Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata Speciale nuk është sulm ndaj luftës për pavarësi

 

                      Shkëlzen Gashi

Gjykata e re Speciale që do të gjykojë ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime paslufte nuk është një sulm ndaj luftës për pavarësi, por një përpjekje për të gjykuar kriminelët.

Shumica e njerëzve në Kosovë besojnë se Gjykata Speciale është një krijim i padrejtë, por faji për krijimin e saj, fillimisht dhe kryesisht, bie mbi ne.

Gjatë gjithë këtyre viteve dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë, shoqëria kosovare ka dështuar të krijojë – siç ka bërë Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia – një gjykatë të specializuar që do të merrej me krimet e kryera nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dështimi i UNMIK-ut dhe EULEX-it në fushën e drejtësisë nuk ka ndodhur vetëm për shkak të këtyre dy misioneve ndërkombëtare, por edhe për shkak se shoqëria jonë deri vonë nuk ka pranuar t’i përballë kriminelët shqiptarë të luftës me drejtësinë.

Duhet të kemi parasysh se asnjë gjykatës apo prokuror vendas nuk ka guxuar të ndjekë penalisht apo të ndëshkojë individë nga UÇK-ja që kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prandaj, për fat të keq, përveç se na nevojiten prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtare, ne kemi vërtetuar se kemi nevojë gjithashtu për policë dhe roja burgu ndërkombëtarë, për shkak të privilegjeve dhe favoreve që policët dhe rojat vendase krijojnë për të burgosurit nga UÇK-ja.

E njëjta gjë vlen edhe për doktorët vendas, që nxjerrin raporte mjekësore të rreme në lidhje me statusin shëndetësor të të akuzuarit/dënuarit.

Për më tepër, gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi vërtetuar se kemi nevojë për edhe avokatë ndërkombëtarë, pasi asnjë avokat kosovar nuk guxoi të mbronte Nazim Bllacën (i cili u dorëzua me dëshirë për t’u përballur me drejtësinë për krimet që ai kreu me urdhër nga liderët e lartë të UÇK-së), edhe pse detyra kryesore e avokatëve është të mbrojnë ata që akuzohen për krime.

“Perceptimi Publik i Gjykatës Speciale të Kosovës”, një anketim publik i botuar në shtator të këtij viti nga Integra, CPT, PAX dhe Impunity Watch, sugjeron se pothuajse gjysma (48.8%) e shqiptarëve besojnë se dëshmitarët nuk ndihen të sigurt për të dëshmuar.

Clint Williamson, prokurori special i Task Forcës Speciale Investigative të BE-së, i cili kreu një hetim trevjeçar mbi akuzat që përmbante një raport i Këshillit të Europës se anëtarët e UÇK-së kryen krime të rënda midis vitit 1998 dhe 2000, ka cituar se një numër dëshmitarësh të mundshëm të identifikuar nuk u morën në pyetje për shkak se vendndodhja e tyre aktuale nuk mund të përcaktohej.

Kështu që deri më sot ka sfida të pafundme që vijnë nga klima e kanosjes që synon të dëmtojë çdo hetim të individëve që kanë lidhje me UÇK-në.

Për më tepër, si gazetarët ashtu edhe pjesëtarët e shoqërisë civile janë shumë të kufizuara në raportimin e rasteve apo në paraqitjen e të dhënave për krimet e kryera kundër joshqiptarëve.

 

Kundërshtim ndaj gjykatës

 

Anketimi “Perceptimi Publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” sugjeron se tre të katërtat e shqiptarëve të Kosovës (76.4 për qind) e shohin si të padrejtë mandatin e Gjykatës Speciale për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe krime kundër njerëzimit që kanë lidhje kryesisht me UÇK-në.

Pak më shumë se gjysma e shqiptarëve të Kosovës (51 për qind) thonë se janë të gatshëm të protestojnë nëse luftëtarët e UÇK-së paditen nga Gjykata Speciale dhe 36 për qind madje janë të gatshëm të veprojnë për të parandaluar ndjekjen penale të anëtarëve të UÇK-së.

Kundërshtarët e Gjykatës Speciale thonë se prokurori i saj, Clint Ëilliamson, ka bërë pretendimin më të keq nga një perëndimor në lidhje me Kosovën kur foli për spastrimin etnik të shumicës së serbëve dhe romëve që jetonin në jug të lumit Ibër si rezultat i persekutimit të pakicave nga ana e UÇK-së.

Sipas të dhënave të UNMIK, pas luftës në Kosovë, rreth 1,000 serbë u vranë dhe rreth gjysma e 200,000 serbëve që jetonin në Kosovë deri në qershor 1999 u larguan nga shtëpitë e tyre.

Ndër fajtorëve kryesorë për vrasjet dhe dëbimet, janë individë të UÇK-së, edhe individë të rangut të lartë që menjëherë pas luftës krijuan në Kosovë një atmosferë aspak mikpritëse për ata që nuk ishin shqiptarë, ose edhe shqiptarë që s’ishin me UÇK-në.

Për shembull, a mundet dëbimi i romëve nga lagjet e tyre në Prishtinë dhe plaçkitja, djegia dhe shkatërrimi i pothuajse të gjitha shtëpive të tyre të cilësohet si diçka ndryshe nga spastrim etnik?

Kundërshtarët e Gjykatës Speciale gjithashtu shprehen se ajo është e përkushtuar të krijojë përshtypjen e gabuar se Gjykata e Hagës gjykoi serbët për luftën, ndërsa Gjykata Speciale do të gjykojë shqiptarët për atë që ndodhi pas luftës.

Në fakt, Gjykata e Hagës ka gjykuar shumë nga liderët politikë dhe ushtarakë të Serbisë dhe ka dënuar disa prej tyre, ndërsa shumica e kriminelëve serbë që kryen krime në të gjitha zonat e ish-Jugosllavisë duhet të gjykohen dhe ndëshkohen nga Gjykata Speciale e Beogradit për krime lufte.

Ne vetë duhet t’i kishim dënuar kriminelët, por shumë nga detyrat që ne nuk i bëjmë vetë bëhen nga të tjerë që, sigurisht, kanë në mendje interesat e tyre. Kështu që druhem se Gjykata Speciale mund të jetë mjeti i ardhshëm i shantazhit kundër politikanëve të Kosovës.

Ekziston edhe një përpjekje për ta paraqitur mandatin e Gjykatës Speciale si një që trajton vetëm krimet e pas luftës.

Është e vërtetë se theksi vihet mbi krimet e kryera pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999 dhe vendet e krimit thuhet se janë kampet e paraburgimit në Kosovë dhe Shqipëri.

Por duhet bërë e qartë se anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime kundër serbëve, romëve dhe pakicave të tjera në Kosovë, si edhe kundër shqiptarëve të Kosovës që konsideroheshin si bashkëpunëtorë të Serbisë dhe kundërshtarë politikë të lidershipit të UÇK-së edhe gjatë periudhës së luftës, nga janari 1998 deri në qershor 1999.

Investigimet dhe akuzat nuk drejtohen kundër UÇK-së, por kundër individëve të caktuar për krime të kryera gjatë luftës, kur këta individë ishin anëtarë të UÇK-së, edhe lart në hierarkinë e saj, dhe për krime të kryera menjëherë pas luftës kur këta individë ishin gjithashtu anëtarë të UÇK-së.

Të mos harrojmë që UÇK-ja u çmilitarizua në shtator 1999.

Gjykata është për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit dhe me shumë gjasa këta individë kanë përdorur armët e tyre, infrastrukturën dhe financat e UÇK-së për të kryer krimet e tmerrshme të përmendura në raportin e vitit 2011 nga raportuesi i Këshillit të Europës Dick Marty.

 

Pastrimi i Kosovës nga kriminelët

 

Anketimi “Perceptimi Publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” tregon se ndërgjegjësimi publik në lidhje me qëllimin, mandatin dhe shtrirjen e Gjykatës Speciale është i ulët në Kosovë.

Disa njerëz, për të mbrojtur veten, përpiqen ta portretizojnë Gjykatën Speciale si një sulm ndaj luftës së Kosovës për liri apo ndaj UÇK-së si organizatë.

Kjo është shumë e pabazë.

Ne duhet ta përdorim Gjykatën Speciale për të pastruar UÇK-në dhe Kosovën nga kriminelët.

Fakti që zyrtarë të lartë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nuk i bën kriminelë të gjithë anëtarët e UÇK-së, njësoj si fakti që liderët politikë të Kosovës janë të korruptuar nuk do të thotë se të gjithë qytetarët e Kosovës janë të korruptuar.

Fatkeqësisht, në Kosovë shumica e atyre që janë pro Gjykatës Speciale mendojnë se ajo duhet të ngrihet për shkak se partnerët tanë ndërkombëtarë po e kërkojnë atë ose sepse kjo do të thotë se do të lirohemi nga ata që kanë përvetësuar financat e vendit për rreth dy dekada.

Por nuk ka pothuajse asnjë opinion që kjo gjykatë duhet të krijohet për kënaqësinë morale të familjeve të viktimave apo për ndëshkimin e kriminelëve.

Prandaj, në fjalimin e atyre që janë pro kësaj gjykate ne gjejmë shprehje si “krime të supozuara të UÇK-së”, që është absurde njësoj si të thuash “krime të supozuara të forcave serbe”.

Në fund, është e vërtetë që Serbia do ta përdorë ndërkombëtarisht krijimin e Gjykatës Speciale për të njollosur Kosovën dhe të gjithë UÇK-në si mjeti për luftën për çlirim, për ta portretizuar veten ndërkombëtarisht si një viktimë dhe jo si agresori.

Prandaj, duhet të ketë një projekt ndërkombëtar për ta kundërshtuar këtë fushatë nga Serbia, e cila mund ta rifreskojë kujtesën globale me një reflektim objektiv të ngjarjeve në Kosovë nga janari 1998 deri në dhjetor 1999.

 

(Shkëlzen Gashi, ka studiuar Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka përfunduar masterin për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universitetit të Bolonjës dhe Sarajevës. Ai ka botuar shumë artikuj mbi prezantimin e historisë së Kosovës në tekstet shkollore në Kosovë, Shqipëri Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Ky vështrim është publikuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative – BIRN)

Please follow and like us: