Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Koçiu: Spërdredhjet e një kryeministri

Nuk është më sekret se Edi Rama ia ka dalë të zhgënjejë edhe admiruesit e tij pa kushte, ata që i kanë mirëkuptuar mangësitë, duke i admiruar guximin, që shkonte përtej kufijve klasikë të atyre normave që pranohen si të tilla në çdo shoqëri. Batutat për të, vijnë edhe nga njerëz pranë tij, mbi performancën në këto ditë të vështira, shëtitjen e qeverisë fundjavave nëpër rrethe për mbledhje, e deri tek ulja nëpër tryezat e varfra të qytetarëve, ku u flet për politikën e madhe, e hallet e veta, siç ishte rasti mbi reportazhin e emisionit investigativ “Le Iene” në Bulqizë.  Me mospërmbajtjen tipike inatçore, që nuk ia latuan sadopak 5 vite në krye të qeverisë, i quajti “kazan” edhe gazetarët investigativë italianë, siç bën me lehtësinë më të madhe me gazetarët shqiptarë. Por përgjigja me prova e gazetarëve italianë, bëri që kryeministri të tërhiqej, të pranonte se ishte nxituar, e se e kishte paragjykuar pa e parë vetë si reportazh.

E pohoi në studion e Eni Vasilit, kryeministri që gazetarët shqiptarë i quan “kazan”, të paditur, injorantë, që nuk lexojnë, e që flasin pa lidhje, pa lexuar e verifikuar faktet.

E tha shefi i qeverisë që çdo informacion, mbi çdo situatë, e ka veç një telefonatë larg.

E tha një kryeministër që njëlloj në këto 5 vjet, ka refuzuar të konsiderojë problematikat që i janë evidentuar.

Pamë se si një kryeministër që nuk pranon realitete ndryshe nga ato filmon e shpërndan vetë në media, u mpak me gjithë shtatlartësinë e tij, para fuqisë investiguese të një medie të huaj, të cilën nuk e kontrollon dot.

Pamë se si i njëjti kryeministër, nuk pati as më të voglin reflektim mbi atë realitet skandaloz, që pasqyronte reportazhi i “Le Iene”, sesi fëmijë të vegjël në shtetin që menaxhon ky kryeministër, mbledhin krom për 2 cent kilogramin, për të ndihmuar familjet. Çka dëgjuam ishin klishetë e njohura se meraku i tij është të bëjë shtet.

Por standardi i dyfishtë i kryeministrit, u pa edhe në raport me median e vendit të vet. Kjo pasi sjellja e padenjë ndaj një medie të huaj, nuk është e panjohur për median shqiptare. Me një taktikë të mirëmenduar, më shumë se shmangien e vëmendjes ndaj ngjarjeve të rënda që implikojnë qeverinë e tij, kryeministri po synon të godasë pikën më të fortë të medias, besueshmërinë e saj. Me gjithë problematikat që ka sot media shqiptare, të cilat nuk hyjnë në përshkrimin e punës së kryeministrit, koha i ka vërtetuar raportimet e investigimet e saj, posaçërisht për kanabisin e krimin me lidhje e mbrojtje politike. Ky është një fakt kokëfortë, i cili i reziston, i shkruar e zezë mbi të bardhë, me zë e figurë, çdo shpërthimi të menduar a të momentit të kryeministrit.

Ndër vite, në çdo sondazh të publikuar, jo të kryeministrit, mbi besueshmërisë e qytetarëve tek institucionet, media është renditur gjithnjë para politikës, e me diferencë shumë më e besueshme se ajo.

Kjo është arsyeja që kryeministri ka ndërmarrë një fushatë ndaj saj, në mënyrë që denoncimet e investigimet, që kanë qenë mbresëlënëse vitet e fundit nga media shqiptare, të mos kenë efektin e deritanishëm në opinionin publik. Kryeministri vijon të thotë se nuk i heq asnjë presje “opinionit” të tij për mediat e vendit të vet, të cilat i nxijnë realitetin, atë realitet që ai vetë më shumë përkushtim artistik e monetar, e përgatit në zyrat e tij, dhe ua dërgon të gatshme për transmetim atyre mediave që i anatemon.

Cili kryeministër para tij, i majtë a i djathtë, e ka bërë këtë gjë në mënyrë sistematike me mediat, e duke i quajtur “kazan”?

Në cilën qeveri paraardhëse, të majtë a të djathtë, ministri i Brendshëm, përgjegjës për luftën kundër kanabisit e krimit të organizuar, po hetohet për lidhje me të?

Në cilën qeveri të majtë a të djathtë, ka ndodhur që të bien avionët e drogës, e kryeministri të thotë se janë mushkonja?

Në cilën qeveri ka ndodhur që kryeministri të flasë për sukses në luftën kundër drogës, kur mediat italiane raportojnë sistematikisht, kapjen e tonëve të tëra me kanabis, të futura nga Shqipëria?

Në cilën qeveri, kryeministri, teksa flet për sukses në luftën kundër krimit të organizuar, shpall ardhjen e FBI e agjentëve të specializuar gjermanë, britanikë e italianë për ta luftuar atë?

Në cilën qeveri, kryeministri në vitin e pestë në detyrë, thotë se përgjegjësitë, qoftë edhe morale, qenkan të vartësve, por jo të atij vetë, që i ka zgjedhur e i ka mbrojtur ashpërsisht e kokëfortësisht para çdo denoncimi publik?

Në cilën qeveri ka ndodhur, që një ambasador të thotë copë, se krimi është i lidhur me politikën, e të rendisë emra konkretë, shumica të përzgjedhur nga ky kryeministër?

Në kushtet kur beteja verbale e opozitës nuk e impresionon, kryeministri ka kthyer sytë nga media, ajo që nuk ka interes si opozita, që t’i zërë karrigen, por që po raporton e investigon anën tjetër të kësaj qeverie.

Sulmi ndaj besueshmërisë së medias është dëmi më i madh që i bëhet demokracisë, që ka si themel fjalën e mendimin e lirë, e këtë Edi Rama e bën nga karrigia e kryeministrit, në mënyrë aspak të paqëllimshme a të pavetëdijshme.

Për fat të mirë, gazetarët shqiptarë nuk kanë nevojë të lodhen shumë për të marrë solidaritetin e kolegëve jashtë vendit për sulmet e shefit të qeverisë. U jep një dorë vetë kryeministri i vetëkënaqur.

E bëri pa u matur fare para një audience me 250 përfaqësues të mediave nga Shqipëria e rajoni. U shfaq si viktimë e medias së vendit të vet, e madje tha se pas fjalëve vijnë edhe plumbat. Moment më të gabuar për të përmendur vdekjen nuk mund të kishte, pasi pak javë më herët një gazetare investigative malteze, që denonconte korrupsionin qeveritar, u hodh në erë me një bombë në makinën e saj. Ishte ky rast tronditës që e solli edhe komisioneri Hahn në atë konferencë, si një kujtesë së Brukseli tani po merret seriozisht me lirinë e cenuar të medias, edhe në Ballkanin Perëndimor.

Një kryeministër që flet me zë e figurë për media super të pasura, që i bëkan presione, pa dhënë asnjë emër, nuk perceptohet thjesht si i pafuqishëm a viktimë e tyre, por edhe qesharak, teksa u turret për 8 minuta e me fyerje pa fre, reporterëve në oborrin e parlamentit.

Prandaj, ky kryeministër zhgënjen keq, sepse nga artisti rebel i viteve të para të pluralizmit, që forcë të spikatur kishte fjalën në emër të lirisë, nuk ka mbetur veçse një kryeministër i shtypur nga pesha e pushtetit të mbledhur, e mëkateve jo të vogla të tij, e vartësve, që pasi i vihen në rresht, nuk e kursejnë nëpër tryeza për performancat e tij pa asnjë lloj vetëpërmbajtje, të njëjtit vartës, që duket e kanë  më të thjeshtë ta shndërrojnë në histori tryezash, sesa t’i thonë: -Ndalo Edi, se po bëhesh çdo ditë e më qesharak./Gsh/

Please follow and like us: