Albspirit

Media/News/Publishing

Rama-Bashës: Nuk jam avokati i Tahirit, nuk e bëj dot atë që bëri Saliu për ty

Gjatë seancës së sotme parlamentare ku diskutohet buxheti i vitit të ardhshëm, kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur akuzave të kreut të opozitës tha se nuk ishte detyra e tij që të bënte avokatin e bashkëpunëtorëve, duke pasur parasysh këtu edhe ish-ministrin Saimir Tahiri.

“Çfarë të them unë për Saimir Tahirin? Detyra ime është? As e imja dhe as e jotja. Është detyra e atyre që po e hetojnë. Nuk të ka caktuar ty njeri të bësh as gazetarin, as prokurorin dhe as gjykatësin.

Për pushtetin që të intereson je në gjendje të fusësh llumin në veshin e çdo njeriu me gjysmë të vërteta. Jemi shumë ndryshe. Ilir Beqaj të ka ftuar në Gjykatë të provosh atë që ke thënë dhe mbrohesh tamam si skutha.

Unë bashkëpunëtorët i mbroj të gjithë, por nuk jam avokati i asnjë bashkëpunëtori. Kush prek në dërrasë të kalbur, të shkojë dhe të përgjigjet aty ku përgjigjet çdo njeri që ka besimin publik”, u shpreh Rama.

Më tej ai shtoi se nuk bën dot atë që bëri Saliu për Bashën, ku merrte fjalën në Kuvend dhe e mbronte në çdo fjalim kur ishte i akuzuar nga Prokuroria.

“Ta kesh të qartë ti dhe të gjithë unë kam qenë dhe do jem gjithmonë ky. Unë nuk bashkëpunëtorët i besoj të gjithë dhe i mbroj deri në fund idetë që ndajmë, punën që bëjmë. Por unë nuk jam avokati i asnjë bashkëpunëtori.

Nuk e bëj dot për askënd atë që bëri Saliu për ty, kur u akuzove dhe u shmange me raport mjekësor dhe nuk u paraqite fare. Unë nuk bëj dot atë që bëri Saliu për ty. Merrte fjalën këtu dhe të mbronte në çdo fjalim kur ishte i akuzuar nga Prokuroria dhe ishte gjëja më anormale që mund të bënte një kryeministër”, tha Rama.

Please follow and like us: