Prishën formulën e “C’est la vie”…çfarë ndodhi me Orin dhe Anxhelën?
Nga çiftet pjesëmarrës të “C’est la vie”, spektaklit të ri që ka nisur në Tv Klan dy javë më parë, Anxhela Peristeri dhe Ori Kuçi ishin jashtë skemës që ishte menduar si fillim nga produksioni.
Drejtuesit e spektaklit, kishin menduar që, krahas këngëtarëve profesionistë, të vendosnin edhe personazhe nga fusha të tjera të artit apo biznesit, të njohur për publikun, që e kanë pasion këngën dhe duan ta sfidojnë veten edhe para publikut. Por Anxhela dhe sipërmarrësja e njohur Ori Kuçi, si fillim, dolën jashtë formulës.
Dy konkurrentet e “C’est la vie”, edhe pse prishën formulën sepse nuk krijuan çift, u pëlqyen shumë për publikun, madje javën e fundit me këngën “E dehur jam” morën edhe çmimin e parë. Të ftuara në “Rudina” pasditen e sotme, Anxhela dhe Ori rrëfyen emocionet që i kanë përfshirë gjatë këtyre javëve të para dhe, mbi të gjitha, edhe për pritjen e jashtëzakonshme të publikut. Pasi fituan çmimin e parë të dielën e kaluar, Anxhela dhe Ori ishin shumë të lumtura që e gjithë juria votoi unanim performancën e tyre. Anxhela, si e mësuar me skenën dhe me emocionet e saj, natyrisht e kishte më të thjeshtë për të menaxhuar situatën, megjithatë edhe ajo i gëzohet suksesit në këtë eksperiencë të re për të.
Ndërsa Ori Kuçi, si e rikthyer në muzikë pas shumë vitesh, ka filluar të ndjejë një lloj nostalgjie të pazakontë. Vlerësimin e jurisë, ajo e përjetoi me emocion dhe, siç tregon për “Rudina”, më shumë të mezipritur kishte vlerësimin e Aleksandër Lalos: “Në fakt, e gjithë vëmendja ime ishte e përqendruar te profesor Lalo. Gëzoj respekt shumë të madh për të si kompozitor, ndaj e kisha me shumë merak. Por kur ai nxori ipad-in dhe Marina tha emrin tonë, ishte shumë emocion”, – tregon Ori.
Gjatë javëve të ardhshme, dy vajzat kanë akoma shumë surpriza që do t’i zbulojnë çdo të diel, por për momentin po shijojnë edhe për disa ditë suksesin e vendit të parë./Revista Class/