Fondi Kulturor Zviceran nis punën në mbështetje të artistëve të rinj dhe organizatave kulturore
Mbështetje e re për sektorin kulturor: Fondi Kulturor Zviceran nisi sot punën dy vjeçare duke bërë të disponueshme 160,000 franga zvicerane për projekte kulturore
Ambasadori zviceran Christoph Graf mori pjesë në aktivitetin për lançimin e Fondit Kulturor Zviceran – programi më i fundit nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC – për të mbështetur artistë të rinj dhe të sapo-dalë si dhe praktikantë të kulturës.
“Shqipëria ka talente dhe një potencial kulturor që ia vlen ta promovosh. Fondi Kulturor Zviceran kërkon të forcojë skenën e pavarur kulturore në Shqipëri përmes mundësive inovative të financimit. Fondi do të mbështesë modestish organizatat kulturore dhe individët krijues për t’u pajisur me aftësi, për të gjetur mënyra të reja të financimit dhe për të zbatuar projetkte konkrete kulturore”, tha Ambasadori Graf gjatë lançimit.
Projekti u prezantua nga Dritan Mezini, Menaxher Projekti për Fondin Kulturor Zviceran i cili foli për synimin e trefishtë të fondit: të ndërtojë kapacitetet e artistëve dhe organizatave kulturore, të krijojë një skemë modeste për grante dhe financim dhe të lidhë me skenat rajonale të artit dhe kulturës në Ballkanin Perëndimor. “Ne do të synojmë të fusim një qasje sipërmarrëse tek artistët e rinj dhe tek organizatat kulturore. Projekti ynë është i hapur për të mbështetur të gjitha zhanret e artit dhe kulturës si dhe sportin”, tha Z. Mezini.
Fondi do të menaxhohet nga Qendra për Teknologji Biznesi dhe Lidership – CBTL – dhe faza e parë e punës do të mbulojë një periudhë dy–vjeçare.
Një skemë për menaxhimin e granteve dhe të financimit u prezantua gjatë aktivitetit për t’u shpjeguar artistëve dhe organizatave kulturore se si të aplikojnë dhe çfarë mbështetje mund të presin. Faqa në Web e projektit gjithashtu u lançua gjatë aktivitetit: www.swissculturalfund.al.
Qeveria zvicerane e sheh mbështetjen ndaj kulturës si thelbësore për të nxitur zhvillimin e vendeve në tranzicion. Për këtë bashkëpunimi ndërkombëtar i Zvicrës i kushton 1% të buxhetit fondeve dhe mbështetjes kulturore.