Albspirit

Media/News/Publishing

Femrat e besuara të Ramës

Atij i takon merita e politikanit, që i pari afroi pranë vetes gra, në pozicione të rëndësishme drejtuese dhe politike. Por pavarësisht se sjellja e Edi Ramës me koleget apo vartëset e gjinisë femërore ka qenë shpesh e përfolur dhe e diskutuar që nga koha kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, kjo nuk i ka penguar aspak zonjat që të bëhen pjesë e politikës,  ndërkohë që Rama vazhdimisht ka surprizuar me zgjedhjet e tij.

Kështu në mandatin e tij të parë, Briseida e tatimeve, Elisa e doganave apo Luneda e lojërave të fatit morën pozicione strategjike në administratën e Ramës. Në këtë mandat të dytë të Kryeministrit spikatën të tjerë emra, ndërkohë që u rikthyen sërish me poste drejtuese edhe Luneda Sufali në krye të shërbimeve sociale tashmë dhe Briseida Shehaj në krye të Agjencisë së Investimit dhe Zhvillimit.

Ndërkohë, gra të tjera punojnë pranë Kryeministrit Rama në këtë mandat të dytë, disa emra të rinj në politikë e të tjera tashmë të afirmuara pranë Partisë Socialiste.

Pa dyshim krahu i tij i djathtë është Senida Mesi, gruaja që Edi Rama zgjodhi të zëvendësonte Niko Peleshin si zv.Kryeministre. Ndonëse pa ndonjë të shkuar të spikatur në jetën politike, pedagogia shkodrane arriti të ngjitet shumë shpejt në majat e qeverisjes duke krijuar jo pak habi në publik e pse jo edhe zili në radhët e partisë.

Gjithashtu një emër i ri i qeverisë është Sonila Qato, së cilës iu besua një ministri e re. Ministre e Shtetit për Sipërmarrësit, Qato në fakt nuk ka qenë një emër i panjohur për publikun, pasi kishte drejtuar Agjencinë së Trajtimit të Pronave.

Kur Olta Xhaçkës iu besua Ministria e Rinisë dhe Mirëqenies Sociale pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve, askush nuk e besoi se Xhaçka do të ishte sërish pjesë edhe në qeverinë Rama 2. Por ish-anëtarja e lëvizjes rinore “Mjaft” tashmë ka marrë një post të rëndësishëm, siç është ai i Ministres së Mbrojtjes.

Edhe drejtësia ishte një emër surprizë. 37-vjeçarja Etilda Gjonaj deri në momentin që u emërua ministre nuk kishte qenë një emër i njohur për politikën, ndonëse angazhimet e saj profesionale kanë qenë të konsiderueshme. Pas përvojës në institucionin e Avokatit të Popullit dhe angazhimit në shoqërinë civile, Gjoni u zgjodh në maj të vitit 2017 zv.ministre e drejtësisë, për t’u emëruar më pas ministre në qeverinë Rama 2.

Është një nga emrat që pavarësisht thashethemnajës i mbijetoi edhe qeverisë Rama 2. Të paktë qenë ata që besuan se Mirela Kumbaro do të ishte pjesë e kabintetit Rama 2, veçanërisht pas një debati me Kryeministrin në Kuvend, ku u pa të largohej madje duke qarë.

Një emër i përfolur i kabintetit Rama 2 ishte edhe ai i Ministres së Arsimit Lindita Nikolla e cila pas reformës në arsim qe një nga shënjestrat kryesore të opinionit publik. Kujtojmë sulmin me domate që iu bë nga një studente gjatë një takimi. Por ndërsa Rama vazhdimisht theksoi rëndësinë dhe suksesin e kësaj reforme, Nikollës i mbeti posti edhe në qeverinë Rama 2.

Ogerta Manastirliu është një emër që lidhet me karrierën e zotit Rama që nga koha kur ky i fundit ishte në bashki. Pas përvojës në krye të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Manastirliu pak para zgjedhjeve mori postin e Ministres së Shëndetësisë, të cilin vazhdoi ta mbajë edhe në kabintetin Rama 2./opinion/

Please follow and like us: