Sessions hedh poshtë akuzat se ka gënjyer ligjvënësit
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Jeff Sessions hodhi poshtë të martën akuzat se ai kishte gënjyer ligjvënësit gjatë një dëshmie të mëparshme në të cilën kishte thënë se nuk kishte dijeni për ndonjë kontakt mes ekipit zgjedhor të zotit Donald Trump dhe operativëve rusë vitin e kaluar.
Zoti Sessions i tha Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve se nuk i kujtohej një takim i vitit 2016 me ndihmësin e fushatës Trump, George Papadopoulos, i cili i kishte folur për kontaktet e tij me njerëz që thoshin se mund të organizonin një takim midis zotit Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin, ndërkohë që njoftimet e medias thoshin se ishte vetë zoti Sessions që e kishte kryesuar takimin.
“Në gjithë dëshminë time, unë vetëm mund të përpiqem me sa mundem për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve tuaja ashtu siç i kuptoj dhe me aq sa më lejon kujtesa. Por nuk do t’i pranoj dhe i refuzoj akuzat se kam gënjyer ndonjëherë”, tha ai.
Që nga paraqitja e tij e fundit përpara një komisioni të Kongresit në mes të tetorit, media njoftoi se Papadopulos ishte deklaruar fajtor në fillim të tetorit se kishte gënjyer agjentët federalë që hetonin lidhjet e fushatës Trump me Rusinë.
Në seancën e tij të konfirmimit në janar për t’u bërë prokuror i përgjithshëm, posti më i lartë i zbatimit të ligjit në SHBA, zoti Sessions tha se ai nuk ishte në dijeni të komunikimit midis fushatës Trump dhe Rusisë, por më vonë e pranoi se ai vetë ishte takuar me ambasadorin e atëhershëm rus në Uashington, Sergei Kislyak.