Identiteti i T. Kavaliotit dhe Voskopoja
Prof. Xhevat Lloshi
Si autori i një fjalori të hershëm shumëgjuhësh, në të cilin është përfshirë edhe gjuha shqipe (1770), T. Kavalioti ka zënë një vend të qëndrueshëm në historikun e shkrimeve shqipe. Vepra e tij është në të vërtetë i dyti fjalor i botuar që përmban një leksik të shqipes, pas Fjalorit latinisht-shqip të Frang Bardhit (1635). Autorët që kanë shkruar për të kanë shprehur pikëpamje të ndryshme për vendlindjen e tij, ndërsa mbizotërojnë mendimet se ishte nga familjet e ardhura prej kohësh nga Kavalla e Greqisë ose nga Kavaja. Meqë ai jetoi, punoi dhe vdiq në Voskopojë, nuk e kanë shtruar pyetjen drejtpërdrejt nëse ishte shqiptar apo jo si kombësi, domethënë me fjalë të tjera, cili ishte identiteti i tij etnik. Duke pranuar se tipari mbizotërues për identitetin është gjuha amtare, kjo do të jetë pikënisja për të shtjelluar diskutimin e mëtejshëm.
Artikullin për T. Kavaliotin, botuar frëngjisht më 1966, A. Uçi e ka titulluar “Një përfaqësues shqiptar i iluminizmit”. Pa ngurrim ai e quan Teodorin shqiptar me të atin shqiptar dhe të ëmën vllahe, por në mënyrë të çuditshme pohon se “njihte si gjuhë amtare shqipen, vllahishten dhe greqishten.” Me logjikën më të thjeshtë gjuha e tij amtare ka qenë arumanishtja, ndërsa analiza e fjalësit të tij dëshmon se shqipen e kishte gjuhë të dytë. Edhe atësia e tij nuk do të ketë qenë shqiptare, nëse shohim emrin e të atit Anastasiu. Asnjëherë nuk kishte ndjekur ndonjë shkollë shqipe, madje as arumune, por vetëm greke dhe vetë ka dhënë mësime greqisht e ka shkruar vetëm greqisht. Nga ana tjetër, autorët tanë pa të drejtë i shmangin faktet e rëndësishme për profilin e Teodorit, duke mos vënë në dukje se ai u vesh prift, u bë protopapë, jepte mësim në një shkollë teologjike e tregtare dhe vetë jepte mësim teologji greqisht. Nxënësit e tij më pas janë bërë priftërinj dhe ieromonakë. Edhe shtypshkronja ishte ngritur pranë kishës së Gjon Teologut, domethënë nga të gjitha pikëpamjet ai ishte brenda ngrehinës ortodokse greke dhe nuk e kuptoj se si mund të flitet për filozofinë e tij, duke e përjashtuar këtë anë.
Kavalioti është shprehur prerazi, se duhen pranuar vetëm filozofët, që nuk janë në kundërshtim me Kishën universale; ai kërkonte që të drejtoheshim drejt së vërtetës në kuptimin e besimit të krishterë dhe të tjerët të urreheshin si mashtrues e të luftoheshin me gjithë forcat si sharlatanë. Filozofia për atë ishte dashuri për perëndinë.
Jup Kastrati në “Historinë e albanologjisë” i ka kushtuar T. Kavaliotit 28 faqe. E quan “mendimtarin më të shquar shqiptar të shekullit XVIII.” dhe “një prej figurave më të shquara të kulturës kombëtare shqiptare të së kaluarës.” Për fat të keq, ky autor ka parafrazuar një punim diplome, të cilin e ka udhëhequr vetë, mirëpo edhe studentja është nisur jo prej origjinalit, që ka si gjuhë kryesore greqishten, por nga ribotimi i J. Thunmann-it (1774), i cili e kishte kthyer latinisht dhe kështu të metave të ribotimit prej J. Thunmann-it u janë bashkuar të metat e diplomantes dhe nuk mund të mbështetemi te ky parashtrim, i cili përndryshe do të ishte trajtesa më e gjerë gjuhësore e studiuesve shqiptarë për fjalësin e Kavaliotit. Për ta argumentuar këtë po sjell vetëm ndonjë shembull. Nuk janë te Kavalioti turqizma të shqipes: balsam, dirsë, fërtere, gudulis, gulçim, gurmaz, gjind, haliç, hobe, honi, kallamar, kamare, kamillaf, kanistër, kofin, mëndafsh, mistri, mustaqe. Kurse gëdat, jyzhi në origjinal janë këndat dhe juzi. Gjithashtu ka gabime për huazimet e tjera të shqipes, domethënë kordhëzë e quan edhe greke, edhe latine e kështu më tej. Në kundërshtim me nocionet e gjuhësisë quhen fjalë përmbledhëse: dynja, fis, katund, milet, madje dynja quhet edhe emër abstrakt, ndër të cilët për çudi përfshihen edhe: brymë, bubullimë, drita, heqimi etj., kështu që gjendja zbret deri te përcaktimi si emra mashkullorë për: çadër, gënjeshtër, hasër, hudhër dhe anasjelltas, ujë, fëmijë, vath na qenkan emra femërorë dhe i pakëna qenka mbiemër i formës. Por braktisja e plotë e shkencës gjuhësore shfaqet, kur turqizmi hapspër burgun na quhet emër prejfoljor (nga hap e shqipes), kur trajtohen si me prapashtesën –arfjalët margaritar, sqepar, për të mbërritur te absurditeti se folja kuaj (koj, mëkoj) ardhka nga shumësi i emrit kuaj-t. Nuk po ndalem te përsëritja e të gjitha gabimeve të autorëve të mëparshëm, që janë në kundërshtim me faktet e vërtetuara.
Kavalioti nuk është autor shqiptar nga asnjë pikëpamje dhe në asnjë kuptim. Prej tij nuk kemi asnjë fjali të vetme të shkruar shqip. Pjesën shqipe të fjalësit të vet e ka dhënë si përkthim për t’u mundësuar nxënësve shqiptarë të kuptonin tekstet greqisht, gjë që nënkupton, së pari, se në klasat e shkollës së Voskopojës kishte aq shumë nxënës shqiptarë, saqë nuk mund të shpërfillej prania e tyre dhe po kjo ka qenë arsyeja për librin e vogël të Dh. Voskopojarit më 1802. Së dyti, kjo nënkupton që këta nxënës dhe përdorues të tjerë shqiptarë, ashtu si edhe vllehtë, nuk e dinin mirë greqishten dhe Kavalioti e përfshinte gjuhën amtare të tyre nga nevoja për t’i kaluar në kulturën greke dhe jo nga interesimi për vetë gjuhën e tyre amtare. Shqipja ishte një mjet ndihmës për greqishten dhe jo sepse kishte ndonjë interesim Kavalioti për shqipen. Madje A. Hetzer-i mendon se fjalësi i tij shërbente “që nxënësit e mësimores së Voskopojës të drejtoheshin për të komunikuar gojarisht në gjuhën greke.”, ndërkohë që ky fjalës nga ana tematike ishte absolutisht i padobishëm për leximin e teksteve teologjike-didaktike, madje përmban edhe nga ato që i quajmë fjalë të ndyra. Gjithsesi edhe pohimet e A. Hetzer-it janë me kundërshti të brendshme, kur vijon se është një greqishte bizantine, që nuk shërben për jetën e përditshme. Tek ai ka jo pak fjalë në trajtat e greqishtes së folur. Nuk mund t’i shmangemi pohimit me shkrim në kopertinën e librit, se pati nxitjen e tregtarit nga Voskopoja, Jorgji Trikupës, të mbiquajtur Kosminski, që ta botonte “për të mirën e grekëve.”
Nga ana tjetër, A. Uçi e pranon, se “Tekstet e tij janë shkruar në një greqishte relativisht arkaike të shek. XVIII, por edhe me ngarkesa gjuhësore të greqishtes antike, bizantine e neobizantine kishtare.” (f. 10) Lind pyetja: nga do të gjendeshin këta shqiptarë, aq më tepër nxënës, që të zotëronin një greqishte të tillë, pa e thelluar më tej këtë pikë, se me një gjuhë të tillë të vështirë trajtoheshin edhe çështje të filozofisë e të logjikës gjithashtu në vetvete tejet të vështira. Më duket se faktikisht dorëshkrimet e tij kanë qenë kompilime për përdorimin e tij vetjak, jo për t’i botuar, jo për t’ua dhënë nxënësve si libra mësimorë, por për t’i pasur si mbështetje sa kohë që jepte mësim. Më pas, kur e la atë punë, nuk pa ndonjë nevojë ose kërkesë për t’i shtypur. Kështu do të shpjegohej pse na kanë ardhur vetëm si dorëshkrime aq të rralla.
Së treti, Kavalioti nuk njihte ndonjë traditë të shkruar të shqipes. Nevojisht i duhej të zgjidhte çështjen e alfabetit. T. Osmani e quan se fjalësi i tij ka interes për “historinë e shkrimit të shqipes me shkronja greke. Këtu gjejmë për të parën herë të shkruar gjerësisht shqipen me alfabetin grek.” E vërteta është se Kavalioti përpunoi një alfabet të arumanishtes mbi bazën e shkronjave greke dhe këtë e përdori pa ndryshime edhe për shqipen. Megjithëse kanë derdhur shumë bojë për ndikimin e tij te shqiptarët, askush nuk e ka përdorur alfabetin e tij, madje as edhe Kostë Berati, i cili ka kopjuar një pjesë të fjalësit të tij.
Mendimi im i përgjithshëm është se T. Kavalioti ka zënë një vend të gjerë që nuk i takon në shkrimet për shqipen dhe prandaj kontributi i tij duhet ridimensionuar. Studiuesi rumun P. Papahagi më 1909 ka hedhur në qarkullim një hamendësim të pambështetur, se Kavalioti kishte bërë një përkthim të Dhiatës së re shqip. Me të drejtë G. Petrotta e mënjanon këtë, duke e quajtur një ngatërrim me përkthimin e Dhaskal Todrit, ndërsa do të shtoja që ndoshta është marrë gabimisht puna e Grigor Voskopojarit. Është pikërisht Grigori, nga i cili i kemi disa faqe të përkthyera. Ai ka dhënë afër 30 vjet mësim në Voskopojë dhe u zgjodh dhespot i Durrësit më 1748. Me sa duket, kishte nisur të jepte mësim që më 1718 dhe prandaj Kostë Berati e të tjerë janë ndikuar prej tij, domethënë ky është zanafilla e interesimit për shqipen në hullinë e Voskopojës dhe jo T. Kavalioti. Sa për Dhiatën e re, ndonëse ka bërë prova me interes për disa pjesë, Grigori gjithashtu nuk i kishte as njohuritë dhe as përgatitjen për ta kthyer gjithë librin shqip, pavarësisht se Dh. Shuteriqi, duke u mbështetur te G. Zavirasi (1872), me dashamirësi shprehet se kishte përkthyer edhe Dhiatën e vjetër. Dëshiroj ta vë në dukje qartazi se as këta, as Anonimi i Elbasanit, as Dhaskal Todri e ndonjë tjetër nuk i kishin këllqet për të përkthyer të plotë Biblën dhe është e kotë të dëgjohen ankime për humbjen e dorëshkrimeve të tyre. Kanë ekzistuar dorëshkrime për pjesë të përshtatshme që vlenin për shërbesat në kishë, një traditë e cila vjen qysh nga Gj. Buzuku.
Të më lejohet ta përsëris, se jo vetëm nuk ka ekzistuar ndonjë përkthim i Dhiatës së re, por edhe se T. Kavalioti nuk ishte në gjendje të kryente një përkthim të tillë. A. Hetzeri, i cili ka bërë ribotimin e fjalorthit më 1981, e thotë prerazi, se: “Mund të quhet e vërtetuar, që Kavalioti, i parë nga ana gjuhësore, nuk ka qenë shqiptar”, ndërsa njohja e tij e shqipes nuk ishte mjaft e gjerë. Kjo tingëllon në kundërshtim të drejtpërdrejtë me entuziazmin e J. Kastratit, se: “Kavalioti zotëronte në mënyrë të përsosur shqipen, vllahishten dhe greqishten e re.” Fjalësi i tij për greqishten ka 1170 njësi dhe një çikë më pak për shqipen (1100), ndërsa Dhiata e re ka një fjalës prej 4800 njësish, domethënë jemi mjaft larg për të pasur pretendime. Mes këtyre vetëm nja 20 janë për fenë e për kishën, ndërsa një të tretën e zënë sendet shtëpiake, bimët e kafshët, trupi etj., domethënë janë të sferës së diturisë së natyrës si lëndë shkollore dhe të mjeshtërive e të tregtisë.
Kavalioti nuk është shkrimtar shqiptar nga asnjë pikëpamje dhe në asnjë kuptim. Prej tij nuk kemi asnjë vjershë ose faqe letrare të vetme të shkruar shqip. Për shkak të zbrazëtisë që paraqet shek. XVIII, ngaqë ishte periudha e osmanizimit më të thellë të jetës kulturore shqiptare, studiuesit janë orvatur ta mbushin zbrazëtirën me letërsinë orientale (bejtexhinjtë) dhe me T. Kavaliotin. Ndërsa pa ndonjë ngurrim E. Çabeji më 1936 e quan se: “Me Teodor Kavaliotin fillon perioda e shkurtër e kulturës aromune në Shqipëri.” dhe i kushton vetëm katër radhë. N. Resuli pesë vjet më pas te libri me titullin pikërisht “Shkrimtarët shqiptarë” i kushton katër faqe, ndonëse për të qenë i drejtë me të, do të vija në dukje, se e ka shprehur qartë, që fjalësi i tij “nga pikëpamja thjeshtësisht gjuhësore . . . vlerë të madhe nuk ka.” Ndërsa një tekst shkollor i vitit 1952 vetëm sa e përmendte, një të tretë faqeje i ka dhënë Dh. Shuteriqi në tekstit tjetër për shkollat e mesme më 1958 dhe një vit më vonë K. Frashëri në vëllimin e parë të “Historisë së Shqipërisë” i ka ndarë katër faqe Akademisë së Voskopojës, duke e cilësuar T. Kavaliotin “mendimtar të shquar”, i cili paska qenë “udhëheqës i lëvizjes kulturale jo vetëm të Voskopojës, por edhe të krahinave të tjera të Shqipërisë së mesme e të jugut.” Nuk e di se ku është mbështetur një rol i tillë, që me një modernizim të sotëm quhet lider.
Duke ardhur më afër në ditët tona, Historia e letërsisë shqiptare jep një shifër të pabesueshme prej 50 mijë banorësh dhe shprehet, që: “Lëvizja letrare e Voskopojës ishte pjesë përbërëse e lëvizjes së gjerë që zhvillohej në Ballkan nën ndikimin e iluminizmit perëndimor, po në hegjemoninë e kulturës greke.” Veprës së Kavaliotit i jepet pak vend dhe zbrazëtia mbushet me ekskursione të panevojshme në pikëpamjet filozofike, ashtu siç është bërë edhe në raste të tjera e në veçanti edhe në ribotimin e Fjalorit enciklopedik shqiptar më 2008 (vëllimi II, f. 1145-1147). Së fundi, fare pak vend i jep edhe R. Elsie në librin e tij, por jo pa tendenciozitet citon gjerësisht J. Thunmanin aty ku ky Voskopojën e vendos në Maqedoni dhe krejt pa të drejtë e quan se i fliste si gjuhë amtare greqishten, arumanishten dhe shqipen.
Rrjedhimisht, hiperbolizimi i figurës dhe i veprës së tij pas K. Frashërit dhe J. Kastratit, i mbetet A. Uçit, i cili në këtë hulli ecën së bashku me disa lëvrues të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, për të cilët T. Kavalioti madje qenka deklaruar “kundër dijetarëve grekë, të cilët pohonin se shqipja nuk mund të shkruhet” dhe “qe i pari që hapi udhën për shqiptarizimin e didaktikës së tij, për të futur elementin shqiptar, elementin e gjuhës shqipe në shkollën dhe në tekstet e tij.” Në librat e tyre të vëllimshëm këta lëvrues i gjejnë rrënjët e këtij mendimi pothuaj që nga koha kur majmunët u shndërruan në pellazgë.
- Kavalioti nuk e dinte mirë shqipen. Shembujt janë të mjaftueshëm, për të dëshmuar se Kavalioti nuk e zotëronte mirë shqipen. Për 68 fjalë të greqishtes ka dhënë 34 fjalë të arumanishtes dhe pikërisht po aq edhe për shqipen, që do të thotë se nuk është nisur nga greqishtja për të dalë te shqipja, por nga arumanishtja, duke mos njohur zgjidhje të tjera për shqipen. Në 44 raste për dy fjalë të greqishtes ka dhënë një fjalë të vetme të shqipes, të dhëna këto që vërtetojnë se njohjen e leksikut të shqipes e ka pasur më të varfër.
Ndeshen gjithsej 114 turqizma te fjalësi i tij, domethënë një e dhjeta e numrit të përgjithshëm. Përpara tij fjalori i F. Maria da Lecce-s (1702) kishte 430 turqizma dhe 27 prej tyre i ka edhe Kavalioti. Gjithashtu 45 turqizma janë të njëjtë me ata të arumanishtes. Ndërkaq, këtij i mungojnë edhe fjalë krejt të zakonshme, prej të cilave do të përmendja bahçe, bakër, bereqet, çakmak, çorape, çelik, çizme, çoban, fishek, hambar, hesap, penxhere e shumë e shumë të tjera, kështu që jemi përpara një varfërie leksikore. Nuk është vënë re deri më sot, se në fjalësin e tij ka edhe gjurmë të maqedonishtes, diçka e kuptueshme për dygjuhësinë edhe me bullgaro-maqedonët, e cila e ka detyruar më pas edhe Dh. Voskopojarin që të përfshinte një gjuhë të katërt, ndonëse ai e vetë nuk e njihte. E vlen të përmendet se Voskopoja bënte pjesë në sanxhakun e Manastirit. Ndërsa disa italianizma janë marrë prej arumanishtes dhe nuk kanë qenë fjalë të shqipes.
- Kavalioti nuk ka qenë iluminist. Nëpërmjet një vargu sofizmash A. Uçi (f. 84-85) sajoi njëfarë “iluminizmi para iluminizmit”, diçka që nuk e njeh dituria botërore, ndërsa me përdhunë “racionalizmin kartezian” të Kavaliotit e quan iluminizëm. Pas kësaj e shtjellon më tej sajimin e vet dhe shprehet se: “ishte një premisë që përgatiste terrenin drejt ndërgjegjes kombëtare.” Shfaqen kështu edhe pyetje të tjera: Cila do të ishte kjo ndërgjegje kombëtare me zanafillë te Kavalioti? Duke iu shmangur këtyre pyetjeve thelbësore, ky autor zbret te pohime antihistorike, sipas të cilave Akademia e re dhe filozofia e Kavaliotit “drejtpërdrejt përbënin themelin e një ndërgjegjeje parakombëtare, domethënë etnike.” Këto janë arsyet përse e kam quajtur të nevojshme të shqyrtohej pa dredhime, se cili ishte identiteti i Kavaliotit.
Kam bindjen se arsyet për ta ridimensionuar trajtimin e T. Kavaliotit janë të mjaftueshme:
Identiteti etnik i Kavaliotit ishte arumun.
Identitetit gjuhësor ishte arumun, gjuha e tij amtare ishte arumanishtja. Shqipen e kishte gjuhë të dytë dhe nuk e zotëronte shumë mirë.
Gjuha e tij e kulturës ishte greqishtja. Në të gjithë punën e tij fetare, mësimore dhe si autor ka përdorur greqishten. Edhe shqipes i është drejtuar si mjet ndihmës për të mësuar greqishten.
Identiteti i tij kulturor ishte ortodoks grek.
Nuk ka qenë asnjë lloj iluministi, mendimtari ose filozofi shqiptar dhe iluministët e vërtetë shqiptarë do të shfaqeshin bashkë me Rilindjen tonë, te të cilët ai nuk do të kishte ndonjë ndikim.
Nuk ka ndonjë trashëgim të Kavaliotit në kulturën shqiptare dhe nuk ka përse të njëjtësohet ai me Voskopojën si simbol i saj. Aq më pak do të pranohej, që A. Uçi të na mësonte se: “Jemi ndeshur edhe me mjaft aspekte të mendimit të tij me rëndësi për filozofinë e shkencat bashkëkohore.” (f. 12) Në ata pak libra përgjithësues që kam shfletuar për filozofinë nuk më del askund që të përmendet emri i tij, me përjashtim të atyre pak shkrimeve, të cilat i janë kushtuar atij konkretisht, ndërsa është në kufijtë e qesharakes, të mëtohet se ka aspekte të mendimit të tij me rëndësi për shkencën bashkëkohore, e cila është shkenca e fluturimeve kozmike dhe e informatikës, për të mos përmendur arritjet e saj të pakrahasueshme me çdo epokë tjetër të njerëzimit.
Teodor Kavalioti ka qenë arumun shqiptar; fshirja e këtij fakti objektiv është arsyeja e trajtimeve joshkencore për këtë figurë dhe për gjithë problematikën e lidhur me të.
Është meritë e mjedisit shqiptar, që bëri të mundur lulëzimin e një qendre ekonomike e kulturore në shek. XVIII në Voskopojë dhe qarkullimin e veprimtarëve të saj në një rajon më të gjerë, duke sjellë natyrshëm edhe praninë e gjuhës shqipe aty ku ishte e pamënjanueshme. Shkatërrimi i kësaj qendre ishte pasojë e proceseve negative të Perandorisë Osmane, e cila kishte nisur tatëpjetën, të trajtuar gjerësisht nga P. Xhufi në librin Shekulli i Voskopojës (1669-1769), ndërsa ashtu siç ishte kultura e saj me tipare arumune shqiptare nën ndikimin e pjesës së përparuar të kulturës greke të kohës, ashtu ishin edhe konfliktet e brendshme, edhe shtypja me natyrë osmane, pavarësisht se agjentët e kësaj shtypjeje ishin me natyrë osmane shqiptare. Vërtetimin më bindës e gjejmë në zhvillimet e mëtejshme, në të cilat bashkëjetesa miqësore e arumunëve me shqiptarët asnjëherë nuk ka shfaqur synime asimilimi, konflikte, dukuri agresive ose përbuzëse. Toleranca e hapur shqiptare po ashtu nuk ishte refraktare as ndaj kulturës greke, as ndaj shkollave greke dhe as ndaj ideve më të përparuara europiane të asaj kohe, që në Ballkan po gjenin përhapje nëpërmjet greqishtes. Voskopoja ishte një dukuri ballkanike dhe kam përshtypjen se vetëm në truallin e përshtatshëm shqiptar gjeti kushtet e lulëzimit, ndonëse ishte e predestinuar për t’u rrënuar gjithashtu nga ato forca, që rrënuan edhe patriarkanën e Ohrit. T. Kavalioti ishte një intelektual arumun shqiptar dhe qe fati i tij të ndodhej në trevat shqiptare, ku nuk mund të shkëputej nga shqipja. Pa atë pak shqipe në librin e tij me interes leksikografik nuk do të kishte gjetur vend te ne gjithçka që është shkruar rreth tij.
Studiuesit shqiptarë përmendin një numër jo të vogël autorësh rumunë, të cilët janë marrë me T. Kavaliotin, mirëpo asnjëherë nuk i kanë përkthyer punimet e tyre ose të paktën t’i citonin dhe t’i miratonin apo t’i kundërshtonin. Po sjell vetëm një emër të njohur: Theodor Capidan-i, i cili mes të tjerash më 1928 ka botuar “Kontributi i rumunëve në rilindjen shqiptare.” Kësaj gjendjeje i duhet dhënë fund për t’i prerë rrugën edhe në këtë lëmë një romantizmi atdhetar, por të papranueshëm për standardet e sotme të kërkimit shkencor. Më duket se është koha të rikthehemi te tempulli i rreptë i shkencës, që të bëhemi të besueshëm e me autoritet edhe për botën e shkencës.