrë vendimi për të kryer një grusht shteti të fshehtë në Shqipëri, të mbështetur multilateralisht nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e Jugosllavisë, për të përmbysur regjimin aktual të Enver Hoxhës dhe zëvendësimin e tij me një qeveri shqiptare të lirë e të pavarur. Ndër forcat mike listojmë grupet e mëposhtme, sipas negociatave të kryera nga Departamenti Amerikan i shtetit:

a.  Lidhja e Prizrenit, e cila është shkrirë me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë sipas udhëheqje së përbashkët amerikane e jugosllave. NCFA do të jetë më tej instrumenti i krijimit të qeverisë së përkohshme në Shqipëri.

b. Jugosllavia do të lejojë operacionet e nevojshme paramilitare të nisin dhe të mbështeten nga bazat brenda territorit të saj, nën mbikëqyrjen e selisë kryesore të përbashkët të drejtimit.

c. Jugosllavia do të furnizojë operacionin me forcat e refugjatëve shqiptarë dhe të vullnetarëve, për kompletimin e fazës paramilitare të grushtit të shtetit, dhe do të japë asistencë të mëtejshme për zhvillimin e planit të detajuar.

d. Forcat e armatosura greke dhe jugosllave do të punojnë për të mos lejuar përforcimin e forcave armike shqiptare, nga sovjetikët apo satelitët e tyre, duke ndaluar fluturimet mbi territorin e tyre deri sa grushti i shtetit të jetë siguruar.

e. Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të japin mbështetje ushtarake për Jugosllavinë dhe Greqinë, në rast të një pushtimi të mundshëm nga forcat sovjetike apo satelitët e tyre.

f. Forcat detare amerikane do të nisin manovrat ushtarake në detin Adriatik që prej nisjes së sulmit deri në sigurimin e grushtit të shtetit për të dekurajuar një afrim të forcave sovjetike apo të satelitëve të tyre.

Hipoteza të tjera

Me anë të negociatave që kanë nisur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Franca, Turqia dhe Itali do të njihen deri në një farë mase me qëllimet e Aleatëve për nisjen e grushtit të shtetit dhe do të aprovojnë grushtin e shtetit moralisht. SHBA, Britania, Franca, Italia e Turqia do të njohin qeverinë e re të përkohshme shqiptare sapo ajo të vendoset. Aleatët do të marrin të gjitha masat e deklaruara për të ruajtur pavarësinë e plotë të Shqipërisë së çliruar.

Misioni dhe koncepti

Misioni është përmbysja e regjimit të Hoxhës dhe vendosja e regjimit të një qeverie të lirë e të pavarur në Shqipëri, me anë të një grushti të fshehtë të shtetit gjatë një periudhe ende të pacaktuar, me ditë të parashikuar të nisjes së sulmit 1 korrik 1954. Koncepti. Me anë të sulmit simuluan të kapet dhe të sigurohet zona e Tiranës dhe të neutralizohen apo të sigurohet kontrolli i forcave kryesore kundërshtare në zonat rrethuese. Të kapet çdo lider i rëndësishëm qeveritar dhe të vendosen zyrtarë të qeverisë së përkohshme në vend të tyre. Të reklamohet çlirimi i Shqipërisë. të konsolidohet kontrolli i qeverisë qendrore.

Tetor 1954: Mbikëqyrja e portit të Durrësit

Një punëtor i portit të Durrësit, të cilin informatori ynë i ofroi cigare dhe kuti shkrepse, tha se ishte në vijim një projekt për rivitalizimin e vinçave dhe pajisjeve të tjera të portit, i cili pritej të kompletohej nga fundi i vitit 1955. Dy vinçat e rinj polakë pritet të hyjnë në funksion në vitin 1955, të cilët e çojnë kapacitetin total në gjashtë vinça të ngarkesave për molet. Ndërkohë në zonën kufitare me Jugosllavinë janë zbuluar depozita natyrore mineralesh me përmbajte të lartë tunxhi. Disa mostra u morën për analiza në Moskë nga ekspertët sovjetikë. Pasditen e 24 korrikut 1953 në portin e Durrësit erdhën rreth 30 gra të reja për të ngarkuar mineral kromi në karroca, që më pas ngarkoheshin në anijet. Ato punuan rreth dy orë në ngarkimin e karrocave me mineral. Disa përdornin lopata kurse të tjera punonin vetëm me duar pasi me sa dukej nuk kishte mjaftueshëm lopata. Gratë ishin pjesë e iniciativave të qeverisë për punë vullnetare ditën e shtunë. Mungesa në aktivitete të tilla është e dënueshme me gjobë 400 deri në 500 lekë. Në qytetin e Durrësit shumë fëmijë janë të prekur nga sëmundja e tifos. Ka mungesë të theksuar të mjekimeve anti-bakteriale si penicilina e streptomicina. Situata e ushqimit është gjithashtu shumë e vështirë

Shtator 1968: Pushtimi i Çekosllovakisë

Me gjithë armiqësinë e konsiderueshme mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, kohët e fundit ka pasur sinjalizime se veprimi ushtarak sovjetik kundër Çekosllovakisë i ka detyruar dy vendet të gëlltisin mëritë dhe të flasin në një zë kundër BRSS. Një zyrtar i lartë i ministrisë së brendshme jugosllave tha se kohët e fundit Shqipëria ka ndaluar fushatën e saj antijugosllave pas zhvillimeve ceke. Ai shtoi se shqiptarët në mënyrë jozyrtare kishin ngritur çështjen e përmirësimit të marrëdhënieve me Beogradin dhe reaguan ndaj një deklarate zyrtare ku Beogradi deklaronte se respektonte pavarësinë e Shqipërisë, si thelbësore për ruajtjen e paqes në Ballkan. Duket qartë se dy palët janë të interesuara në normalizimin e marrëdhënieve për arsye të kuptueshme pragmatike. Ndër faktorët e shumtë që ndikojnë në kufizimin e afrimit të lidhjeve mes Tiranës dhe Beogradit është qëndrimi i pandryshueshëm i Shqipërisë ndaj ligësisë së “revizionizmit” jugosllav, si dhe influenca e Pekinit. Por gjithsesi janë kryer disa hapa drejt normalizimi të marrëdhënieve si këmbimi i delegacioneve tregtare, negociatat e marrëveshjeve kufitare dhe zgjerimi i lidhjeve të transportit, të cilat pritet të zhvillohen edhe më shumë në muajt në vijim. Zyrtarët jugosllavë besojnë se këto masa i paraprijnë zgjerimit të bashkëpunimit. Për momentin ata besojnë se Shqipëria do të vazhdojë të evitojë sulmet ndaj praktikave politike dhe ekonomike jugosllave, pro në terma afatgjatë nuk do të mund të heqë dorë nga kritikat ndaj revizionizmit jugosllav. Masa e stabilitetit në këtë riafrim mes palëve do të varet nga masa e perceptuar e kërcënimit të interesave politike dhe ekonomike nga Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij radikalë të Paktit të Varshavës. Pushtimi i Çekosllovakisë shkaktoi tronditje në Jugosllavi, nga fakti i shkeljes së sovraniteti të vendit të pushtuar nga ushtria e BRSS dhe e katër vendeve aleate të Paktit të Varshavës. Ndërhyrja e Moskës ndaj rrugës së re socialiste të ndjekur nga qeveria e Dubçek është gjithashtu një lëvizje ndaj rrugës së ngjashme socialiste të Jugosllavisë. Prandaj kriza ceke do të ketë një efekt të thellë në Ballkan. Beogradi i sheh ngjarjet në Pragë si një analogji me ato të vitit 1948 pas revoltës hungareze. Presidenti Tito kishte paralajmëruar kundër ndërhyrjes ushtarake që në prill por BRSS vendosi të mos e dëgjojë.

Please follow and like us: