Rikthehen “Ditët e Kujtesës”, për 8 ditë zhvillohen aktivitete si nevojë e shoqërisë shqiptare për ballafaqimin me të shkuarën
Në kryeqytet janë rikthyer sot “Ditët e Kujtesës”, një program i mbushur plot me aktivitete që do të zgjasë deri më datë 23 nëntor dhe organizohet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe Fondacioni gjerman Konrad Adenauer. Organizatorët shprehen se rezulton që pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare kanë perceptim pozitiv mbi regjimin komunist, sipas një anketimi të kryer nga OSBE-ja vitin e kaluar (2016) dhe kjo e bën të nevojshëm një ballafaqim me të shkuarën, ndaj do të zhvillohen në Tiranë aktivitete të tilla me tema e trajtesa mbi komunizmin. “Me Kujtesën si mision, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer nisi të enjten – 16 nëntor – edicionin e dytë të Ditëve të kujtesës” që do të mbahet nga data 16 deri më 23 nëntor dhe do të jetë plot aktivitete. Ceremonia përshëndetet nga organizatorët: Ëalter Glos, Drejtor i Fondacionit Konard Adenauer (KAS) dhe Dr. Jonila Godole, Drejtoreshë ekzekutive e IDMC-ës. Gjatë ditës së parë, do të jenë gjithashtu prezent Bernd Borchardt, ambasador i OSBE-së në Shqipëri dhe Susanne Schutz, ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri. Diskutimi fillestar do ketë në qendër fjalën e ekspertes, Hildigund Neubert, ish-komisionere e hapjeve të dosjeve të STASI-t në Gjermani, ndërsa këtë iniciativë e përshëndet edhe intelektuali, disidenti shqiptar, Prof. Dr. Sami Repishti, me banim në ShBA. Dita e parë e edicionit të dytë i Ditëve të Kujtesës do të prezantojë edhe ekspozitën “Propaganda në diktaturë”, e cila do të qëndrojë hapur përgjatë gjithë javës në Pavijonin e Persekutimit Komunist në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë prezanton disa aspekte të manipulimit të masës nga Shteti komunist permes propagandës. Foto dhe artikuj nga gazeta të ndryshme do të dëshmojnë atë mekanizëm glorifikues që funskiononte për Enver Hoxhën dhe projektin e tij të Partisë-Shtet. “Ditët e Kujtesës” organizohen në bashkëpunim me: Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Shoqatën e Mësuesve të Shqipërisë; Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit; Muzeun Historik Kombëtar; Drejtorinë e Përgjithshme e Arkivave; Institutin “Musine Kokalari””, thuhet në njoftim.