Hera e tretë/Rezolutë në Kongres për shkarkimin e Trump
Për të tretën herë këtë vit, një deputet demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, paraqiti një rezolutë për shkarkimin e presidentit Donald Trump, i akuzuar për pengesë të hetimeve për ndërhyrjet ruse në fushatën zgjedhore të 2016-ës. Pasi Dhoma kontrollohet nga shumica republikane e presidentit amerikan, rezoluta për momentin besohet se nuk ka shanse të miratohet. “I bëjmë thirrje Dhomës për të nisur menjëherë seancat dëgjimore për shkarkimin e Trumpit”, deklaroi Steve Cohen, deputet i Tennessee. Ai akuzon gjithashtu miliarderin për pengim të pavarësisë së gjyqësorit dhe lirisë së shtypit, dhe për përfitim nga funksioni i tij për t’u pasuruar, në sajë të hoteleve. Rezoluta është mbështetur sipas tij nga pesë kolegë, të gjithë demokratë. Dy rezolutat e tjera janë shfaqur kohë më parë ose janë depozituar zyrtarisht nga deputetët demokratë (Brad Sherman (në korrik) dhe Al Green (në tetor), ky i fundit mbështeste gjithashtu tekstin e Steve Cohen.